Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Kolegji nisi shqyrtimin e ankimit ndaj gjyqtares Nertina Kosova

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Nertina Kosova dhe mbrojtjen e kësaj të fundit. KPA caktoi një seancë të dytë për t’i dhënë kohë Komisionerit të njihej me dokumentet e sjella nga subjekti.

Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të mërkurën ankimin e Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Nertina Kosova dhe mbrojtjen e kësaj të fundit, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.

Gjatë seancës së parë në KPA, Komisioneri Publik i kërkoi trupës gjykuese të kryejë një hetim të ri dhe të rivlerësojë pasuritë e gjyqtares dhe personave të lidhur me të. Ballhysa u shpreh se pas hetimit KPA duhet të vendoste ose për rrëzimin e vendimit të KPK-së ose për lënien e tij në fuqi.

Kosova nga ana tjetër e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik “të pabazuar në ligj dhe në prova”. Ajo paraqiti pranë Kolegjit 61 dokumente të përbërë nga 364 faqe, të cilat kërkoi të merreshin si prova, në rast se KPA vendoste nisjen e një hetimi të ri gjyqësor. Gjyqtarja edhe pse kundërshtoi pretendimet e Komisionerit kryesisht për cilësimin e të afërmve si persona të lidhur, paraqiti dokumente që sipas saj vërtetonin burimin e ligjshëm të pasurive.

Kosova është anëtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda prej korrikut 2014. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe një kohë të shkurtër në Gjykatën e Elbasanit. Ajo po ashtu ka qenë pedagoge në Universitetin e Elbasanit.

KPA caktoi një seancë të dytë më 21 qershor ora 10.00, pasi i la kohë Komisionerit Publik të njihet me provat e reja të sjella nga Kosova dhe të shprehet nëse do të kërkojë marrje të provave shtesë apo vijimin e shqyrtimit bazuar mbi provat e administruara.

Ankimi i Komisionerit Publik

Apeli i Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK për konfirmimin e Nertina Kosovës bazohet kryesisht në burimin e ligjshëm të 1 milion lekëve me të cilat ajo në vitin 2006 kishte paguar një prej kësteve për blerjen e shtëpisë.

Komisioneri shprehet në ankim se KPK nuk ka kryer një hetim të thelluar për burimin e financimit të apartamentit. Duke iu referuar faktit se ishin dy kontrata porosie të nënshkruara, Komisioneri tha se duhej hetuar për një shumë prej 1.5 milion lekësh që Kosova kishte përdorur në kontratën e parë të porosisë, e cila më pas ishte prishur. Komisioneri pretendoi se ky transaksion nuk ishte deklaruar në vitin 2005 kur edhe kishte ndodhur.

Komisioneri pretendoi se kishte një sërë mosdeklarimesh prej Kosovës, përfshi mosdeklarimin e këtyre kursimeve dhe po ashtu sipas tij KPK nuk kishte hetuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të babait të saj, që sipas Ballhysës rezultonte si personi që i kishte dhënë asaj cash dhe përmes bankës, në shumën 1 milion lekë. Ai tha se si babai i gjyqtares ashtu dhe e ëma kishin të ardhura modeste.

Po ashtu Komisioneri pretendoi se nuk ishte hetuar si duhet një hua me vlerën 7 milion lekë që babai i subjektit kishte marrë nga një i njohur. Huaja sipas Komisionerit e marrë pa interes ishte në kohën kur gjyqtarja ishte ende pjesë e trungut familjar. Ai kërkoi hetimin edhe të burimeve të ligjshme të personit që kishte dhënë huanë, duke e cilësuar atë si person tjetër i lidhur.

Komisioneri po ashtu pretendoi se nuk ishte hetuar një llogari e përbashkët bankare e babait dhe vetë gjyqtares. Ai kërkoi edhe hetimin e një transferte bankare prej më shumë se 22 mijë USD, bërë nga vëllai i gjyqtares.

Ai po ashtu pretendoi se gjyqtarja nuk kishte deklaruar një makinë që e kishte përdorur dhe që tani ishte jashtë përdorimit.

Komisioneri pretendoi se në vite nuk ishin deklaruar disa llogari bankare në emër të babait të gjyqtares. Ai tha se bazuar në këtë argumente, duke theksuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i kishte hetuar ato, kërkonte hetim të ri dhe vendim nga Kolegji.

Mbrojtja e Kosovës

Duke vënë në dukje se i cilësonte “të pa bazuara në ligj dhe të pa provuara me fakte” pretendimet e Komisionerit, gjyqtarja Kosova lexoi një mbrojtje të gjatë para KPA. Kosova i tha trupës gjykuese se apartamenti i blerë me 5 milion lekë kredi dhe 1 milion lekë kursime, ishte pasuria e saj e vetme dhe se për të ende i detyrohej bankës rreth 2.8 milion lekë.

Ajo tha se gjatë gjithë viteve që kishte punuar kishte siguruar rreth 22 milion lekë të ardhura dhe sipas saj paratë e fituara deri në vitin 2006, kishin qenë mëse të mjaftueshme për të kursyer shumën 1 milion lekë, madje sipas përllogaritjeve të shpenzimeve nga KPK edhe më shumë se aq.

Gjyqtarja u ndal të shpjegonte çdo pikë të ankimit të Komisionerit. Ajo kundërshtoi faktin se nuk kishte deklaruar kursimet në vite, duke thënë se ligji për vetëdeklarimin nuk e detyronte atë të deklaronte të ardhurat e prindërve. Kosova shpjegoi sidoqoftë se shuma prej 1 milion lekësh që ishte përdorur për të paguar këstin e parë për apartamentin ishte kursim i familjes së saj dhe përfshinte kryesisht të ardhurat nga paga e saj.

Ajo tha se ishte babai i saj që administronte paratë dhe se ajo e kishte konsideruar dorëzimin e tyre në familje si normalitet. Sipas saj këto para i ishin dhënë nga prindërit kur kishte pasur nevojë, por shpjegoi se nuk i cilësonte ato hua apo dhuratë duke qenë se ishte kontribuese në krijimin e kësaj shume.

Kosova tha se duke qenë se paratë nuk ishin hua apo dhuratë nuk e konsideronte të drejtë kërkesën që i ati të konsiderohej person i lidhur, megjithatë ajo paraqiti argumente që tregonin se familja e saj duke përfshirë kryesisht pagën e saj dhe të ardhurat e prindërve kishte qenë në gjendje të kursente paratë që ishin dashur për blerjen e apartamentit dhe se të ardhurat e tyre ishin të ligjshme e lehtësisht të provueshme.

Kosova kundërshtoi pretendimin se një person që i kishte dhënë hua babait të saj shumën prej 7 milion lekësh duhej të konsiderohej person tjetër i lidhur, duke thënë se ajo nuk kishte përfituar nga huaja, nuk kishte qenë pjesë e trungut familjar kur huaja ishte marrë dhe se nuk kishte konflikt interesi pasi nuk kishte shqyrtuar asnjë çështje të personit në fjalë.

Megjithatë për të rrëzuar dyshimin e Komisionerit se huadhënësi nuk kishte pasur burime të ligjshme ajo i vuri në dispozicion KPA një sërë kontratash porosie që ky i fundit kishte me të tretë, që provonin se ai kishte burim të ardhurash. Ajo po ashtu tha se për këto kontrata, shit-blerje apartamentesh, nuk ishin paguar ende tatimet për shkak se ato nuk kishin përfunduar. Ajo shpjegoi po ashtu përse babai kishte marrë huanë dhe si ishte përdorur ajo.

Kosova po ashtu kundërshtoi që i vëllai të trajtohej si person i lidhur megjithatë ajo dha shpjegime të detajuara të transfertave bankare në emër të tij. Përndryshe nga sa pretendoi Komisioneri, se i vëllai ishte i papunë, gjyqtarja solli dokumente se ai kishte qenë i punësuar në një kompani private, kishte një kontratë pune dhe po ashtu kishte autorizime për të vepruar  në emër të kësaj kompanie.

Ajo shpjegoi se pagesa që i vëllai kishte bërë për një kompani të huaj edhe pse në emër të tij ishte bërë për llogari të firmës ku ai punonte, por kishte qenë i detyruar ta bënte duke hapur një llogari të vetën në një rast pasi banka kishte refuzuar të pranonte autorizimin që ai kishte.

Gjyqtarja shpjegoi se llogaria ishte përdorur vetëm për këtë pagesë dhe se ishte mbyllur për shkak të mungesës së aktivitetit nga banka. Ajo solli një sërë faturash dhe një sërë lëvizjesh bankare që sipas saj provonin se i vëllai kishte kryer pagesa të ngjashme në emër të kompanisë për të cilën punonte dhe të gjitha në drejtim të të njëjtit numër llogarie dhe për të njëjtën kompani të huaj.

Sipas Kosovës kjo provonte arsyen e asaj transferte dhe faktin që i vëllai kishte qenë në marrëdhënie pune. Kosova mohoi të kishte lënë pa deklaruar llogari bankare, ajo po ashtu vuri në dukje se një sërë llogarish që pretendonte Komisioneri në fakt ishin lëvizjet e të njëjtës shumë nga një bankë në tjetrën, për të cilën tha se kishte sjellë prova.

Ngjashëm ajo mohoi të kishte poseduar ndonjëherë makinë apo edhe të kishte përdorur. Një mjet që rezultoi të ishte furgon dhe për të cilin Komisioneri pretendoi se ishin paguar siguracion në emër të saj, ishte sipas Kosovës një makinë e të atit dhe se pretendimi që ajo kishte paguar siguracionin për dy vjet ishte një gabim i AMF (Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare), ndërsa paraqiti dokumente përfshi një vërtetim të dytë nga AMF që ajo nuk kishte pasur të bënte me makinën.

Në fund ajo kërkoi që të gjitha dokumentet e paraqitura të merreshin si prova nëse KPA do të vendoste të niste hetim gjyqësore mbi ato çështje. KPA vendosi të shtynte seancën më 21 qershor, për t’i lënë kohë Komisionerit të shqyrtonte dokumentet që u paraqitën nga Kosova.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *