Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPA Në Fokus

Kolegji rrëzoi konfliktin e interesit, por la në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Roland Jaupaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi disa nga gjetjet e KPK ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj por la në fuqi vendimin për shkarkim për mosjustifikim të pasurisë, ndërsa në vendim orientohet KPK për “të gjetur” pasurinë e fshehur.

Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ish-gjyqtarin Roland Jaupaj, ndërsa i ka dhënë këtij të fundit të drejtë në disa prej pikave të ankimit, vë në dukje se këto ishin përfitime nga gabimet në referime ligjore dhe nga arsyetimi jo i saktë i Komisionit i Pavarur i Kualifikimit.

KPA e rrëzoi Komisionin në arsyetimin e këtij të fundit se Jaupaj kishte qenë në konflikt interesi pasi kishte vendosur në favor të një kompanie që i kishte shitur me çmim preferencial një apartament babait të tij një vit më vonë.  Kolegji thotë se referenca ligjore në këtë rast ishte e gabuar dhe se KPK do duhej të kishte dalë në përfundimin se Jaupaj kishte shkelur etikën magjistratit dhe duhej të ishte penalizuar për këtë.

Në lidhje me të njëjtin apartament, Kolegji ndërsa lehtëson prindërit e Jaupajt nga të qenët persona të lidhur edhe pse kjo nuk del të kërkohej në ankim dhe shprehet se KPK duhej të kishte hetuar mundësinë e një pasurie të fshehur.

Megjithatë, Kolegji një trupë e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtar, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, vendosi në favor të shkarkimit duke arritur në të njëjtin përfundim si Komisioni mbi pasuritë e gjyqtarit dhe duke arsyetuar se deklarimi i tij ishte i pamjaftueshëm dhe i pasaktë.

KPK vendosi më 28 maj 2019, të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Roland Jaupaj pasi u evidentuan probleme në kriterin e pasurisë dhe sipas Komisionit një rast i konfliktit të interesit.

Arsyetimi mbi apartamentin 170 m2

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arsyetoi në vendimin se përdorimi i padeklaruar prej Jaupajt i një apartamenti në pronësi të prindërve ishte problemi kryesor i pasurisë së tij. KPK doli në disa përfundime mbi këtë apartament, përfshirë faktin se Jaupaj ishte në konflikt interesi dhe prindërit e tij si persona të lidhur nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të blerë apartamentin.

Jaupaj, që sipas KPK një vit para se babai i tij të blinte me çmim preferencial apartamentin, kishte dhënë një vendim në favor të kompanisë shitëse, kundërshtoi në KPA këtë arsyetim duke argumentuar se ligji në të cilin KPK bazohej ishte miratuar më vonë.

Kolegji siç del nga vendimi i arsyetuar i ka dhënë të drejtë ish-gjyqtarit në pretendimet mbi këto qëndrime të Komisonit, duke vënë në dukje se dispozita ligjore që KPK kishte përdorur nuk ishte e duhura. “Identifikimi i gabuar i dispozitës ligjore, i cili nuk mbështetet në ligjin e kohës të zbatueshëm në rastin konkret, e bën të gabuar konkluzionin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka përfituar trajtim preferencial, për pasojë ky konkluzion është i pabazuar në ligj”, thuhet në vendimin e KPA.

Por Kolegji arsyeton se kjo është vetëm një shkarje e KPK-së, pasi nëse Komisioni do të kishte identifikuar dispozitën e duhur ligjore, Jaupaj duhej të ishte ngarkuar me përgjegjësi për cënimin e besimit të publikut te drejtësia përmes sjelljes së tij.

“Pavarësisht konkluzionit lidhur me mungesën e kushteve për të pasur një trajtim preferencial sipas legjislacionit të kohës, rrethanat faktike të provuara gjatë hetimit administrativ, do të duhej t’i kishte kualifikuar, brenda qëllimit dhe objektit të procesit të rivlerësimit, në përputhje me përgjegjësinë e gjyqtarëve që dhe në jetën e përditshme të jenë të vëmendshëm për të mos cenuar autoritetin e pushtetit gjyqësor e besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendim.

KPA po ashtu ka rrëzuar vendimin e Komisionit se prindërit duhej të cilësoheshin persona të lidhur. Në arsyetim Kolegji shprehet se bashkëjetesa mes Jaupajt dhe prindërve nuk ishte fakt i mjaftueshëm për këtë, pavarësisht se ish-gjyqtari nuk ka kundërshtuar këtë arsyetim.

“Referuar interpretimit të mësipërm, trupi gjykues vlerëson se vetëm fakti që subjekti i rivlerësimit edhe pse ka krijuar familjen e tij vazhdon të jetojë ende me prindërit dhe për këtë arsye është duke i përdorur pasuritë e tyre, nuk mjafton për të provuar se subjekti i rivlerësimit dhe prindërit e tij janë në një marrëdhënie interesi pasuror”, thuhet në vendim.

Jaupaj sipas Kolegjit ka pretenduar vetëm që të ardhurat e prindërve ishin të ligjshme, duke u bazuar ndër të tjera edhe te kursimet para viteve 90’. KPA që ka bërë analizën për shkak të ankimit të Jaupaj, e ka rrëzuar atë duke arsyetuar se kriza financiare që kaloi vendi para vitit 1992 i bënte të pavlefshme këto kursime.

“Për shkak të krizës drastike financiare që kaloi vendi atë vit për shkak të ndryshimeve të natyrës politike, janë të papërfillshme për shkak të inflacionit deri në 400 për qind (%) që kaloi ekonomia shqiptare”, thuhet në vendim, që e cilëson pretendimin e Jaupajt të pabesueshëm.

Nisur nga ky arsyetim Kolegji thotë se Komisioni sërish kishte bërë vlerësim të gabuar të rastit dhe se në një vlerësim të drejtë dhe pas një hetimi do duhej të ishte shprehur për mundësinë që apartamenti 170 metra ishte në fakt pasuri e fshehur e vetë gjyqtarit.

Duke renditur provat e mbledhura nga KPK; si blerjen me çmim më të ulët të apartamentit nga babai i subjektit, dy vitet e posedimit të këtyre pasurive pa akt formal dhe pa pagesë, qenien e Jaupuajt anëtar i trupit gjykues në çështje gjyqësore ku përfshihej godina në të cilën është apartamenti dhe garazhi dhe përdorimi prej tij i këtij apartamenti që prej fillimit, mungesën e burimeve financiare të prindërve, Kolegji arsyeton se mund të bëhej fjalë për pasuri të fshehur.

“Në këto kushte, Komisioni nëse do të kishte kryer një hetim të plotë të situatës faktike dhe nëse do ta kishte interpretuar atë drejt në raport me legjislacionin e zbatueshëm, do duhej të vlerësonte nëse do të ishin kushtet për të arritur në një konkluzion në kuadër të nenit D, pika 5 e Aneksit të Kushtetutës, në drejtim të tentativës për të fshehur pasuritë, duke qenë se konflikti i interesit nuk ekzistonte”, thuhet në vendim.

KPA thotë se vetëm në këtë mënyrë “Komisioni do të kishte arritur në një përfundim të drejtë”, mbi këtë pasuri.

Pjesët e ankimit që u rrëzuan

Por ndërsa i dha të drejtë në lidhje me këto pjesë të vendimit Kolegji rrëzoi kërkesat e tjera të ish-gjyqtarit përfshi kërkimit në kriterin e rivlerësimit të pasurisë.

Kolegji rrëzoi pretendimet e Jaupajt se KPK kishte publikuar në faqen zyrtare dy vendime për çështjen e tij dhe se vendimet ishin të ndryshme. “Në shqyrtim të këtyre pretendimeve, trupi gjykues, nga verifikimi i përmbajtjes së vendimit të publikuar në faqen zyrtare në internet të Komisionit, me datë publikimi 01.07.2019, dhe përmbajtjes së vendimit që gjendet në dosjen e përcjellë nga Komisioni në Kolegj, për efekt të shqyrtimit të ankimit të subjektit të rivlerësimit, konstaton se përmbajtja e tyre është e njëjtë”, shprehet Kolegji në vendim.

KPA arsyeton se publikimi i disa të dhënave personale në faqen e KPK nuk është problem i Komisionit por administrativ. Po ashtu Kolegji i ka vënë në dukje Jaupajt se vendimet e publikuara në faqe nuk janë komunikime zyrtare, pasi vendimin ai e ka marrë të plotë me postë.

“Publikimi i vendimit në faqen zyrtare në internet i shërben njohjes së publikut me vendimmarrjen e Komisionit për një subjekt rivlerësimi, në funksion të realizimit të qëllimit të shpallur në pikën 1 të nenit 179/b të Kushtetutës, që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi”, shprehet KPA.

Kolegji ka refuzuar kërkesën e Jaupajt të thërriteshin dëshmitarë anëtarët e trupës që e kishin gjykyar atë në KPK, ndërsa ka arsyetuar se vetë Jaupaj nuk kishte pasur asnjë kundërshtim me këtë trupë dhe ishte shprehur me superlativa për të gjatë gjykimit.

KPA po ashtu rrëzoi pretendimet e Jaupajt për të krahasuar çështje të ndryshme të Komisionit, duke u shprehur se nuk ishte në juridiksionin e saj të bënte krahasime të kësaj natyre edhe kur çështjet ishin të ngjashme.

Më tej KPA arsyeton se vlerësimi i KPK mbi pasurinë e Jaupajt dhe bashkëshortes ishte i drejtë dhe se në tërësi vendimi i shkarkimit qëndronte.

“Trupi gjykues i Kolegjit, pasi shqyrtoi pretendimet e subjektit të rivlerësimit të parashtruara në shkaqet e ankimit, parashtrimet e paraqitura prej tij me shkrim 5 ditë para zhvillimit të seancës gjyqësore në dhomë këshillimi, si dhe të gjitha provat e aktet e administruara nga Komisioni gjatë hetimit administrativ për këtë çështje, arriti në përfundimin se vendimi nr. 150, datë 28.05.2019, i Komisionit është i drejtë, bazuar në konkluzionet si vijojnë, në lidhje me kriterin e vlerësimit të pasurisë”, thuhet në vendim.

Kolegji thotë se Jaupaj kishte mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e një depozite 3 mijë euro, kishte mungesë burimesh të ligjshme për likuiditetet e vitit 2008, kishte deklaruar në mënyrë të pasaktë përdorimin e apartamentit me sipërfaqe 170 m2 dhe bodrum me sipërfaqe 22 m2, deklarim të pasaktë të depozitave të bashkëshortes dhe mungesë burimesh të kësaj të fundit për krijimin e depozitave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *