Kolegji kritikon KPK për hetim “sipërfaqësor” të pasurisë së ish-prokurorit Shpëtim Kurti

Analiza dhe Opinione
KPA konfirmoi shkarkimin e Shpëtim Kurtit për lidhjet e tij me krimin e organizuar, por rrëzoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kriterin e pasurisë, duke e kritikuar për “zbatim të gabuar të ligjit” dhe “arsyetim sipërfaqësorë e të paqartë”.

Prokurori Shpëtim Kurti (djathtas) dhe avokati i tij gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : Besar Likmeta

Ish-prokurori Shpëtim Kurti u largua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 25 qershor të këtij viti. Arsyet e shkarkimit të Kurtit sipas Kolegjit ishin lidhjet e tij me krimin e organizuar.

“Subjekti i rivlerësimit rezultoi me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për këtë kriter,” thuhet në vendimin e zbardhur sëfundmi.

Por trupa e Kolegjit që shqyrtoi çështjen, e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me Sokol Çomo relator dhe Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj anëtarë, rrëzoi pjesërisht vendimin e Komisionit, duke e cilësuar hetimin e këtij të fundit në kriterin e pasurisë si sipërfaqësor dhe përfundimet e arritura në “zbatim të gabuar të ligjit”.

Trupa gjykuese e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me Lulzim Hamitaj relator dhe Roland Ilia anëtarë, e kishte hetuar Kurtin fillimisht vetëm në kriterin e pasurisë dhe pas një rihapje e mbylli procesin pas problemeve të gjetura në kriterin e figurës.

Por sipas Kolegjit hetimi i pasurisë së Kurtit kishte qenë i mangët dhe se arsyetimet e KPK në këtë kriter ishin sipërfaqësore.

Në vijim të sa më sipër, “trupi gjykues vlerëson se konkluzioni i Komisionit në vendim, lidhur me përcaktimin e situatës faktike të marrëdhënies reale të subjektit me këtë pasuri të paluajtshme, është i paqartë, për shkak të një hetimi të paplotë”, thuhet në vendim në lidhje me marrëdhëniet ekonomike të Kurtit dhe babait.

Kolegji shprehet se arsyetimet e KPK në tërësi për kriterin e pasurisë ishin të paplota dhe nuk ishte e qartë situata faktike, ndërsa e fshikullon KPK për “arsyetim sipërfaqësorë” në vendim. KPA shprehet se Komisioni “ka zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin” dhe  nisur nga ky fakt ka rrëzuar këtë pjesë të vendimit.

KPA me shumicë prej katër nga pesë anëtarët shprehet se për të arritur një përfundim në këtë kriter do duhej të rihapej çështja dhe Kolegji të shqyrtonte atë në seancë publike. Megjithatë shumica, po aty arsyeton, se vendimi i Komisionit qëndronte sa i përket kriterit të figurës dhe se Kurti kishte kontakte të papërshtatshme. Në fund shumica vendosi për “ekonomi gjyqësore” të lërë në fuqi vendimin vetëm për kriterin e figurës.

Në një qëndrim paralel gjyqtarja Natasha Mulaj shprehet se çështja duhej të kishte kaluar në seancë publike.

“Në kushtet kur Komisioni nuk ka kryer hetim administrativ të plotë për kriterin e vlerësimit të pasurisë, në kushtet kur Kolegji mbi bazë dokumentesh në dhomën e këshillimit e ka pasur të vështirë vlerësimin e këtij kriteri, për Kolegjin ka qenë i detyrueshëm kalimi i çështjes në seancë gjyqësore publike”, shprehet Mulaj.

Megjithatë Kolegji ka qenë unanim kur ka rrëzuar të gjitha pretendimet e Kurtit, duke vënë në dukje se kontaktet e tij me një person të dënuar për “trafik qeniesh njerëzore” dhe “falsifikim kartmonedhash” nuk ishin të rastësishme. Kolegji vë në dukje se kishte parë vetë materialet e cilësuara “sekret shtetëror” dhe kishte dalë në përfundimin se Kurti, ishte i papërshtatshëm në këtë kriter.

Në vendim KPA arsyeton kundër pretendimeve të Kurtit në lidhje me njohjen me këto informacione sekrete dhe po ashtu shpjegon procedurën se si vëzhguesi ndërkombëtar dhe KPK ishin njohur me informacionet nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Kurti pretendoi se një numër telefoni që ishte në mesazhin mes dy personave që po hetoheshin për vepra penale, nuk ishte i tij dhe se kishte 12 persona me të njëjtin emër në Shqipëri, por KPA e rrëzoi këtë duke u bazuar në deklaratat e pasurisë 2003-2006. Sipas Kolegjit, Kurti kishte deklaruar në ato deklarata këtë numër telefoni dhe se mesazhi mes dy personave ishte i lidhur me të.

Kolegji po ashtu rrëzoi pretendimet e Kurtit për shkelje të procedurës dhe mos dhënie kohe mjaftueshëm, duke arsyetuar se ai nuk kishte ankuar këtë në KPK dhe nuk ishte shprehur se i kishte munguar koha.

Në përfundim Kolegji arsyetoi në favor të shkarkimit të Kurtit vetëm për kriterin e pastërtisë së figurës, duke rrëzuar pjesët e vendimit të Komisionit mbi kriterin e pasurisë.

“Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit, në vijim të arsyetimit të trupit gjykues lidhur me shkaqet e ankimit për kriterin e kontrollit të figurës, u vërtetua se nuk ka nivel të besueshëm lidhur me këtë kriter rivlerësimi dhe, si pasojë, nuk është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, trupi gjykues çmon se, për arsye të ekonomisë gjyqësore, shqyrtimi i shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë në seancë gjyqësore publike, është i panevojshëm, pasi në çdo rast vendimi i Komisionit për shkarkimin e subjektit nga detyra do të ishte i pacenueshëm”, thuhet në vendim.