Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji i Apelimit vendos moshapjen e hetimeve ndaj Sevdarit

Kolegji i Apelimit refuzoi kërkesën e Komisionerit Publik për rihapjen e hetimeve ndaj prokurores Antoneta Sevdari, duke vendosur mbyllen e shqyrtimit gjyqësor në ankimin kundër vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

KPA shqyrton ankimin ndaj prokurores Antoneta Sevdari | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën mbylljen e shqyrtimit gjyqësor ndaj prokurores Antoneta Sevdari, duke i dhënë deri të hënën Komisionerit Publik për qëndrimin përfundimtar në lidhje me ankimin e tij ndaj vendimit të KPK-së për konfirmimin e subjektit në detyrë.

Ankimi i Komisionerit Dariel Sina në Kolegjin e Apelimit po shqyrtohet nga trupa gjyqësore e udhëhequr nga Luan Daci, Sokol Çomo relator dhe anëtarët Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz.

Gjatë seancës të së martës, Kolegji i dha mundësi prokurores Sevdari të shprehej mbi një denoncim të ardhur në gjykatë pas shqyrtim administrativ në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ndërkohë, komisioneri Sina insistoi që Kolegji të hape hetimin gjyqësor ndaj prokurores, duke nënvizuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimi nuk kishte shqyrtuar plotësisht ose pjesërisht 10 denoncime. Sina bëri gjithashtu disa prapësime në lidhje me të ardhurat e ligjshme të bashkëshortit të prokurores Sevdari, në Greqi dhe në Arabinë Saudite.

Antoneta Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Ajo u konfirmua në detyrë nga KPK me 18 korrik dhe njihet për punën e saj në prokurorinë e Tiranës për procedimin e çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit, Kastriot Ismailaj – i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit.

Pas konfirmimit në detyrë nga KPK Sevdari u përzgjodh si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Denoncime në Kolegj

Gjatë seancës të së martës prokurorja Antoneta Sevdari, ka dhënë shpjegime përpara trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit në lidhje me një denoncim të ardhur nga shtetasi Aleksandër Kolmarku – i proceduar penalisht nga prokurorja Sevdari në vitin 2013 për falsifikim dokumentesh, në favor të një biznesmeni të dënuar në Itali për disa vepra penale.

Kolmarku është ankuar në Kolegjin e Apelimit për procedimin e ngritur ndaj tij nga prokurorja Sevdari dhe masën e sigurisë. Kolmarku është proceduar penalisht për falsifikim të dokumenteve më shumë se njëherë, në favor të shtetasit Gjergj Tushaj. Tushaj kërkohej në vitin 2012 për ekstradim nga autoritet italiane, pasi ishte dënuar në vitin 1999 nga gjykata e Monzës në Itali me 7 vjet e 8 muaj burgim, për “rrëmbim personi, dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni.”

Tushaj ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi në Gjykatën e Apelit Brescia, duke pretenduar se në periudhën gjatë së cilës pretendohet se ai ka kryer krimet për të cilat është dënuar, ai ka qenë në Shqipëri. Gjykata e Brescia-s ka dërguar një letërporosi në Shqipëri, e cila është çuar në Prokurorinë e Lezhës dhe është verifikuar nga denoncuesi Aleksand Kolmarku, i cili është akuzuar se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka ndihmuar mbështetjen e alibisë së Tushaj-t.

Kolmarku dhe Tushaj janë akuzuar nga Prokuroja Sevdari për falsifikim dokumentesh, por akuza është rrëzuar në Gjykatën e Tiranës. Edhe pse çështja është çuar në Apel dhe në Gjykatën e Lartë, rekursi ndaj Kolmarkut dhe Tushajt nuk është pranuar dhe ato janë shpallur përfundimisht të pafajshëm.

Gjatë seancës në Kolegjin e Apelimit, prokurorja Sevdari u shpreh se faktet tregonin se denoncimi nuk qëndronte dhe se sipas ligjit, Kolegji nuk mund të shprehej mbi thelbin e çështjes së gjykuar.

“Akuza e ngritur nga ana ime kundër të pandehurit Aleksandër Kolmarku ishte në përputhje me ligjin dhe mbështetej në dyshime të arsyeshme,” tha Sevdari, duke nënvizuar se i pandehuri akuzohej se i kishte falsifikuar 3 herë aktet për të shmangur dënimin e Tushaj-t në Itali. “Denoncimi i shtetasit Kolmarku nuk përmban asnjë të dhënë që mund të sjellë ndryshimin e vlerësimit tim për aftësinë profesionale,” shtoi Sevdari.

I pyetur nga kryesuesi i seancës, komsioneri Sina u shpreh se do ta lente në çmimin e Kolegjit vlerësimin e këtij denoncimi. Ndërkohë Sina kërkoi gjithashtu nga Kolegji të rihetonte 10 denoncimet e bëra në KPK ndaj Sevdarit, duke pretenduar se ato ishin hetuar nga Komisioni vetëm pjesërisht.

Megjithatë, komisioneri nuk ishte i qartë kur u sfidua nga relatori Sokolo Çomo, të përcaktonte se cili nga denoncimet e ardhura në KPK nuk ishte hetuar plotësisht.

‘Kriminalizimi’ i remitancave

Gjatë dy dekadave të fundit remitancat e kthyera në Shqipëri nga emigrantët kanë qenë një nga shtyllat e mbështetjes të familjeve shqiptare, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Megjithatë, për gjyqtarët dhe prokurorët që po kalojnë procesin e rivlerësimit, remitancat e të afërmeve dhe personave të lidhur nga emigracioni po kthehen në një makth, pasi për shkak të emigrimit të paligjshëm ato nuk mund të dokumentohen me pagesën e taksave.

Në vendimin e shpallur për shkarkimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Kolegji është shprehur se “remitancat jo gjithmonë tregojnë se janë të ardhura të ligjshme.”

Në qoftëse do të ndiqet ky precedent edhe prokurorja Sevdari mund të ketë probleme në lidhje me justifikim e të ardhurave të gjeneruara nga i shoqi në Greqi në vitet 1997-2000 – përpara se ajo të martohej dhe të ardhurat e tij nga punësimi i  mëvonshëm në Arabinë Saudite.

Komisioneri Sina i kundërshtoi parashtrimet e bëra gjatës seancës së kaluar nga subjekti në lidhje me të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti si emigrant në Greqi, të cilat kanë shërbyer si burim për ndërtimin e një banese në Tiranë. Gjithashtu, pagesa e taksave u ngrit si problem nga komsioneri Sina edhe për 12,000 euro të deklaruara nga bashkëshorti i subjektit nga puna si gjeometër në Arabinë Saudite në vitin 2003 dhe 20,000 USD të përfituara në vitin 2006.

Sina insistoi se të ardhurat jashtë territorit të Shqipërisë duhet të ishin deklaruar në tatim taksa dhe duhet të ishin taksuar me 10 % ën Shqipëri ose në vendin e origjinës. Ai ngriti dyshime edhe mbi pagesën e tatim-fitimit nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2010, si dhe të taksave bashkiake.

Sevdari i tha Kolegjit se për të ardhurat në Greqi të bashkëshortit kishte si provë vetëm vulat në pasaportë. Ndërsa, për të ardhurat në Arabinë Saudite ajo nuk mund të shprehej mbi pagesën e taksave nga kompanitë që ai kishte punuar.

Për pagesën e taksave për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti jashtë shtetit, Sevdarit i kërkoi llogari edhe relatori i çështjes Sokol Çomo, i cili e pyeti prokuroren mbi përpjekjet që kjo e fundit kishte bërë për të siguruar të dhëna.

Sevdari i justifikua se njërit nga punëdhënësit në Arabinë Saudite i mungonte dokumentacioni, ndërsa një tjetër kishte vdekur. Për të ardhurat nga Greqia ajo deklaroi se bashkëshorti i ka sjellë dorazi.

Pas pyetjeve të relatorit trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe pas disa orësh në dhomë këshillimi vendosi me vendim të ndërmjetëm për mbylljen e hetimit gjyqësor. Seanca e radhës do të mbahet me 25 shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *