Anëtari i KPA, Ardian Hajdari (në qendër) gjatë shpalljes së një vendimi. Foto: Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji lë në fuqi ndalimin 15-vjeçar për ish-gjyqtarin Agim Bendo

Ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, Agim Bendo u ankua në KPA ndaj vendimit që i ndalon atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, por Kolegji e cilësoi të drejtë vendimin e KPK-së.

Trupi gjykues i KPA gjatë shpalljes së vendimit për ish-gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Agim Bendo. Foto: Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për përjashtimin 15-vjeçar të ish-gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Agim Bendo nga sistemi i drejtësisë.

Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ardian Hajdari në cilësinë e kryesuesit, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo vendosën ta shqyrtojnë ankimin e Bendos në seancë publike, për t’i dhënë atij të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

Ish-gjyqtari Agim Bendo nuk u paraqit në seancën e të martës. Përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Bojken Bendo tha se ankimi është kryer për arsye morale, duke argumentuar se largimi nga detyra ishte bërë për shkak të daljes në pension dhe jo për t’ju shmangur procesit të rivlerësimit.

Agim Bendo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992 dhe përgjatë dy dekadave të fundit ka punuar si gjyqtar në shkallë të parë dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës.  Në shtator 2013, Bendo ishte pjesë e trupës gjykuese që dha vendimin e diskutueshëm për çështjen e 21 Janarit, duke dënuar me vetëm 1 vit burg ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 3 vjet gardistin Agim Llupo për vrasjen e 4 protestuesve përballë Kryeministrisë.

I renditur si një ndër pesë gjyqtarët më të pasur të Apelit të Tiranës nga një studim i zhvilluar në vitin 2014 nga BIRN, Bendo u dorëhoq ndërsa ndodhej prej një viti nën hetimin administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Avokati Bendo tha se ankimi ishte ngritur për arsye morale. “Lidhur me shkakun e parë të ankimit dua të sjell në vëmendje një artikull të para pak ditëve ku citohet: ‘Iku nga frika e vetingut, rebelohet ‘sheiku’ Agim Bendo ndaj KPK’. Ai nuk ka ikur nga frika, por për shkak se doli në pension,” tha përfaqësuesi ligjor.

Ai shtoi se ish-gjyqtari kishte karrierë 43 vjeçare dhe se është e vërtetuar që e përfiton të drejtën e pensionit.

“Vërtetohet nga libreza e pensionit dhe një vëretetim i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë” tha avokati Bendo dhe shtoi se këto dokumente nuk janë dorëzuar më parë në KPK dhe KLGJ, pasi seancat janë zhvilluar pa praninë e subjektit të rivlerësimit.

Sipas tij, ish-gjyqtari Agim Bendo nuk mundej që në të njëjtën kohë të merrte pensionin dhe të gëzonte statusin e magjistratit.

“Ky ishte shkaku i largimit dhe jo për t’iu shmangur vetingut. Ankimi është kryer për moral. Ka kohë që botohen lajme të pavërteta. Duke pasur parasysh edhe karrierën e gjatë dhe korrekte si gjyqtar,” theksoi mbrojtësi i Bendos.

Gjatë seancës së të martës, kryesuesi i trupës së Kolegjit, Ardian Hajdari tha se ish-gjyqtari Agim Bendo ndodhet para ndalimit të statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes.

“Trupi gjykues çmon se vendimi i KPK-së është i drejtë, i bazuar në fakte dhe duhet të mbetet në fuqi,” tha Hajdari në fund të shpalljes së vendimit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *