Nga një seancë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA
KPA Lajme Vendi

Kolegji rrëzon KPK, rikthen për rivlerësim në dy kritere prokuroren Irma Balli

KPA rrëzoi vendimin e Komisionit bazuar në kriterin e pasurisë dhe gjeti se prokurorja Irma Balli justifikonte pasurinë e saj. Kolegji urdhëroi KPK të kryej rivlerësimin në kriteret e profesionalizmit dhe figurës.

Nga seanca e prokurores Irma Balli në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit prishi të martën vendimin e Komisionit të Pavarur të kualifikimit që kishte shkarkuar Drejtuesen e Prokurorisë së Apelit të Korçës Irma Balli. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me kryesuese Rezarta Schuetz, relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj, njoftoi se gjetjet e KPK në kriterin e pasurisë nuk qëndronin dhe se Balli kishte bërë deklarim të mjaftueshëm në këtë kriter dhe kishte burime të ligjshme. Njëkohësisht, me shumicë, votash Kolegji urdhëroi KPK që të kryente vlerësim për Ballin në dy kriteret që nuk ishin hetuar gjatë procesit të parë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Apelit të Korçës Irma Balli u shkarkua në shkurt 2019 nga trupa e KPK e kryesuar prej Lulzim Hamitaj, me Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare. Trupa e KPK arsyetoi se Balli nuk kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, sepse “ka pasaktësi në deklarimin e burimeve financiare, deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe të të ardhurave, ka burime financiare të ligjshme të pamjaftueshme”.

Balli e ankoi vendimin në KPA dhe Kolegji pas dy seancash në dhomë këshillimi dhe një seance publike në të cilën Balli ri paraqiti ankimin e saj e gjeti atë të bazuar. “Trupi gjykues pasi e dëgjoi dhe vlerësoi të gjitha shkaqet e ankimet, i gjeti shkaqet të drejta dhe të bazuara në fakte dhe në ligji”, tha kryesuesja Schuetz gjatë leximit të vendimit.

KPA po ashtu tha se kishte gjetur se Balli “ka arritur nivel të besueshëm të pasurisë për të dhe personat e lidhur me të”.

“Për rrjedhojë trupi gjykues çmon se KPK duhet të vazhdojë rivlerësimin për kriterin e kontrollit të  figurës dhe aftësive profesionale”, thuhet në vendimin e Kolegjit. Schuetz bëri me dije se vendimi i KPK dhe vendimmarrja për të rikthyer çështjen në Komision ishin me shumicë votash. Balli që ndoqi vendimin në sallë falënderoi Kolegjin.

Ky është vendimi i parë i Komisionit që rikthehet po në KPK për rishqyrtim. Legjislacioni për organet e vetingut për të kursyer kohë në proces ka përcaktuar se Kolegji merr përsipër të korrigjojë vetë gabimet e KPK, por në këtë rast vendimi është i ndryshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *