Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji konfirmon shkarkimin e gjyqtarit të Apelit Besim Trezhnjeva

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i mbledhur në dhomë këshillimi hodhi poshtë ankimimin e gjyqtarit të Apelit Durrës Besim Trezhnjeva, duke konfirmuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e shkarkoi nga detyra për fshehje pasurie.

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ardian Hajdari, relator Luan Daci dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, vendosi të enjten lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket gjyqtarit Besim Trezhnjeva, dukë nënvizuar se ky vendim është përfundimtar dhe mund të ankimohet vetëm në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjyqtari i Apelit Durrës Besim Trezhnjeva ishte një nga subjektet e para të procesit të rivlerësimit, i zgjedhur si pjesë e listës priotare për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Hetimi i KPK-së ndaj Trezhnjevës u përqëndrua vetëm të kriteri i pasurisë.

Problemet me pasurinë e gjyqtarit u reklamuan fillimitsht nga raporti i ILDKPKI i dërguar në KPK për gjyqtarin. Ky raportim u konfirmuar dhe nga hetimi i pavarur administrativ i KPK, e cila arriti në përfundimin se Trezhnjeva kishte bërë “deklarime të pasakta”, kishte “mungesë e burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë” kishte “fshehje pasurie” dhe kishte bërë “deklarime të rreme”.

Sipas KPK-së, Trezhnjeva veç problemeve me të ardhurat nuk justifikonte likujditetet për disa vite dhe po ashtu nuk mund të justifikonte blerjen e një shtëpie dhe një kredi 50 mijë euro. KPK thotë në vendim se Trezhnjeva ka pranuar se ka bërë “veprime fiktive për të mundësuar marrjen e kredisë për blerjen e apartamentit në Tiranë”. Sipas trupës gjykuese, kjo e ka penalizuar gjyqtarin pasi veprimet bien “në kundërshtim me figurën e një gjyqtari në Republikën e Shqipërisë, gjë që sjell cënimin e besimit te publiku”.

Apeli i gjyqtarit Trezhnejva është i dyti që hidhet poshtë në dhomë këshillimi nga Kolegji i Apelimit. Më parë Kolegji kishte hedhur poshtë ankimin e ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, duke konfirmuar gjithashtu shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *