Kolegji shkarkon anëtaren e KLP Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia. Sevdari nuk reagoi pas vendimit.

Antoneta Sevdari gjatë seancës së njoftimit të vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto:Birn

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi me shumicë votash të enjten të shkarkojë prokuroren Antoneta Sevdari, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kolegji, i cili mori në shqyrtim çështjen e Sevdarit pas ankimimit të Komisionerit Publik Dariel Sina, arriti në përfundimin se Sevdari kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë, kishte shfaqur probleme profesionalizmi duke mos apeluar një vendim gjykate me të cilin nuk kishte qenë dakord dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Trupa gjykuese e KPA e kryesuar nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarët Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, njoftoi në seancë publike se shumica e tyre kishin arritur në përfundimin se Sevdari kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Problemet për Sevdarin erdhën, siç doli nga leximi i vendimit të shkurtuar, prej mos paraqitjes së dokumenteve për pagim tatimesh për të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Greqi dhe puna në Arabinë Saudite. Kryesuesi bëri me dije se në një rast të ardhurat për të cilat nuk ishin paraqitur dokumente justifikuese ishin derdhur në llogarinë e Sevdarit dhe cilësoi si cënim të besimit të publikut te drejtësia faktin se “Duke qenë drejtuese e prokurorisë kundër evazionit fiskal, Sevdari nuk mund të justifikonte pagesën e tatimeve për të ardhurat e bashkëshortit”.

Antoneta Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Ajo u konfirmua në detyrë nga KPK me 18 korrik, por vendimi u apelua në gusht 2018 nga Komisioneri Publik. Sevdari njihet për punën e saj në prokurorinë e Tiranës për procedimin e çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit, Kastriot Ismailaj – i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit.

Para se KPA të fillonte shqyrtimin e çështjes Sevdari u zgjodh si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Nga anëtarët prokurorë të KLP-së veç Sevdarit presin vendimmarrjen e Kolegjit edhe Gentian Osmani, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj.

Disa anëtarë të Këshillit te Lartë të Prokurorisë ishin të pranishëm gjatë leximit të vendimit për Sevdari, por as prokurorja e shkarkuar dhe as kolegët e saj nuk folën pas vendimit.

Kryesuesi Daci tha gjatë leximit të vendimit të shkrurtuar se ndërsa ishin rrëzuar disa nga kërkesat e Komisionerit Dariel Sina, një pjesë e pretendimeve të tij ishin gjetur të bazuara. Kolegji arsyetoi se “Sa i takon të ardhurave me burim emigracionin, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të shpjegojë bindshëm vlerën e saktë të këtyre të ardhurave dhe të provojë ligjshmërinë e tyre”.

Vendimi i Kolegjit është i ngjashëm sa i përket ligjshmërisë së të ardhurave me vendimin e marrë edhe më herët ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. KPA në arsyetimin e atij vendimi bëri me dije se “jo gjithmonë remitacat vinin nga burime të ligjshme”. Ky vendim përcakton në këtë mënyrë një standard i cili u kërkon gjykatësve dhe prokurorëve të kenë dokumentim të plotë të të ardhurave të përfituara nga ata vetë apo të afërm në emigracion.

Në rastin e Sevdarit bëhej fjalë kryesisht për të ardhura të përfituara nga bashkëshorti para martesës së tyre në vitet 1997-2000 në Greqi dhe më pas prej punës në Arabinë Saudite. Sa i përket ëtyre të fundit Kolegji arsyetoi se Sevdari “Nuk arriti të provojë ligjshëmrinë në raport me shlyrjen e detyrimeve tatimore përkatëse”.

Kolegji po ashtu arsyetoi ndryshe edhe sa i përket kriterit të aftësive profesionale. Duke u bazuar kryesisht në një çështje të cilën Sevdari kishte dështuar ta apelonte, Kolegji arsyetoi se megjithëse ajo mund të kishte pasur arsye objektive për pamundësinë e apelimit, ajo duhej të kishte bërë përpjekje që çështja të apelohej prej kolegëve.

Në seancat e mëparshme Sevdari pati pretenduar ligjshmëri të të ardhurave të bashkëshortit në emigracion. Ajo pati theksuar se kishte parashtruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton punësimin e bashkëshortit në Greqi dhe në Arabinë Saudite. Gjithashtu, ajo shtoi se bashkëshorti nuk ka shkelur asnjë ligj tatimor.

Sevdari pohoi se 3 milionë lekët e përfituara nga puna e bashkëshortit para martesës ishin të ligjshme. Ndërsa lidhur me të ardhurat e përfituara po prej bashkëshortit të saj në Arabinë Saudite, Sevdari sqaroi se në atë kohë nuk ishte në fuqi deklarata integrale e të ardhurave aktuale. Sevdari këmbënguli se ajo dhe i shoqi kanë paguar të gjitha detyrimet dhe taksat vendore dhe se dokumentacioni i depozituar e shpjegon bindshëm këtë gjë.