Kolegji shqyrton ankimin kundër anëtares të KLP-së Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Kolegji i Apelimit dëgjoi të mërkurën parashtrimet e komisionerit publik dhe mbrojtjes, për ankimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurores Antoneta Sevdari.

KPA shqyrton ankimin ndaj prokurores Antoneta Sevdari | Foto : LSA

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit e përbërë nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarët Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, nisi të mërkurën shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komsionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores Antoneta Sevdari – aktualisht anëtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Dariel Sina kërkoi rihapjen e hetimeve duke pretenduar KPK nuk ka kryer hetim të plotë, ndërsa prokurorja Sevdari e cilësoi të plotë vendimin e KPK-së. Ndërkohë, trupa gjykuese e KPA-së i njohu palët me një denoncim të ri të adresuar ndaj anëtares së KLP-së.

Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Ajo u konfirmua në detyrë nga KPK me 18 korrik.

Komisioneri Publik, Dariel Sina theksoi se e çmon të pa plotë hetimin e KPK-së për pasurinë dhe aspektin profesional të prokurores dhe njëkohësisht anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari.

Lidhur me pasurinë e paluajtshme – tokë arë dhe banesë, në bashkëpronësi me bashkëshortin, Sina shpjegoi se janë deklaruar si burim i krijimit të ardhurat e përfituara nga emigracioni deri në vitin 2003. Për të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti i Sevdarit në emigrim, komisioneri nënvizoi se pranë KPK-së janë dorëzuar akte vetëm për tre muaj, por që nuk provojnë punësimin e tij në Greqi. Sipas Sinës, deklarimi për rreth 3 milionë lekë të siguruara nga emigracioni në Greqi, duhet të shoqërohet me dokumentacion ligjor. Ai shtoi se nuk është depozituar asnjë kontratë për punësimin e tij jashtë shtetit. Komsioneri theksoi se nuk ka ndonjë dokumentacion ligjor edhe për transferimin e këtyre shumave të parave.

Sina u ndal edhe në deklarimet e kryera për një apartament 101 m2 në emër të bashkëshortit të prokurores të blerë në Tiranë në vitin 2011. Sipas Sinës për këtë aset nuk është deklaruar burimi i krijimit, ndërkohë që KPK ka gjetur se bashkëshortët kishin të ardhura të mjaftueshme për të blerë këtë pasuri. Komisioneri Publik e vlerëson të mangët hetimin e KPK-së për burimin financiar të apartamentit 101 m2.  Sina kërkoi rihapjen e hetimeve për ligjshmërinë e burimeve financiare që janë përdorur për krijimin e këtyre pasurive.

Gjithashtu, ai deklaroi se gjatë procesit të hetimit administrativ në KPK nuk ishte kryer hetim i plotë edhe lidhur me deklarimin e të ardhurave të bashkëshortit Sevdari të siguruara në Arabinë Saudite në vitin 2003 – ku ka deklaruar se është paguar me 12 mijë euro për punën si gjeometër.

Edhe lidhur me të ardhura të tjera në vlerën e rreth 20 mijë dollarëve të deklaruara se janë përfituar nga puna e bashkëshortit të prokurores Sevdari në Arabinë Saudite në vitin 2006, komsioneri ka vlerësuar se nuk ka dokumentacion për t’u konsideruar si burim i ligjshëm dhe se nuk janë paguar detyrimet tatimore.

Komsioneri evidentoi se edhe lidhur me fitimet nga biznesi i bashkëshortit të Sevdarit në vlerën e rreth 3.2  milionë lekëve, KPK nuk ka hetuar për pagimin  detyrimeve tatimore. Ndërkohë, Sina u shpreh se autoritetet tatimore kanë deklaruar të dhëna kontradiktore, kur në një rast janë shprehur se bashkëshorti Sevdarit nuk ka shlyer asnjë detyrim, ndërsa me anë të një shkrese tjetër ka sqaruar se nuk është objekt tatimi.

Për të gjitha konstatimet e sipërcituara, komsioneri i kërkoi trupës gjykuese të KPA që të ri çelë hetimet.

Lidhur me aftësitë profesionale, komisioneri Sina u shpreh se prokurorja Sevdari nuk ka ankimuar vendimin e gjykatës për një zyrtar që kishte hetuar, me pretendimin se priste zbardhjen e vendimit dhe kishte një familjar të sëmurë. Sina e vlerësoi si mungesë të arsyetimit ligjor dhe të aftësive organizative për përballimin e punës. Komsioneri kërkoi që kjo të trajtohet së bashku me denoncimet e kryera ndaj saj.

“Hetimi i komisionit ka munguar për disa nga 10 denoncimet e kryera. Vetëm për 4 prej tyre ka kërkuar dokumentet. Provat dhe hetimi i komisionit janë të pamjaftueshme,” u shpreh ndër të tjera komisioneri Sina. Në përfundim ai i kërkoi kolegjit që të riçelë hetimin për pasurinë dhe aspektin profesional dhe të ndryshojë ose lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokuroren Sevdari.

Anëtarja e KLP-së, Antoneta Sevdari u shpreh para trupës gjykuese të KPA se nuk ishte dakord me shkaqet e evidentuara nga komisioneri dhe se hetimi i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte i plotë.

Në parashtrimet e saj, Sevdari theksoi se pretendimet e komisionerit për tokën arë dhe shtëpinë e ndërtuar në këtë sipërfaqe nuk qëndronte, duke argumentuar se legjislacioni për procesin e vetingut ka si qëllim të verifikojë pasuritë më të mëdha nga sa mund të krijoheshin, ose kur nuk janë deklaruar. Ajo pohoi se pasuritë e krijuara më parë nga personat e lidhur nuk duhet të jenë objekt i hetimit. “Ato janë krijuar në periudhën 2001-2003 nga bashkëshorti. Unë në vitin 2003 jam emëruar si prokurore dhe në vitin 2004 kam kryer deklarimin e parë. Në deklaratën ‘veting’ dhe në atë të vitit 2004, burimet janë deklaruar të njëjta, nga puna e bashkëshortit në emigracion”, pohoi ndër të tjera Sevdari. Ajo shtoi se në gjithë deklarimet është pasqyruar se toka arë dhe shtëpia janë krijuar nga kursimet e bashkëshortit.

Sevdari u shpreh se kanë paraqitur dokumente që bashkëshorti ka punuar në Greqi nga viti 1997 deri në vitin 2000, ku veç pullave të sigurimit kanë depozituar edhe kërkesën për leje qëndrimi.

Prokurorja Sevdari sqaroi para trupës gjykuese të KPA se bashkëshorti i saj në vitin 2003 ka punuar në Arabinë Saudite dhe ka përfituar 12 mijë euro. Kjo gjë sipas saj provohet nga vulat e vendosura në pasaportë në pikat kufitare dhe disa foto që tregojnë vështirësitë në të cilat kryente punën në Arabinë Saudite. Ndërkohë, Sevdari u shpreh se shoqëria që e ka punësuar ka konfirmuar punësimin për pesë muaj, por nuk ka vënë në dispozicion kontratën për shkak se koha ka qenë mjaft e gjatë dhe nuk është gjetur. Lidhur me mos pagesën në bankë, ajo u shpreh se në atë periudhë një gjë e tillë nuk ka qenë e detyrueshme. Lidhur me detyrimet tatimore, prokurorja Sevdari u shpreh se ato duhej t’i paguante kompania që kishte punësuar bashkëshortin. Ajo hodhi poshtë edhe pretendimin tjetër të komisionerit lidhur me pasaktësi në deklarimin e dy pagesave të kryera në vitin 2006 në vlerën e rreth 20 mijë dollarëve së bashku, për llogari të bashkëshortit për punën e kryer në Arabinë Saudite si gjeometër. Sevdari shtoi se kanë gjetur disa dokumente në gjuhën arabe që janë lëshuar për llogari të bashkëshortit të saj nga punëdhënësi për ti dhënë lehtësi në kryerjen e matjeve të rrugëve.

Prokurorja Sevdari theksoi se në vitin 2006, në bazë të legjislacionit të atëhershëm, bashkëshorti i saj nuk kishte detyrimin të deklaronte të ardhurat e përfituara jashtë shtetit, duke shtuar se kjo ishte bërë e detyrueshme vetëm prej vitit 2012.

Lidhur me ligjshmërinë e 3 milionë e 175 mijë lekëve të përfituara nga bashkëshorti nga biznesi i tij në vitin 2011, Sevdari deklaroi se komisioni ka marrë dokumente nga tatimet për tatimin e plotë të paguar. Ndërsa për të ardhurat në vitin 2016, Sevdari shpjegoi se deklarimet nga organi tatimor nuk janë kontradiktore. Sipas saj, për shkak të ndryshimeve ligjore të ndodhura në vitin 2015, biznesi i vogël ku përshihet edhe aktiviteti i bashkëshortit të saj – me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë, nuk duhej të paguante tatim fitimi.

“Është e vërtetë se kur komisioni ka marrë një shkresë se bashkëshorti ka pasur detyrime të TVSH-së, po jo të tatimit mbi fitim. Mund të ndodhi që të mos ketë aftësi paguese të TVSH-së, por ti paguajë muajin tjetër. Kam raportin e TVSH-së që i ka paguar gjithë detyrimet tatimore”, u shpreh Sevdari. Ajo deklaroi se pasuritë janë krijuar vetëm me të ardhura të ligjshme.

Edhe për aftësitë profesionale, Sevdari pretendoi se KPK ka kryer hetim të plotë. Për 10 denoncimet për të cila komisioneri publik pretendon se nuk është kryer hetim, ajo pohoi se janë kryer gjithë verifikimet që mund të ishin shkak. Prokurorja Sevdari nuk fshehu krenarinë që ndiente për një nga dosjet që kishte hetuar, për të cilën i pandehuri e kishte denoncuar.

“Dy ankesa janë paraqitur nga Kastriot Ismailaj. Komisioni ka administruar gjithë dosjen me 35 fashikuj. Kjo dosje është përzgjedhur nga unë për rivlerësimin profesional. Ky person është marr i pandehur për vepra të rënda penale dhe janë konfiskuar 5 milionë euro. Kjo çështje është e rrallë dhe Shqipëria mburret me një nga çështjet e mija. Mua më bënë krenare! Fakti që është pushuar më parë, tregon angazhimin tim në këtë çështje”, pohoi ndër të tjera Sevdari.

Për një denoncim tjetër, Sevdari pohoi se çështja është pushuar në shkallë të parë, por Apeli i ka dhënë të drejtë denoncuesit. Ajo sqaroi se kishte dhënë dorëheqjen nga kjo çështje dhe se prokurori tjetër e ka akuzuar për kallëzim të rremë denoncuesin. Për denoncuesin Mehmet Dauti, Sevdari shpjegoi se ai është dënuar nga gjykata. “Ai pretendon se i kam ngritur akuzë të padrejtë, pasi ai ka qenë denoncues. Ai ankohet për thelbin e akuzës dhe komisioni nuk i bënë këto verifikime. Denoncimi i tij nuk është i vërtetë. Ai ka shkuar i pandehur së bashku me 50 persona të tjerë dhe për këtë çështje janë konfiskuar 2 milionë euro”, pohoi Sevdari. Ndërsa për apelimin e vendimit për Genci Zikën, ajo u shpreh se ishte kujdesur për mbesën e sëmurë, e cila e kishte edhe të atin të sëmurë në atë kohë dhe se kjo mund ti ndodhte kujtdo.

Prokurorja Sevdari pohoi se e kishte mbaruar magjistraturën me rezultate të larta dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Në fund të parashtrimeve, kryesuesi i trupës gjykuese të KPA-së, Luan Daci u bëri me dije të dyja palëve se kishte mbërritur një denoncim i ri nga qytetari Aleksandër Marku që ka qenë i hetuar nga prokurorja Antoneta Sevdari. Për tu dhënë mundësi palëve për tu njohur me këtë denoncim, kolegji vendosi të shtyjë seancën më datë 19 shkurt.