Gjyqtari Hysni Demiraj pas shpalljes së vendimit të KPK-së. Foto:BIRN
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji rrëzon ankimin e gjyqtarit Hysni Demiraj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, pasi u konstatua në  konflikt interesi.

Gjyqtari Hysni Demiraj pas shpalljes së vendimit të KPK-së. Foto:BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj.

Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore dhe Albana Shtylla, Luan Daci e Sokol Çomo anëtarë, shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e kryer nga Demiraj dhe e rrëzoi atë unanimisht.

Ish-kreu i Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj u gjet nga KPK në dy raste të konfliktit të interesit. Demiraj u penalizua për mos heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështje me palë përfaqësues të kompanisë ku ai kishte blerë shtëpi dhe të një çështje tjetër ndaj njërit prej gardistëve të akuzuar për vrasjet e 21 janarit, me të cilin rezultoi të kishte pasur njohje.

KPK arsyeton se Demiraj ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se rezulton i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale, si edhe nga vlerësimi tërësor. Në vendimin e Komisionit citohet se ai kishte cënuar paanësinë dhe besimin e publikut te drejtësia.

Më datë 15 shkurt 2019 Komisioni vendosi shkarkimin e demirajt nga detyra.

Hysni Demiraj e ka filluar karrierën në fillim të viteve ’90 si hetues dhe më pas si prokuror në Tropojë. Në mesin e viteve ’90 ëshë emëruar gjyqtar në Gjirokastër, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2009, kur u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *