Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Kolegji i Apelimit konfirmon shkarkimin e gjyqtarit Bledar Abdullai

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi ditën e enjten vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Bledar Abdullai.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Luan Daci, Albana Shtylla relatore dhe anëtarë Ina Rama, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, shqyrtoi të enjten në dhomë këshillimi ankimin e subjektit Bledar Abdullai kundër vendimit nr.51, datë 30 korrik 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, Kolegji vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Institucionet mbështetëse të procesit të rivlerësimit kalimtar kanë dorëzuar në KPK raporte pozitive për subjektin; megjithatë, hetimi administrativ i KPK-së i ka përmbysur gjetjet e ILDKPKI për kriterin e pasurisë.

Pasi ka administruar raportet nga institucionet e pavarura mbi subjektin, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar administrativ duke vlerësuar faktet dhe prova të administruara sipas ligjit.

Në përfundim të hetimit administrativ, trupi gjykues i përbërë nga Genta Tafa Bungo si kryesuese, Pamela Qirko si anëtare dhe Suela Zhegu relatore, ka arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka bërë ‘deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, ka dështuar të deklarojë burimin e krijimit të pasurive, si dhe ka mungesë të burimeve financiare.”

Pasi ka mbyllur hetimin administrativ, KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës dhe ka marrë nga ky i fundit një kërkesë për thirrjen e dëshmitarëve që është hedhur poshtë nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, me arsyetimin se fakti të cilin subjekti kërkon të provohet është i parëndësishëm “për vendimmarrjen dhe ka për qëllim zvarritjen e gjykimit.”

KPK nënvizon në vendimin e zbardhur se edhe pse subjekti ka qenë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, në shpjegimet e tij ai ka reflektuar qëndrime emocionale, duke dhënë shpjegime të përsëritura dhe kontradiktore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *