Kolegji rrëzon ankimin e ish-gjyqtarit Luan Dervishi

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi unanimisht të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Luan Dervishi për fshehje pasurie dhe mungesë profesionalizmi.

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi dhe avokati Ardian Visha gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten rrëzimin e ankimit të kryer nga gjyqtari i Apelit Shkodër, Luan Dervishi ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi e shqyrtuan ankimin në dhomë këshillimi, vendosën në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të KPK për ish-gjyqtarin Luan Dervishi, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Luan Dervishi u shkarkua nga detyra më 26 nëntor 2018, pasi u identifikuan probleme të shumta në deklarimet e pasurive dhe mungesë profesionalizmi. Nga hetimi administrativ u konkluduan deklarime të pasakta; fshehje e pasurive dhe mungesë e burimeve të ligjshme për justifikimin e tyre; deklarime të rreme e konflikt interesi.