Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji i Apelimit i jep fund farsës, vulos dorëheqjen e Adriatik Llallës

Pas dy seancash dëgjimore, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka hedhur poshtë pikëpyetjet e Komisionerit Publik nëse ish- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla e kishte dhënë dorëheqjen në formatin e duhur. 

Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë dhënies së vendimit për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Foto:Besar Likmeta.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të hënën vendimin për ankesën e Komisionerit Publik mbi ndërprerjen e procesit të vetingut për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla – pas dhënies së dorëheqjes nga sistemi i drejtësisë dhe dorëzimi i statusit të magjistratit.

“Vullneti për t’u dorëhequr është i qartë,” tha Kolegji në vendimin e marrë me shumicë votash, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj ish-kryeprokurorit.

Kolegji shtoi gjithashtu në dispozitiv të vendimin ndalimin e subjekit për t’u rikthyer për 15 vjet në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të sheshohej çdo ‘keqkuptim’.

Gjatë seancës të fundit dëgjimore të mbajtur në 6 qershor, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa pretendoi përballë trupës gjyqësore se vendimi për ndërprerjen e procesit të vetingut për ish kryeprokurorin është nul, e për pasojë duhet të shfuqizohet.

Komisioneri Publik deklaroi se  Adriatik Llalla është ende magjistrat, pasi dorëheqja e tij nuk është dhënë sipas formës që  kërkon ligji, e për pasojë Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk mund t’i referohej  pikës G të aneksit të  Kushtetutës për ndërprerjen e vetingut për Llallën.

“Sot asnjë prej institucioneve nuk mund të verifikojë nëse kjo dorëheqjeje është nënshkruar nga vetë magjistrati kur dorëheqja është bërë me postë? Ditën që mbaron mandati i institucionit të rivlerësimit, gati 4 vite më pas nga dita e sotme që po zhvillohet ky gjykim, ai ka të gjithë të drejtën të kërkojë rikthimin në sistem duke mos e kaluar procesin e rivlerësimit, ndaj ne kërkojmë prishjen e vendimit të KPK-së,” deklaroi  Ballhysa.

Ky pretendim u hodh poshtë nga avokati i Llallës, i cili u shpreh se klienti i tij i ka zbatuar të gjithë procedurat dhe ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të ligjshme nga sistemi i drejtësisë.

“Klienti im është shprehur vullnetarisht për t’u larguar nga sistemi. Ai ka dhënë dorëheqje dhe nga të qënurit  magjistrat ashtu edhe për rikthimin e tij në pozicionin e mëparshëm të punës, para se të emërohej  si kryeprokuror,” deklaroi avokati Sokol Hazizaj.

Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut.

Sipas Kushtetutës, ky institucion ushtron apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.

Megjithatë, angazhimi nga Komisioneri i Kolegjit për një praktikë proceduriale si ajo formatit të dorëheqjes së ish Prokurorit të Përgjithshëm Llalla, ka ngritur vetullat mes vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas nëse një ankim i tillë ishte vërtet i nevojshëm dhe çfarë përfaqësonte ai në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të vetingut.

Këto pikëpyetje tashmë duket se janë sheshuar nga vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit – organi më i lartë i procesit të vetingut, i cili me vendimin e tij vendos dhe precedentin për ankimime të ngjashme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *