Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji rrëzoi ankesat e Trenovës për “shantazh psikologjik dhe kurthe” nga KPK

Ish-prokurori i Apelit, Gentian Trenova kundërshtoi vendimin e KPK-së përmes një duzinë ankesash në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, mes të cilave verifikimin e gjyqtarit Hamitaj apo opinionet e vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs. KPA i rrëzoi pretendimet si të pabaza dhe vulosi shkarkimin e tij.   

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçem të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Pretendimet dhe akuzat e prokurorit Gentian Trenova për shantazh psikologjik, mosrespektim të procedurave dhe tejkalim të kompetencave nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk e bindën Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili më 19 nëntor 2018 vendosi të lërë në fuqi shkarkimin e tij.

Prokurori i Apelit të Tiranës, i cili ishte njëherazi kandidat për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi u shkarkua nga KPK për probleme me pasurinë dhe aftësinë profesionale.

Në ankimin e tij në shkallën e dytë të vetingut, Trenova parashtroi një duzinë pretendimesh dhe kërkesash, mes të cilave edhe pavlefshmërinë e emërimit në detyrë të Lulzim Hamitajt, i cili kryesoi procesin e tij të rivlerësimit. Duke marrë shkas nga raportimet mediatike, Trenova i kërkoi pesëshes gjykuese në KPA që të verifikonte kushtet e emërimit në detyrë të Hamitajt.

Por në vendim e zbardhur të KPA, trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama, Natasha Mulaj, Ardian Hajdari, Albana Shtylla dhe Luan Daci argumenton se nuk ka kompetencë për të konstatuar pavlefshmërinë e emërimit në detyrë të një anëtari të institucioneve të rivlerësimit.

Trenova e quajti vendimin e KPK-së të kundraligjshëm, duke pretenduar se subjekti i rivlerësimit mund të shkarkohet nëse plotësohen në mënyrë kumulative dy kritere; pamjaftueshmëri në kontrollin e figurës dhe atë të pasurisë. Por Kolegji vlerëson se për shkarkimin nga detyra nuk është e nevojshme që pamjaftueshmëritë të jenë në të dy kriteret.

Ndërsa lidhur me pretendimin se KPK i ka atrubuar vetes kompetenca që i përkasin institucioneve të tjera lidhur me pastërtinë e figurës dhe etikën e magjistratit, KPA vlerëson gjithashtu se Komisioni ka të drejtë të bëjë vlerësimin e tij në lidhje me provat e gjendura në dosje.

Trenova është ankuar në KPA edhe për ndërhyrjet dhe opinonet e vëzhguesit të ONM-së në seancën dëgjimore të 14 qershorit 2018 si dhe për faktin që ndërhyrjet e tij kanë ndikuar në vendimarrje. Vëzhguesi ndërkombëtar në seancën dëgjimore të Trenovës ka qenë Theo Jacobs, i cili e cilësoi pasurinë e prokurorit si të mbuluar me shumë re.

“Unë jam nga Belgjika dhe nga anët tona nuk mbahen dy gjëra. Ju duhet të zgjidhni,  ose keni bërë kontratë të fshehtë ose keni bërë një kontratë të rreme. Dhe kjo tregon se ligjshmëria dhe kredibiliteti juaj është i ulët,” tha asokohe në seancë Jacobs, duke nxjerrë në pah vlerat e ndryshme në kontratë dhe në deklaratën e pasurisë për blerjen e një apartamenti.

Por Kolegji i Posaçëm i Apelimit argumenton se Kushtetuta nuk ka parashikuar ndalime për paraqitjen e mendimeve nga vëzhguesi ndërkombëtar.

“Në çdo rast vëzhguesit ndërkombëtarë janë të pranishëm, por asnjëherë ata nuk ndikojnë në vendimmarrje,” thuhet në vendimin e KPA.

Trupa gjykuese e KPA ka hedhur poshtë si të pabazë edhe pretendimin e Trenovës se hetimi administrativ i ka krijuar situata shantazhi dhe kurthesh.

“I gjithë hetimi administrativ, mënyra e ndërtimit të pyetjeve, oraret e dërgimit të pyetjeve, jashtë orarit zyrtar në disa raste, koha e shkurtër e lënë në dispozicion për të paraqitur prova…tregojnë qartë se qëllimi i organit të veting-ut nuk ka qenë sqarimi i rrethanave të paqarta, por krijimi i një situate stresi, shqetësimi të vazhdueshëm, presioni, shantazhi psikologjik, si dhe për të krijuar kurthe për të vendosur subjektin e rivlerësimit në gabim njerëzor për ta përdorur më pas kundër tij,”ankohet Trenova.

Por, Kolegji e ka vlerësuar këtë pretendim si të përgjithshëm dhe ka shtuar se pavarësisht se komisioni e ka njoftuar të ushtrojë gjithë të drejtat, prokurori Trenova nuk ka paraqitur më parë asnjë kërkesë apo vërejtje lidhur me momente proceduriale në fazën e hetimit administrativ.

Trupa gjykuese e Kolegjit ka rrëzuar edhe ankesat dhe pretendimet e tjera të Trenovës, mes të cilave edhe analizën financiare, prej nga ka rezultuar që ai të ketë pasur mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë në vlerën 4.4 milionë lekësh.

Problemet me pasurinë

Njësoj si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit e vendosi theksin tek një apartament me sipërfaqe banimi 50 metra katrorë, për të cilin ekzistojnë dy kontrata shitjeje; njëra me vlerë 40 mijë euro dhe tjetra 1.9 milionë lekë.

Apartamenti ka ndryshuar pronësi në muajin nëntor të vitit 2012, kur prokurori Trenova ia ka dhuruar atë prindërve të bashkëshortes së tij. Kontrata e shitjes me rezervë tregon se vlera e apartamentit është 40.000 euro dhe është likuiduar me dy këste. Në fillim janë likuiduar 12.000 euro përpara nënshkrimit të kësaj kontrate dhe pjesa tjetër prej 28.000 euro do të likuidohej nga prokurori Trenova tek shitësit, në momentin e marrjes së një kredie bankare pranë “Alpha Bank”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kredia prej 28 mijë euro ka shërbyer për blerjen e këtij apartamenti. Ndërkohë, Kolegji ka vlerësuar pamjaftueshmërinë e burimeve financiare të ligjshme të prokurorit Trenova dhe personave të lidhur, për të blerë këtë apartament me çmimin 40.000 euro të specifikuar në “Kontratë Shitje me Rezervë”, pasi rezultatet e analizës financiare kanë treguar se nuk kanë pasur burime financiare të mjaftueshme, të ligjshme për të justifikuar rritjen e aseteve dhe shpenzimet për vitin 2007.

Trupi gjykues i KPA ka çmuar se kontrata e datës 27 qershor 2007 për të njëjtin apartament me vlerë 1.900.000 lekë është përdorur nga Trenova për të fshehur burimin e krijimit të kësaj pasurie. Kolegji e vlerëson si një kontratë shitjeje fiktive, pasi është lidhur pas kontratës së shitjes me rezervë, ku kjo e fundit i kishte sjellë tashmë të gjitha pasojat juridike, pasi pagesa e çmimit ishte kryer plotësisht. KPA ka rrëzuar kështu pretendimet dhe argumentet e prokurorit Trenova të parashtruara në ankim se çmimi me të cilin është shitur përfundimisht apartamenti është 1.9 milionë lekë.

Edhe lidhur më shtesën 62 m2 mbi apartament, për të cilën Trenova pretendon se ajo është bërë nga ana e shtetasve L.P. dhe H.P., dhe se shpenzimet janë krijuar nga të ardhurat nga kursimet e tyre, trupi gjykues ka vlerësuar se subjekti i rivlerësimit ka fshehur pasurinë në përdorim që në momentin e krijimit të saj.

Në përfundim Kolegji ka konkluduar se prokurori Trenova ka kryer fshehje të pasurisë së paluajtshme, në përdorim (të ndërtimit shtesë kati, e përshtatur si njësi banimi e integruar), ka kryer deklarim të rremë lidhur me përdorimin e burimeve të ligjshme për realizmin e ndërtimit të shtesës së katit, ka ndërmarrë veprime juridike fiktive, lidhur me dhurimin me kusht të apartamentit me sipërfaqe 50 m² me qëllim dhënien e imazhit të rremë të zhveshjes nga pronësia e për pasojë, shkarkimin nga përgjegjësia përkatëse për veprimet e mëtejshme. Sipas KPA-së, nga provat dhe faktet rezulton se Trenova ka qenë dhe vijon të jetë i vetmi posedues efektiv në këtë pasuri. Trupa gjykuese ka çmuar se këto veprime cënojnë pastërtinë e figurës dhe etikës së magjistratit.

Aftësitë profesionale

Përveç problemeve me pasurinë, në vendimin e zbardhur të KPA ngrihen dyshime edhe për hetimet e kryera nga Trenova për një rast të hetimit pasuror dhe një çështje korrupsioni me një prokuror të dyshuar.

Për rastin e parë, Kolegji ka vlerësuar se ai nuk ka kryer verifikim të plotë të pasurive, aseteve dhe likuiditeteve në bankë të një shtetasi që procedohej për hetim pasuror.

“Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në kuadër të aspektit të njohurive ligjore, nuk ka ndërmarrë hapat e duhur apo të nevojshëm për të kryer një hetim objektiv”, citohet në vendimin e KPA, duke e vlerësuar të drejtë vendimin e KPK kur kjo e fundit konkludon se nga ana e subjektit të rivlerësimit nuk është ndërmarrë logjikisht hetimi, sipas kërkesave ligjore.

Edhe lidhur me çështjen tjetër, për të cilën është regjistruar procedimi penal për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, pa autor të identifikuar, KPA e ka vlerësuar se prokurori Trenova e ka pushuar çështjen pa kryer një hetim të plotë.  Sipas trupës gjykuese, pavarësisht se gjatë përgjimeve ka rezultuar se një person i proceduar i ka thënë dikujt tjetër se i kishte dhënë një prokurori 4500 euro në dorë, nuk është kryer pyetja e prokurorit A.K. të dyshuar për korrupsion pasiv apo të kryhej ballafaqimi i tij me personin që ishte proceduar se dyshohej të kishte dhënë ryshfet. Edhe në këtë rast, trupa gjykuese e Kolegjit e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e KPK që ka konstatuar se prokurori Trenova nuk ka kryer një hetim plotë dhe nuk kishte mbledhur të gjitha provat e kërkuara për qartësimin e rrethanave të aktit korruptiv.

Në vendimin e KPA thuhet se pasi trupi gjykues analizoi çështjen në tërësi dhe shkaqet e ankimit, ka arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Gentian Trenova: “ka fshehur dhe ka bërë deklarim të rremë për pasuritë; ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale dhe se ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Në këto kushte, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *