Nga një seancë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. KPA.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji pushon ankimin e ish-prokurorit Tom Dedaj kundër shkarkimit

Ish-prokurori Tom Dedaj kërkoi në Gjykatën Administrative të Apelit shfuqizimin e shkarkimit të tij nga KLP –ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi pushimin e çështjes.

Seanca e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ish-prokurorin Tom Dedaj. Foto nga KPA.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të pushojë çështjen lidhur me ankimin e ish-prokurorit të Peshkopisë, Tom Dedaj kundër vendimit të 28 janarit 2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për shkarkimin e tij nga detyra.

Ish-prokurori Tom Dedaj u dënua me 3 vite burg nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në korrik të vitit 2018 për “korrupsion pasiv”. Por në nëntor 2018, Apeli e lehtësoi situatën e Dedës duke ndryshuar akuzën në “moskallëzim krimi” dhe e dënoi me një vit heqje lirie, si dhe pezullimin e dënimit me vendosjen e tij në periudhë prove dy vjeçare. Dedaj u procedua nga ish-prokuroria për Krime të Rënda pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” të një rasti kur një qytetar i ofroi në zyrë 20 mijë lekë në këmbim të rikthimit të kamionit të bllokuar.

Ish-prokurori Tom Dedaj mungoi në seancën publike të zhvilluar nga KPA. Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj tha në filllim të seancës se KPA është vënë në lëvizje nga një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit i tetorit 2019 që ka vendosur “shpalljen e moskompetencës funksionale…” dhe dërgimin e akteve në institucionin më të lartë të rivlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve.

Dedaj kishte kërkuar në gjykatën Administrative shfuqizimin e vendimit të KLP për shkarkimin e tij si edhe rikthimin në detyrën e mëparshme. Gjithashtu, ai kishte kërkuar pezullimin e vendimit të KLP deri në përfundimin e gjykimit të çështjes së tij.

Kolegji vendosi pushimin e çështjes bazuar në nenin 31/b, paragrafi i parë, i ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni i mësipërm parashikon se Gjykata Kushtetuese vendos pushimin e gjykimit në rast se kërkuesi mund të heqë dorë përpara fillimit të shqyrtimit të saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *