Prokurori Anton Martini dhe avokati Jualian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj
KPA Lajme Vendi

Kolegji hap hetim për dy denoncime ndaj Anton Martinit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi se do të kërkonte materiale shtesë mbi dy denoncime ndaj prokurorit Anton Martini. Ndërkohë në seancë prokurori i cilësoi tre denoncimet ndaj tij shpifje, ndërsa Komisioneri Publik u shpreh se ato nuk ndikonin në kërkesën e tij për shkarkimin e Martinit.

Prokurori Anton Martini dhe avokati Jualian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj

Prokurori Anton Martini dhe Komisioneri Publik dhanë të hënën qëndrimet e tyre mbi tre denoncime të reja dhe provat e paraqitura më herët në procesin që po zhvillohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Komisioner Florian Ballhysa vuri në dukje se provat e sjella nga prokurori dhe tre denoncimit nuk kishin ndonjë peshë në procesin e rivlerësimit dhe se ai i qëndronte kërkesës së bërë fillimisht për “shkarkimin e prokurorit Anton Martini”.

Ballhysa vlerësoi se provat e reja nuk e kishin bindur dhe nuk ndryshonin sipas tij situatën e subjektit, qoftë sa i përket vlerësimit të pasurisë, qoftë sa i përket atij profesional. Ballhysa tha se kërkesa e tij për të ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e ka konfirmuar në detyrë Martinin, nuk ndikohej as nga tre denoncimet e reja.

Sipas Komisionerit provat e mbledhura nga hetimi në KPK ishin të mjaftueshme për të vendosur shkarkimin e Martinit si të papërshtatshëm në kriterin e profesionalizmit dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Martini nga ana e tij u fokusua te denoncimet. Prokurori i cilësoi të tre shpifje ndërsa la të kuptohej se denoncuesit ishin të hetuar prej tij dhe se kjo ishte pas arsyeve të denoncimit. Martini tha se në denoncime kishte të dhëna të rreme, të cilat mund të verifikoheshin. Duke iu rikthyer komandimit të tij në Shkodër, Martini këmbënguli se nuk kishte qenë kërkesë e tij dhe se ai ishte dërguar atje pa dëshirë.

Ai tha se një nga denoncimet kishte lidhje me riçeljen prej tij të hetimeve për 9 vrasje të pazbardhura në Shkodër, një dosje që më pas kishte përfunduar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me akuza për grup të strukturuar kriminal.

Prokurori këmbënguli se kishte bërë detyrë në mënyrë korrekte, ndërsa dy herë gjatë fjalës së tij përmendi se gjatë kohës që kishte punuar në Shkodër ishte përpjekur të shkëpuste lidhjet dhe ndikimin e krimit mbi këtë prokurori.

Pas një takimi në dhomë këshillimi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit njoftoi hapje të hetimeve për dy prej denoncimeve. Kryesuesi i trupës Ardian Hajdari tha se do u kërkoheshin materiale prokurorive për dosjet që përmendeshin në denoncim dhe do të rihetohej procedura e shortimit në prokurorinë e Shkodrës gjatë kohës që Martini ishte drejtues.

Martini kaloi shkallën e parë të rivlerësimit në janar 2020 me shumicë votash. Ai u konfirmua me votat e kryesueses Genta Tafa Bungo dhe relatores Pamela Qirko. Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja kërkoi shkarkimin e prokurorit Anton Martini për atë që e konsideroi “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”.

Vendimi i konfirmimit u ankimua nga Komisioneri Publik në qershor, disa javë pas afatit, që Komisioneri thotë se ishte pezulluar për shkak të pandemisë. Trupi gjykues që do shqyrtojë çështjen është i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulajn, Rezarta Schuetz, Sokol Çomon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *