Kolegji i kërkon KLP-së që të dorëzojë dosjen për Bujar Meminë

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit po shqyrton ankesën e prokurorit të shkarkuar të Krujës, Bujar Memia ndaj vendimit të shkarkimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Ish-prokurori i Krujës, Bujar Memia pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.

Ish-prokurori i Krujës, Bujar Memia paraqiti të martën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pretendimet e tij kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për shkarkimin e tij nga detyra, duke e konsideruar atë të pabazuar dhe me shkelje procedurale. Gjatë seancës,  kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Albana Shtylla drejtoi disa pyetje për Meminë dhe përfaqësuesit e ILD dhe të KLP, ku nga sa u kuptua, këta të fundit nuk kishin dorëzuar brenda afatit prapësimet, si dhe nuk i kishin sjellë në formën e kërkuar nga ligji as në seancën publike.

KLP njoftoi më 31 mars vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Bujar Memia të marrë me 10 vota pro, ndërkohë që doli kundër anëtarja Nurihan Seiti. Shkarkimi i Memisë u kërkua nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor të 2020-ës.

Bujar Memia u paraqit në KPA të martën së bashku me avokatët Fatmir Braka dhe Anteo Papa, ndërkohë që në seancën publike ishin të pranishëm edhe përfaqësues të KLP-së dhe ILD-së.

Memia u shpreh se do të donte të kishte qenë i pranishëm vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani dhe jo përfaqësues të institucionit që ai drejton. Ai theksoi se më 26 nëntor i ishin drejtuar me shkresë ILD-së për të informuar lidhur me ecurinë e verifikimit të çështjeve të transferuara për inspektim prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për tre anëtarët e KLP-së, Kostaq Beluri, Esmeralda Keshi(Cami) dhe Elioda Goxhi.

“Duket se kishte konflikt interesi të këtyre anëtarëve, pasi tre prokurorët janë dërguar për inspektim në ILD. Nuk na kanë kthyer ende përgjigje,” u ankua Memia. Sipas tij, ILD nuk ka kthyer përgjigje edhe nëse janë pyetur ose jo tre prokurorë të tjerë, që kanë hetuar më parë çështjet që kanë qenë objekt i procedimit disiplinor.

Memia shtoi se penalizimi i tij është kryer lidhur me përllogaritjen e dënimit të vuajtur nga një i dënuar, por ndërkohë nuk dihej nëse kishte ndonjë masë për ata që e kishin kryer përllogaritjen. Memia deklaroi se i kishin kërkuar informacion edhe Ministrisë së Drejtësisë nëse kishte filluar ndonjë procedurë disiplinore ndaj zyrtarëve që kishin kryer përllogaritjet e dënimit. Sipas Memisë, edhe për këtë kërkesë nuk kishin marrë përgjigje.

Ish-prokurori u pyet nga kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtyla nëse ILD i kishte vendosur në dispozicion aktet gjatë procedurës disiplinore, por ai sqaroi se jo vetëm që nuk i ishin vendosur dokumente në dispozicion, por as nuk ishte pyetur.

“Si mund të shkojë në gjyq i pandehuri pa u pyetur? Nuk jam pyetur në asnjë fazë. Duket se ka qenë tendencioze,” tha Memia dhe pretendoi se ILD kishte përdorur fakte të rreme në procedimin e tij. Gjithashtu, Memia deklaroi se edhe KLP nuk i kishe vendosur në dispozicion asnjë akt.

Drejtori i Njësisë së Mbështetjes së Komisioneve pranë KLP-së, Gerti Zela sqaroi për Kolegjin se nuk i kishin sjellë prapësimet brenda afatit të përcaktuar, pasi kishin menduar t’i dorëzonin në seancën publike. Megjithatë, Kolegji konstatoi se prapësimet nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji dhe u kërkoi përfaqësuesve të KLP-së që t’i dorëzonin të rregullta brenda të martës.

Lidhur me pretendimet e Memisë për mosdërgimin e akteve, Zela shpjegoi se subjekti ishte njoftuar për fillimin e procedimit disiplinor dhe me të drejtat e tij. Ai sqaroi se KLP dispononte aktet e prodhuara nga një tjetër institucion dhe se kishte qenë e pamundur që Memisë t’i dërgoheshin 3000 faqe dokumente. “Por e njoftuam që të vinte dhe të njihej me to,” deklaroi Zela.

Ai e cilësoi të pavend pretendimin e Memisë lidhur me referimet e KPK-së për tre anëtarët e Këshillit, duke sqaruar se nuk ka ndonjë vendim të inspektorit për fillim procedimi disiplinor ndaj tyre. “Nuk mund të përbëjë shkak papajtueshmërie”, theksoi Zela.

Lidhur me mosparaqitjen e plotë të fashikullit brenda afateve të përcaktuara nga KPA, përfaqësuesi i KLP-së pretendoi se ishte detyrim i kërkuesit që t’i dorëzonte. “Por ne jemi gati t’i sjellim”, siguroi Zela.

Edhe përfaqësuesit e ILD-së deklaruan se e kishin njoftuar Meminë për fillimin e procedimit disiplinor për shkelje të rëndë dhe se i kishin komunikuar të drejtat. Për kërkesën e subjektit për ecurinë e referimeve të KPK për inspektimin e tre anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë pohuan se ishin ende brenda afatit 30 ditor për kthimin e përgjigjeve.

Në përfundim trupi gjykues vendosi t’i drejtohet KLP-së që të depozitojë fashikullin e plotë për çështjen e Memisë brenda datës 29 dhjetor dhe u kërkoi palëve që të paraqesin kërkesat për marrjen e provave. Seanca e radhës u shty më datë 19 janar të vitit 2022, ora 10:00.