ProkurorI pranë Prokurorisë së Shkallës së Pare për Krimet e Renda ne Tirane, Perparim Kulluri, | Foto : LSA
Analiza Korrupsioni KPA Vendi

Kolegji rrëzon problemet e pasurisë, por figura penalizon Përparim Kullurin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri ka pasur kontakt të papërshtatshëm me një person të përfshirë në krim të organizuar, ndërsa rrëzoi konkluzionet e KPK-së për pasurinë dhe profesionalizmin.  

Ish-prokurori Përparim Kulluri në seancën dëgjimore të KPK-së.| Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 31 mars 2021 të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, duke cilësuar të drejtë konkluzionin për papërshtatshmërinë lidhur me pastërtinë e figurës. Ndërkohë, Kolegji shprehet se gjetjet e Komisionit për pasurinë dhe profesionalizimin nuk janë shkarkuese.

KPK shkarkoi nga detyra më 6 nëntor 2019 prokurorin Përparim Kulluri, pasi konstatoi një kontakt të papërshtatshëm me një person, që sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishte proceduar për shitje të lëndëve narkotike.

Kulluri u penalizua edhe për cenim të besimit të publikut te drejtësia për pasurinë dhe profesionalizmin, konkretisht për paraqitje të të dhënave të pavërteta për një dyqan me qëllim përfitimin nga shpronësimi i kësaj pasurie të një vlere më të lartë si dhe për moskryerjen e hetimeve të plota për një prokurore të proceduar për korrupsion.

Trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Albana Shtyllën e Rezarta Schuetz rrëzoi si të pabazuara shkaqet e ankimit të Kullurit me natyrë procedurale që kanë të bëjnë me procesin e rregullt ligjor, si dhe vendosi të mos pranojë kërkesën e tij për kalimin e çështjes në seancë publike.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar në Komision dy raporte negative për prokurorin Kulluri, duke konstatuar papërshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën. Nga hetimi administrativ i KPK-së, bazuar edhe në gjetjet e ONM, u konkludua se prokurori Kulluri kishte pasur kontakte të papërshtatshme me një person të dënuar në Greqi për trafik droge, makinën e të cilit e ka përdorur për disa vjet.

Kulluri ka pretenduar në ankim se Komisioni nuk ka administruar asnjë provë apo të dhënë të vlefshme që të provojë faktin se shtetasi A. apo M. B., është i dënuar apo i përfshirë në krimin e organizuar. Në shpjegimet e dhëna, ai ka pranuar se e njeh shtetasin A.B., pasi kanë qenë studentë në vitin 1990 dhe se banonin në të njëjtin kat në një godinë të Qytetit Studenti.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk ka pasur më vonë kontakte me këtë person dhe nuk e dinte që ai kishte ndryshuar emrin në M.B si dhe nuk ishte në dijeni të procedimit apo dënimit të tij në Greqi. Kulluri ka pretenduar gjithashtu se makina ishte në pronësi të tij, pasi atë ia kishte dhënë një shok tjetër.

Sipas KPA-së, ky pretendim i subjektit nuk përputhet me deklarimet e tij në pyetësorin standard, ku është shprehur se ka përdorur automjet të personave të njohur prej tij.

Sipas Kolegjit, në hetimin e kryer nga KPK, por edhe në analizë të shkaqeve të ankimit gjenden disa pika takimi të rrethanave faktike që dëshmojnë për kontaktet e subjektit të rivlerësimit me shtetasin M. B., të cilat krijojnë bindjen se nuk janë të rastësishme dhe të ndodhura në kushtet e padijenisë së Kullurit.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji vëren se shtetasi M. B. rezulton të jetë person me precedentë penalë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe si rrjedhojë përbën kontakt të papërshtatshëm.

“Për të gjitha rrethanat e cituara më sipër, pretendimi i subjektit të rivlerësimit në lidhje me kontaktin me shtetasin A. M. B., si person me precedentë penalë në llojin e veprave të cilat përfshihen në krimin e organizuar, nuk është bindës, dhe si rrjedhojë, shkaku i ankimit të subjektit të rivlerësimit nuk gjendet i bazuar,” konstaton Kolegji dhe konkludon se krijohet bindja se Kulluri nuk arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës si pasojë e njohjes më këtë person.

Kolegji vëren se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e këtij fakti apo të sillte argumente bindëse dhe ligjore që do e zhvishnin atë nga kjo përgjegjësi.

Lidhur me kriterin e pasurisë, Kulluri ka pretenduar para Kolegjit se nuk ka paraqitur asnjë dokument fiktiv në procedurën e shpronësimit të një dyqani me sipërfaqe 65,2 m2, që ka deklaruar se e ka ndërtuar në vitin 1994. Kulluri e ka quajtur si një fakt të sajuar konkluzionin e KPK-së se subjekti ka dashur të ushtrojë ndikim si prokuror me qëllim përfitimin e një vlere më të madhe nga shpronësimi i kësaj pasurie, që është prishur për interes publik në vitin 2006.

Ndryshe nga Komisioni që ka arritur në përfundimin se Kulluri kishte ndikuar për kryerjen e një akt ekspertimi për një objekt me sipërfaqe më të madhe e për pasojë me vlerë më të lartë, Kolegji vlerëson se nga tërësia e dokumentacionit të administruar në dosje, nuk rezulton që subjekti i rivlerësimit të ketë ofruar të dhëna të pavërteta lidhur me këtë pasuri.

“…procedura e shpronësimit është ndjekur duke u bazuar në vërtetimin mbi dokumentin hipotekor, i cili e pasqyron pasurinë të regjistruar me sip. 65 m2 , bazuar në raportin e vlerësimit të ekspertit të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, sipas të cilit është përcaktuar vlera e sendit objekt shpronësimi në masën 7.781.000 lekë, si dhe në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë,” qartëson Kolegji.

Deklarimi i së njëjtës pasuri me sipërfaqe 30 m2 në vitin 2003 konsiderohet si pasaktësi, por jo shkarkuese. Sipas trupit gjykues, kjo pasaktësi nuk ka ndikuar në procedurën e shpronësimit, pasi është kryer bazuar në dokumentacionin hipotekor ku dyqani pasqyrohet me sipërfaqe 65,2 m2.

Kolegji çmon se edhe një balancë negative në shumën 695 mijë lekë për blerjen e një autoveture në vitin 2012 nuk është e mjaftueshme për shkarkimin e subjektit.

Kulluri e ka kundërshtuar edhe konkluzionin e Komisionit se ai nuk ka hetuar një çështje në ngarkim të një kolegeje të proceduar për korrupsion. Subjekti e quan konkluzionin e Komisionit për profesionalizmin jologjik. Ai ka këmbëngulur se e ka hetuar çështjen dhe ka marrë vendimin e pushimit në bazë të fakteve dhe provave të vlerësuara në mënyrë të drejtë.

Kolegji e vlerëson të drejtë konstatimin e Komisionit duke argumentuar se subjekti i rivlerësimit nuk ka hetuar dhe nuk ka marrë urdhra apo vendime. Megjithatë, KPA vlerëson se në kushtet kur problematika është e vetme, nuk e është e mjaftueshme për t’u konsideruar si mangësi profesionale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *