Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji kërkon prova të reja në çështjen ndaj prokurorit Petrit Çano

KPA pranoi si prova, dokumente të reja nga prokurori Petrit Çano dhe pas diskutimit në seancë mbi kriterin e profesionalizmit, vendosi t’i kërkojë gjykatës së Krujës sqarime më të detajuara mbi vendimmarrje në lidhje me kërkesat për lirim me kusht dhe deklasifikim të raportit të DSIK-së.

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca e të enjtes në Kolegjin e Posaçëm te Apelimit ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano u fokusua në kriteri e profesionalizmit dhe pranimin e disa provave të reja të sjella nga prokurori. Ndërkohë, vetë KPA doli me vendim të ndërmjetëm që të kërkonte prova dhe sqarime shtesë nga Gjykata e Krujës në lidhje me vendimet e marra dhe qëndrimin e prokurorëve në çështjet që kishin të bënin me lirim me kusht, llogaritjen e ditëve të dënimit,  vendime mbi qëndrimin në shtëpi dhe çështje të ngjashme.

Gjatë seancës, komisioneri Florian Ballhysa lexoi qëndrimin e tij mbi provat e marra më herët, përfshi raportin e përditësuar të DSIK-së. Ballhysa tha në raport se nga përgjigjet prej prokurorive dhe gjykatave nuk rezultoi që Çano të ishte në konflikt interesi sa i përket dy apartamenteve që pretendohet se janë blerë me një çmim më të lirë se ai i tregut.

Ai tha se raporti i DSIK-së ishte i klasifikuar, por nuk bëri me dije ndonjë gjetje të këtij raporti që mund të rëndonte pozitën e Çanos.

Ballhysa megjithatë tha se të dhënat e sjella nga Gjykata e Krujës tregonin se prokuroria e drejtuar nga Çano kishte ankimuar vetëm një pjesë të vogël të vendimeve që lidhen me lirimin me kusht apo kërkesa të tjera penale të dënuarve. Ballhysa po ashtu iu referua vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e prokurorit Bujar Memia, për lirimin e disa të dënuarve.

Ai tha se edhe pse kishte nxjerrë udhëzime mbi bazë të të cilave mund të jepte sugjerime për këto çështje, Çano kishte dhënë sugjerimin e tij vetëm në 1 prej katër dosjeve për të cilat u penalizua Memia.

Çano i kundërshtoi këto pretendime. Në fillim, avokati Julian Mërtiri i tha Kolegjit se pretendimet e ngritura prej Komisionerit Publik në kriterin e profesionalizmit nuk gjendeshin në ankimin fillestar. Ai tha se kjo çështje kishte “rënë në dekadencë” dhe nuk duhej të shqyrtohej prej Kolegjit, pasi nuk ishte paraqitur në ankimin fillestar.

Mërtiri po ashtu këmbënguli se kishte një përplasje mes çështjes ndaj Memisë dhe asaj të Çanos, pasi të dyja duhej të shqyrtoheshin në Kolegj edhe pse vinin prej drejtimeve të ndryshme. Mërtiri tha se ankimi për profesionalizmin duhej të ishte drejtuar përmes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ai e cilësoi të cunguar raportimin e Ballhysës mbi rastet, ndërsa përmendi se veç çështjeve të ankimuara, një shumicë çështjesh ishin rrëzuar dhe prokuroria kishte qenë palë edhe në këto çështje.

Vetë Çano këmbënguli se si drejtues i Prokurorisë kishte ndërmarrë një sërë masash në lidhje me këto çështje. Ai tha se prokuroria e Krujës kishte rezultate më të mira se prokuroritë e tjera që kanë në juridiksion institucione të vuajtjes së dënimit. Çano shtoi se mungesa e udhëzimeve prej tij në raste konkrete lidhej me faktin se shumë prej këtyre rasteve, qëndrimi i prokurorit jepej në sallën e gjyqit dhe se veprimet pas këtij qëndrimi bëheshin të pamundura. Ai po ashtu shtoi se drejtonte një prokurori të vogël me vetëm tre prokurorë nga 7 që duhej të ishin dhe se pozicioni i tij nuk ishte ai i një drejtuesi që lëshonte udhëzime, pasi ai kishte ngarkesë në çështje dhe përfaqësonte prokurorinë në gjykatë edhe në masa sigurie.

Çano po ashtu theksoi se në rastet e ndjeshme për publikun, përfshi lirimin e Endrit Dokles dhe Genc Tafilit, ai kishte vepruar përpara vendimmarrjes. Çano dorëzoi në KPA një sërë shkresash, me të cilat ishin njoftuar institucionet, përfshi Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me situatën dhe faktin që institucionet në varësi të saj kishin lëshuar ndërkohë vërtetime pozitive. Çano tha se prokuroria kishte fituar në Apel në çështjen kundër lirimit të Genc Tafilit dhe se shpresonte se e njëjta gjë do të ndodhte edhe në rastin e Dokles.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *