Kolegji shkarkon gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj
Lajme

Kolegji shkarkon gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj për pamjaftueshmëri burimesh, deklarim të paplotë dhe të saktë të pasurisë.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë nga një seanceë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Kolegji i përbërë nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Edmond Islamaj, duke përmbysur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që më herët e kishte konfirmuar në detyrë.

Gjatë leximit të vendimit, kryesuesi i seancës Luan Daci shpjegoi se Kolegji kishte arritur në përfundimin se gjyqtari Islamaj nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve financiare për 3 pasuri të paluajtshme në pronësi të bashkëshortes së tij. Këto pasuri përbëheshin nga një apartament, një njësi tregtare 55 m2 dhe një garazh.

Gjithashtu sipas kolegjit subjekti ka pamjaftueshmëri burimesh për likuiditet cash të deklaruara në vitin 2012 dhe 2016, si dhe ka bërë deklarim të paplotë dhe të pasaktë.

Në tërësi për kriterin e pasurisë Kolegji u shpreh se subjekti rivlerësimit kishte bërë deklarim të paplotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij.

Ankimi i Komisionerit Publik Florian Ballhysa kundër vendimit për konfirmimin e gjyqtarit Edmond Islamaj, ishte ankimi i parë ndaj një vendimi rivlerësimi të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Shqyrtimi i këtij ankimi në KPA ka filluar në 12 nëntor 2018.

Islamaj ka pasur një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Me vendimin e Kolegjit kësaj karriere të gjatë të mërkurën i erdhi fundi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *