Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, Donika Prela në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto :LSA
Analiza KPA Në Fokus

Kolegji rrëzoi KPK-në: Donika Prela kishte mungesë burimesh dhe fshehu pasurinë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerësoi se ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda nuk provoi burimin e një apartamenti në Tiranë dhe të një depozite 4.5 milionë lekë të krijuar nga vlera e shitjes së një apartamenti në Durrës – të blerë në të njëjtin vit gati tri herë më pak. Mosdeklarimi i një huaje 25 mijë euro që bashkëshorti i kishte dhënë punëdhënësit u konsiderua si fshehje. 

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, Donika Prela në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të padrejtë dhe të pabazuar në ligj e në prova vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të ish-drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela dhe vendosi më 25 korrik ta shkarkojë atë për mungesë burimesh financiare dhe fshehje pasurie.

Kolegji i ka vlerësuar të drejta një pjesë të shkaqeve të ankimit të ngritura nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili ndryshe nga KPK konstatoi se Prela, edhe pas kalimit të barrës së provës për disa gjetje në kriterin e pasurisë, nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e rezultateve të hetimit.

Komisioneri Publik, konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 95.6 m2 të porositur në 2007-ën kundrejt vlerës 32 mijë euro dhe të marrë në dorëzim nga bashkëshortët Prela me anë të kontratës së shit-blerjes së vitit 2012. Ballhysa i kërkoi Kolegjit që në analizën financiare të konsideroheshin vetëm ato të ardhura për të cilat provohej burimi i ligjshëm, deklarimi i saktë dhe pagesa e detyrimeve tatimore.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Prela ka pasqyruar në deklaratën veting të ardhurat e përbashkëta nga puna e saj si prokurore dhe puna e bashkëshortit në një shoqëri ndërtimi në vitet 2006 dhe 2007, si dhe një hua në vlerën 15 mijë euro. Ajo ka shpjeguar se huanë e ka shlyer gjatë viteve 2008 dhe 2009 me të ardhura nga puna e saj dhe e bashkëshortit gjatë këtyre dy viteve. Si provë për të ardhurat e bashkëshortit ka dorëzuar listpagesat e shoqërisë së ndërtimit, për periudhën 2006-2008, ku shënohej se kishte përfituar pagën 50 mijë lekë në muaj.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren se, paga e vitit 2006 është paguar cash pranë arkës së shoqërisë, ndërsa për periudhën 2007-2008, për secilin vit, janë paguar 248 mijë lekë lekë nëpërmjet bankës dhe 351 mijë lekë cash. Sipas KPA, rezulton se edhe tatimi i paguar për këto paga është i pjesshëm, vetëm për pjesën e deklaruar në institucionet shtetërore, ndërsa pjesa e pagës cash ka rezultuar e patatuar.

Prela ka pretenduar se ka qenë detyrim i punëdhënësve të kryenin pagesat për detyrimet tatimore. Ajo ka shpjeguar se në muajin korrik 2018, bashkëshorti i saj ka ardhur në dijeni të faktit të mospagimit të kontributeve dhe ka paditur shoqërinë për ta detyruar të kryente pagesat përkatëse.

Ndryshe nga KPK që ka vlerësuar se subjekti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për mospagesat e detyrimeve përkatëse pasi kanë qenë detyrim i punëdhënësit, Kolegji konkludon se bashkëshorti i Prelës ka pasur dijeni për mospagimin e detyrimeve.

“Diferencat në vlerën mes pagës mujore të kaluar nga shoqëria përmes llogarisë bankare dhe pjesës së tërhequr cash janë rrethana të mjaftueshme për të sjellë në dijeninë e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit se një pjesë e pagës i nënshtrohet pagesës së taksave dhe pjesa tjetër jo”, evidenton Kolegji.

Trupi gjykues i Kolegjjt shkon më tej në argumentimin e tij, duke evidentuar se bashkëshorti i Prelës ka qenë në dijeni që punëdhënësi po kryente veprime në kundërshtim me ligjin për shmangien e detyrimeve tatimore ndaj institucioneve shtetërore.

“[…] Është dakordësuar me këtë praktikë të tij duke e miratuar dhe firmosur pagën e pjesshme në borderotë e shoqërisë, veprim i cili ka sjellë shmangien e tatimeve të gjysmës së pagës, për shkak të interesit të ndërsjellë”, konkludon trupi gjykues.

Sipas Kolegjit, edhe pse bashkëshorti i subjektit ka qenë në dijeni të mospagesës së detyrimeve, nuk ka kryer asnjë përpjekje në kohë reale për shlyerjen e tyre.

Nga analiza financiare ku janë përfshirë vetëm të ardhurat nga pagat e bashkëshortit për të cilat janë paguar detyrimet, ka rezultuar pamundësi për të kursyer vlerat e deklaruara si burim për pagesën e këstit të parë dhe të dytë në vitin 2007.

Lidhur me huan, KPA vlerëson se deklarta noteriale e huadhënësit është konceptuar në favor të deklarimeve të subjektit dhe se nuk mbështetet në provat e tjera të administruara në procesin e rivlerësimit. Gjithashtu, nga analiza financiare ka rezultuar se huadhënësi Gj.P. nuk ka pasur mundësi financiare për dhënien e shumës 15 mijë euro.

Ndryshe nga Komisioneri që në analizë ka përfshirë mundësinë e shlyerjes së kësaj huaje në vitet 2008 dhe 2009, Kolegji vlerëson se nuk mund të rëndohet subjekti i rivlerësimit edhe me shpenzime për shlyerjen e një huaje e cila i konsiderohet si e pamundur për t’u përdorur.

Kolegji konkludon se ish-prokurorja Prela ka pasur mungesë të burimeve financiare të ligjshëm edhe për të justifikuar likuiditetin në shumën 4.5 milionë lekë, vlerë për të cilën ajo ka deklaruar se e ka përfituar nga shitja e një apartamenti në Durrës në dhjetor të vitit 2014 për çmimin 4 milionë lekë, pasuri qëne kishte blerë kundrejt vlerës 1.4 milion lekë, po atë vit.

Lidhur me çmimin e blerjes së apartamentit në Durrës, Prela ka pretenduar se është përcaktuar me marrëveshje verbale mes palëve si pagesë për punën e kryer deri në momentin e largimit nga puna të bashkëshortit në vitin 2011, krahas pagës neto të përfituar. Ajo ka këmbëngulur se ky nuk është çmim preferencial, por pagesë për punën e kryer.

Kolegji, duke ju referuar praktikave të mëparshme, konkludon se, kostoja e ndërtimit të apartamentit është më e lartë se çmimi që ka deklaruar Prela. Gjithashtu, Kolegji e ka gjetur të drejtë konstatimin e Komisionerit se Prela nuk ka pasur mundësi financiare për të blerë këtë apartament, pasi shtesat e cash-it të deklaruara në vitet 2010 dhe 2011 janë konsideruar të pajustifikuara me të ardhura të ligjshme.

Komisioneri Publik ka parashtruar në ankim se bashkëshortët Prela nuk kanë pasqyruar një marrëdhënie huaje në shumën totale prej 25 mijë eurosh në vitin 2011. Po ashtu, nuk është deklaruar edhe kthimi i kësaj shume në vitin 2014. Kjo hua që bashkëshorti i Prelës i ka dhënë punëdhënësit të tij, është identifikuar nga ILDKPKI gjatë ushtrimit të kontrollit të pasurisë së ish-prokurores, për efekt të procesit të rivlerësimit.

Prela ka shpjeguar se bashkëshorti e ka dhënë këtë hua duke vepruar si përfaqësues me prokurë i kushëririt të tij A.P. Ajo ka deklaruar se për shkak të marrëdhënies së posaçme mes bashkëshortit të saj dhe punëdhënësit, kanë biseduar që djali i xhaxhait të bashkëshortit t’i jepte atij hua në shumën 25 mijë euro.

KPK e ka pranuar shpjegimin e dhënë nga Prela se bashkëshorti vetëm sa kishte përfaqësuar kushëririn e tij në dhënien e huasë.  Sipas Komisionit, huadhënia nuk është deklaruar, pasi nuk ka qenë pjesë e të ardhurave të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj, duke mos i gjetur penalizuese këto mosdeklarime.

Ndërsa trupi gjykues i Kolegjit vëren mospërputhje të detyrave të përcaktuara në prokurën e posaçme për bashkëshortin e Prelës me deklarimet e personave të përfshirë në këtë marrdhënie huaje dhe faktet e evidentuara gjatë hetimit administrativ.

Në vendimin e KPA thuhet se në asnjë moment nuk ka rezultur që palët të kenë deklaruar se bashkëshorti i Prelës në cilësinë e huadhënësit po vepronte në emër të kushëririt të tij A.P., ashtu si ishte përcaktuar në prokurorë.

Gjithashtu, kushëriri A.P. ka deklaruar se vlera 25 mijë euro i është kthyer së bashku me interesat nga punëdhënësi i bashkëshortit të Prelës. Ndërsa një pjesë të vlerës së kredisë që huamarrësi R.N. ka marrë për të shlyer borxhin e ka tërhequr bashkëshorti i Prelës në vitin 2014. Ndërkohë në deklaratën veting nuk janë deklaruar marrëdhënia e huasë dhe prokura e posaçme e vitit 2011.

Kolegji evidenton se Komisioni ka gabuar në një prej paragrafëve të vendimit ku shprehet se: “Këto veprime, z. V.P. i ka kryer me prokurën e posaçme të datës 15.07.2011, të deklaruar në DPV përkatës [..]”.

Trupi gjykues i KPA çmon se Prela ka pasur detyrimin ta deklarojë këtë transkasion, pavarësisht pretendimeve të saj se nuk është pasqyruar pasi nuk i përkiste asaj dhe bashkëshortit.

Në përfundim, Kolegji arrin në konkluzionin se kjo shumë është pasuri e subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të. “Për këtë pasuri, rezultoi se ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar krijimin e saj dhe është kryer fshehje pasurie…”, konkludon Kolegji.

Gjithashtu, nuk është deklaruar edhe një transaksion bankar cash në shumën 1 milion e 755 mijë lekë kryer në prill të vitit 2013 nga bashkëshorti i Prelës në favor ZVRPP Durrës. Duke ju referuar dokumenteve të administruara, Kolegji vëren se ka rezultuar që burim i të ardhurave të deklaruara për efekt të transaksionit është shënuar “shitja e apartamenteve” dhe se qëllimi ka qenë regjistrimi përfundimtar i ndërtimeve të reja të firmës ku ka punuar më parë bashkëshorti i subjektit.

Komisioneri Publik ka evidentuar se bashkëshorti i Prelës i kishte ndëprerë marrëdhëniet e punësimit me kompaninë për të cilën është kryer pagesa që prej nëntorit të vitit 2011 dhe se në vitin 2013 kur është kryer transaksioni, ai punonte në bashkinë e Tiranës. Ballhysa ka pretenduar se nuk provohet lidhja, shkaku ligjor dhe qëllimi i kryerjes së transaksionit nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit.

Prela ka deklaruar se arrihet të provohet lidhja dhe shkaku ligjor i pagesës, pasi kryerja e pagesës ishte bërë pikërisht për objektin për të cilin ai kishte interes të ligjshëm, përfitimin e apartamentit sipas marrëveshjes verbale midis palëve. Ajo ka pretenduar, se pikërisht kjo pagesë e kryer në favor të ZVRPP Durrës, nga të ardhurat e kompanisë ku ai kishte punuar, është një tregues tjetër që bashkëshorti ka vazhduar komunikimin dhe kryerjen e punëve të ndryshme për llogari të kësaj shoqërie ndërtuese.

Kolegji vlerëson se nga dokumentacioni i administruar, rezulton se qëllimi i transaksionit ka qenë regjistrimi përfundimtar i ndërtimeve të reja të shoqërisë për 195 njësi dhe e vlerëson të pabazuar këtë shkak të Komisionerit.

Kolegji i ka vlerësuar të pabazuara edhe pretendimet e Komisionerit për profesionalizmin. Ndryshe nga Ballhysa që ka konstatuar se Prela ka kërkuar masë sigurie të ndryshme për dy të pandehur të akuzuar për të njëjtën vepër penale, Kolegji vlerëson se kërkesa e prokurorit diktohet nga rrethanat e secilës çështje dhe se jo gjithmonë mund të mbahet i njëjti qëndrim.

Dy kërkesat e Prelës për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues, Ina Rama dhe Natasha Mulaj, u konsideruan nga Komisioneri si përpjekje e subjektit për të vonuar procesin e saj të rivlerësimit.

Por, Kolegji vlerëson se argumentet e Komisionerit lidhur me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit gjatë procesit gjyqësor, nuk gjejnë vend për t’u trajtuar në kuadrin e vlerësimit të përgjithshëm.

“Kërkesat e subjektit të rivlerësimit, në kuadër të përmbushjes së të drejtave për një proces të rregullt ligjor, të bazuara në nenin 27, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, nuk u konsideruan si mungesë bashkëpunimi, pasi subjekti i rivlerësimit paraqiti dy kërkesa për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues, të cilat u shqyrtuan rregullisht nga dy trupa të tjerë gjykues”, konkludon Kolegji.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo anëtarë vendosën ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të ish-prokurores Donika Prela.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *