Gjyqtari i Gjykates se Larte, Edmond Islamaj, | Foto nga LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Kolegji i Apelimit mbyll shqyrtimin gjyqësor për gjyqtarin Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi t’i japë fund hetimit gjyqësor ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë nga një seanceë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

KPA vendosi të mërkurën t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor, pjesë e ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarë gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Schuez dhe Albana Shtylla, mbajti të seancën e dhjetë ndaj subjektit të rivlerësimit.

Seanca filloi me njoftimin e kryesuesit Luan Daci, sipas të cilit në Kolegj kishte ardhur një denoncim tjetër kundër gjyqtarit Islamaj. Daci shpjegoi se trupa kishte dyshime mbi identitetin e denoncuesit, por do të ia vinte në dispozicion palëve në funksion të transparencës.

Me tej Daci kërkoi depozitimin nga subjekti të një numër provash të marra në shtetin italian, për të cilat Kolegji kishte kërkuar gjatë seancës së kaluar që të silleshin me vulë apostile.

Islamaj depozitoi në Kolegj 4 dokumente, përfshirë një certifikatë historike banimi për një person të lidhur në Itali, si dhe certifikatat e regjistrimit në tatime e shoqatës ‘Meduza’ dhe deklaratat noteriale të dy organizatave jo-fitimprurëse, Meduza dhe I.R.E.A.

Këto akte kanë si qëllim të mbështesin prapësimet e subjektit për mbulimin e kostove për udhëtimet e tij jashtë shtetit të nxjerra në pah nga analiza financiare e bërë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Megjithatë, aktet e paraqitura nga Islamaj u kontestuan nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i cili i kërkoi Kolegjit që ato të mos pranoheshin. Sipas Komisionerit subjekti ka paraqitur deklarata noteriale të marra në shtetin Italian nga noter shqiptar, të cilat kalojnë kompetencat e tij dhe nuk duhet të pranohen si prova.

Gjithashtu, Ballhysa shtoi se vlera e deklaratave noteriale të administruara nga Kolegji si prova, duhet t’i nënshtrohej rregullave të dëshmisë përpara trupës gjykuese, për këtë arsye Komisioneri Publik kërkoi që ato të mos merreshin në konsideratë si pjesë e analizës financiare të subjektit.

Islamaj kërkoi kohë të kundërshtonte qëndrimin e Komisionerit Publik dhe debatoi me kryesuesin Luan Daci pasi kjo kohë ju mohua.

Pasi u tërhoq për disa orë, trupa gjykuese vendosi t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor dhe ta caktojë datën 2 maj për përfundimet e palëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *