Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji i Apelimit “vulos” shkarkimin e ish-gjykatësit të Kushtetueses Fatmir Hoxha

KPA me shumicë votash vendosi në dhomë këshillimi të rrëzonte pretendimet e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçem të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimi rrëzoi, me shumicë në dhomë këshillimi, apelimin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, duke i dhënë formë të prerë shkarkimit të tij nga detyra.

Hoxha u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 10 maj, pasi ky i fundit gjeti probleme në deklarimin e pasurisë. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese apeloi vendimin në KPA. Trupa gjykuese, e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, vendosi të martën në dhomë këshillimi me shumicë votash që të linte në fuqi vendimin e KPK-së.  “Vendimi është i formës së prerë dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga institucioni.

Lexo edhe:

Zbardhja e vendimit të KPK, Fatmir Hoxha fshehu huanë për shtëpi nga kunati

Ish-gjyqtari Fatos Lulo humbet apelimin e vetingut

Kolegji konfirmon shkarkimin e gjyqtarit të Apelit Besim Trezhnjeva

Hoxha është ish-gjyqtari i dytë i Kushtetueses që rrëzohet në të dyja shkallët e procesit të rivlerësimit, më herët KPA la në fuqi vendimin për Fatos Lulon. Po ashtu në fuqi u lanë vendimet për ish-gjykatësin e Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva dhe për prokuroren Besa Nikëhasani. KPA deri tani ka konfirmuar në dhomë këshillimi të gjitha vendimet për shkarkim të marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në vendimin, po ashtu me shumicë të KPK-së, arsyetohej se Hoxha kishte  dështuar të deklarojë për “vetingun” dhe të justifikojë me dokumentacion një hua nga kunati në vlerë 28.500 euro, nuk justifikonte me të ardhura një shumë prej 1.7 milion lekësh shpenzime në vitin 2011 dhe nuk kishte deklaruar një shumë prej 330 mijë lekësh në llogarinë bankare të së shoqes në vitin 2003.

Në mendimin e pakicës Sanxhaktari i cilësoi arsyetimin e shumicës të pabazuar dhe shkroi se Hoxha duhej të ishte rikonfirmuar pasi “ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e figurës, si dhe ka krijuar një nivel të mjaftueshëm profesional”.

Si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha ishte pjesë e listës prioritare të procesit të rivlerësimit, i njohur gjerësisht si procesi i vetingut. Lindur në vitin 1968 në Pukë, gjyqtari Fatmir Hoxha u diplomua në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës në vitin 1991. Ai shërbeu si gjykatës dhe kryetar gjykate në Pukë, në Apelun e Tiranës, si kryetar i Gjykatës së Shkodrës dhe në vitin 2011 u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *