Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Analiza Korrupsioni KPA Në Fokus

Kolegji gjen probleme në hetimin e KPK për ish-prokurorin Ferdinad Elezi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i tërhoqi vëmendjen KPK-së për hetimin e cekët ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi, por e ka vendimin e shkarkimit në fuqi me shumicë votash.

Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në një vendim të mbushur me kritika për punën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit arsyetoi me shumicë në favor të lënies në fuqi të vendimit për shkarkimin e ish-Prokurorit të Apelit të Durrësit, Ferdinand Elezi.

Treshja në shumicë, Natasha Mulaj, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz, arsyetoi se bilancet negative në katër vite, që bashkarisht shkonin në 1 milionë lekë, ishin shkarkuese.

Në pakicë, Ina Rama relatore dhe Albana Shtylla kryesues arsyetuan se bilancet negative nuk ishin të mjaftueshme për të arsyetuar në favor të shkarkimit dhe thanë se masa nuk ishte propocionale.

Në vendim, Kolegji arsyetoi në favor të Elezit për disa prej ankimeve të tij të fokusuara në analizën financiare, të cilat e përmirësuan bilancin negativ nga 3 milionë të llogaritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 1 milion lekë.

Por trupa gjeti se hetimi i KPK-së për disa prej pasurive nuk kishte qenë i plotë. Sipas KPA-së, trupa e Komisionit e drejtuar nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici anëtar, kishte pranuar arsyetimet e Elezit për financat të pambështetura në dokumentacion. Kolegji shprehet se në apelim, këto probleme që do rëndonin situatën e subjektit nuk ishin marrë në konsideratë, për shkak të rolit prej “garantisti” që KPA merrte në këtë rast.

Ferdinand Elezi e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Kavajës në vitin 1999, ndërsa gjatë viteve 2003-2005 ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Durrës. Përgjatë viteve 2006-2013, Elezi ka kryer detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit të Durrësit dhe prej vitit 2013 ai mbate postin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Ai ishte një ndër kandidaturat e garës për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm në vitin 2017. KPK vendosi për shkarkimin e tij pas probleme me pasurinë në 9 prill 2019, vendim që u konfirmua nga KPA me shumicë votash.

Kritikat ndaj KPK-së

Kolegji gjeti se Komisioni nuk kishte bërë hetim të plotë dhe kishte pranuar argumentet e Elezit pa dokumentacion shoqërues. “Komisioni ka pranuar shpjegimet e subjektit, të pambështetura në dokumentacion, sa i përket mospërputhjes dhe diferencës së çmimit të blerjes së apartamentit dhe garazhit te Komuna e Parisit në vitet 2000 dhe 2001 respektivisht,” thuhet më vendim.

Po ashtu, Kolegji kritikoi KPK se kishte pranuar pa asnjë provë dhe pa asnjë dokument pretendimet e subjektit për disa pasuri të tjera, përfshi edhe një shumë 10 mijë euro që ngrinte dyshime për fiktivitet.

Kolegji gjeti hetimin e KPK të cekët, ndërsa u shpreh se “Komisioni nuk është thelluar në hetimin e vlerave të dy apartamenteve prej 185 metra katrorë në Durrës, prej respektivisht 30 mijë eurosh dhe 4 milionë lekësh, blerë në vitet 2005 dhe 2017, ndërkohë që vetë Komisioni rezulton të ketë konstatuar se blerjet nuk përkonin as me çmimet e tregut dhe as me kostot e ndërtimit”.

Njësoj KPA arsyetoi mbi shumat e pretenduara të përfituara nga qiraja në vitin 2010. Kolegji thotë se KPK ka pranuar pa argumente përfitimi në vlerën mbi 2 mijë euro, që duheshin konsideruar si deklarative.

Por Kolegji shprehet se këto gjetje të tij nuk do të përkeqësonin situatën e subjektit dhe paraqiteshin vetëm si “tërheqje  vëmendjeje për  Komisionin”

KPA arsyetoi se hetimet e paplota në Komision dhe pranimi i disa argumenteve pa dokumentacion nuk mund të rëndonin situatën e Elezit, për shkak se Kolegji në rishqyrtim duhej të mbante parasysh ankimin e bërë prej subjektit dhe se nuk duhej të përkeqësonte pozitën e subjektit.

“Në funksion të të qenit garantist dhe në dritën e parimit të mospërkeqësimit të pozitës së subjektit të rivlerësimit, këto pasaktësi të deklarimeve periodike, as trupi gjykues i Kolegjit nuk mund t’i konsiderojë si elemente që mund të përbëjnë shkak për aplikimin e masës disiplinore”, thuhet në vendim.

Ndryshimet në analizën financiare

Kolegji gjeti po ashtu vlerësime të gabuara të Komisionit, që rëndonin situatën e Elezit. Për vitin 2016, KPA gjeti se Komisioni kishte shtuar 500 mijë lekë shpenzime arredimi që nuk ishin deklaruar nga Elezi dhe as nuk figuronin në faturat e paraqitura prej tij.

Po edhe pse në vendimin e zbardhur ish-prokurorit i jepet e drejtë në disa prej pretendimeve në ankimin e tij, KPA në shumicë e rrëzoi atë në tërësi dhe vlerësoi të drejtë përfundimin se ai ishte në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Në këtë drejtim, Kolegji rrëzoi pretendimin e Elezit se KPK nuk kishte pasur të drejtë të dilte me një përfundim të ndryshëm mbi pasurinë e tij nga përfundimi që ishte arritur prej Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. KPA arsyetoi se Komisioni kishte tagrin të bënte hetimet e tij dhe të dilnte në përfundim të pavarur. Po ashtu KPA nuk gjeti në vendim shkelje të procedurës së rivlerësimit.

KPA refuzoi të pranonte si të ardhura shtesë pagesat që Elezi kishte marrë për transportin si drejtues i prokurorisë. “Këto rimbursime për shpenzime zyrtare, nëse nuk janë nevojitur/përdorur, nuk duhet të përfitoheshin,” u shpreh Kolegji, duke i qëndruar vlerësimeve të mëhershme mbi përfitime të ngjashme, përfshi edhe dietat.

Megjithatë KPA pranoi qëndrimet e Elezit sa i përket llogaritjes së disa shpenzimeve dhe disa të ardhurave kryesisht nga puna e bashkëshortes si notere. Ndër të tjera Kolegji gjeti të drejtë pretendimin e Elezit se pagesat e tatimeve nga bashkëshortja që punonte notere duheshin konsideruar në vitin pasardhës dhe jo siç ishin llogaritur nga KPK.

Kolegji po ashtu rillogariti disa të ardhura të tjera dhe përmirësoi situatën financiare të Elezit duke rillogaritur shpenzimet e udhëtimit në disa vite.

Kështu nga 3 milion lekë bilanc negativ sipas Komisionit, KPA gjeti se Elezit i mungonin vetëm 1 milion lekë të ardhura me burime të ligjshme për të justifikuar pasurië në vitet 2003-2016.

Arsyetimi mbi shkarkimin

KPA u nda në arsyetimin nëse ky bilanc duhej të cilësohej, apo jo shkarkues. Për shumicën kjo shumë e ndarë në 4 vite, 120.346 lekë në vitin 2005, 709 mijë lekë në vitin 2007, 118 mijë lekë  në vitin 2008 dhe 135 mijë lekë në vitin 2010, ishte e mjaftueshme për të shkarkuar Elezin.

“Subjekti i rivlerësimit rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve,” arsyetoi shumica. Shumica arsyetoi se fakti që bilanci negativ mbetej në fuqi pavarësisht problemeve që kishte hetimi i KPK, ishin të mjaftueshme për të shkarkuar Elezin.

Sipas treshes në shumicë analiza “në tërësi e të gjithë elementeve që përbejnë kontrollin e kriterit pasuror, duke pranuar mangësitë në hetimin e Komisionit, e çon trupin gjykues të Kolegjit drejt vlerësimit se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme”.

Por pakica i ka mëshuar faktit se përfundimet bazuar mbi analizën financiare nuk kishin nivel sigurie dhe se duke e parë situatën në propocionalitet Elezi nuk duhej të ishte shkarkuar. “Sipas vlerësimit tonë, shkelja e konstatuar e ligjit që lidhej me vlerën që ka përfaqësuar mungesën e burimeve të ligjshme për subjektin e rivlerësimit, nuk duhej të konsiderohej si një shkelje e cila qëndronte në proporcion të drejtë me masën disiplinore të shkarkimit”, thuhet në mendimin e pakicës.

Gjyqtaret në pakicë këmbëngulin se fakti që analiza financiare bazohej kryesisht te të ardhurat e bashkëshortes si notere, e cila sipas tyre nuk kishte qenë e lehtë për tu lloagritur për shkak të llojit të aktivitetit.

“Kjo veçori e këtij aktiviteti e bën të vështirë ndarjen e saktë dhe matematikore të të ardhurave të deklaruara e të krijuara realisht, në raport me shpenzimet që kryhen për mbajtjen e administrimin e këtij aktiviteti, të cilat mund të ndodhë që praktikisht të jenë më të vogla se ato të deklaruara edhe për shkak të respektimit të standardeve financiare që imponon legjislacioni tatimor në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në arsyetimi e pakicës.

Duke arsyetuar mbi një zë shpenzimesh të deklaruara si amortizim nga bashkëshortja e Elezit, pakica arsyeton se edhe pse i paprovuar pretendimi i subjektit se këto para ishin përdorur për shpenzime familjare duhej të ishte mbajtur parasysh. Pakica arsyeton në fund bilanci negativ, duke marrë në konsideratë vlerësimin pozitiv në dy kriteret e tjera për Elezin, nuk duhej të ishte konsideruar shkarkues.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *