Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji shqyrton apelimin e Komisionerit Publik ndaj gjyqtarit Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi të hënën në seancë dëgjimore ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë pas një seance teëKolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, | Foto nga : LSA

Kolegji i Apelimit i udhëhequr nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator dhe gjyqtaret Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, u mblodh të hënën në mëngjes për të dëgjuar ankimin e Komisionerit Publik Florian Ballhysa, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që në 7 qershor konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj.

Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksioni dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga relatorja Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.

Megjithatë, përfundimi i KPK-së për sa i përket kontrollit të pasurisë u kontestua nga Komisioneri Publik, i cili çmoi se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij.”

Ankimi i Komisionerit Publik Florian Ballhysa kundër vendimit për konfirmimin e gjyqtarit Edmond Islamaj, ishte ankimi i parë ndaj një vendimi rivlerësimi të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjatë paraqitjes së ankimit në seancën dëgjimore të mbajtur të hënën, Komisioneri Ballhysa parashtroi një seri argumentesh në mbështetje të kërkesës së tij për një hetim të plotë nga ana e Kolegjit të Apelimit. Ndërkohë, gjyqtari Islamaj paraqiti disa akte të reja me prova që sipas tij sqaronin dyshimet e ngritura nga Komisioneri Publik për pasurinë e tij, duke insistuar që kjo e fundit ishte produkt i ‘trashëgimisë’

Kullotë ne bregdet dhe udhëtime me Land Rover

Ankimi i Komisionerit Florian Ballhysa kundër vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Edmond Islamaj, përqendrohet te burimi i krijimit të disa pasurive të paluajtshme në emër të subjektit dhe personave të lidhur, likuiditeteve të krijuara nga gjyqtari dhe bashkëjetuesja e tij Sonila Toska, mungesa e hetimit të thelluar nga KPK për koston e udhëtimeve jashtë shtetit të gjyqtarit dhe bashkëjetueses, dyshime për pasuri të paluajtshme të fshehura të bazuara nga të dhënat e OSHEE, si dhe financimin e blerjes të një makine ‘Land Rover Discovery’ dhe përdorimin e një mjeti tjetër të ngjashëm për udhëtime jashtë shtetit.

Aseti i parë për të cilën Komisioneri Publik pretendon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë hetime jo të thelluara është një kullotë me sipërfaqe 1 mijë metra katrorë në fshatin Karpen të Kavajës, në bregdetin e gjirit të Durrësit. Sipas Komisionerit, kjo sipërfaqe toke është blerë nga subjekti me 26 mars 2015 kundrejt një shume prej 137 mijë lekë, ose e konvertuar me kursin e kohës në 1 mijë euro, nga shtetasi A.H dhe bashkëshortja e tij nga Afrika e Jugut.

Komisioneri Ballhysa i tha Kolegjit të Apelimit se ky çmim shitje ishte me i ulët se çmimi i referencës, ndërkohë që shitësi A.H rezulton ta ketë regjistruar këtë pronë për herë të parë në shkurt 2015-të, një muaj para se t’ia shiste subjektit.

“Nisur nga vlera e çmimit të shitjes, kalimi i pronësisë nga shitësi tek subjekti i rivlerësimit brenda një periudhe pak më shumë se një mujore nga blerja e sendit nga shitësi, pozicioni në një zonë për investime strategjike ngrenë dyshime për një sistem shit-blerjesh kaskadë, që shërben për fshehjen e origjinës së vërtetë të pasurisë, burimit të të ardhurave dhe çmimit real të shitjes,” tha Ballhysa.

“Me një kërkim të thjeshtë online, na rezulton se vlera e shitjes së 1 m2 në kërë zonë kadastrale, në pozicione edhe më të disfavorshme sesa prona e subjektit të rivlerësimit, në raport me afërsinë me detin, shkon deri në 25 fishin e çmimit për të cilin deklaron se e ka blerë subjekti i rivlerësimit,” shtoi ai.

Më tej Komisioneri Florian Ballhysa u përqendrua tek 3 pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të bashkëjetuese së gjyqtarit, Sonila Toska, më konkretisht një apartament me sipërfaqe 141 metra katrorë, në njësi tregtare me sipërfaqe 55 metra katrorë dhe një garazh me sipërfaqe 16 metra katrorë dhe vlerë respektive 10.5 milionë lekë, 6.1 milionë lekë dhe 834 mijë lekë. Toska i ka blerë këto prona nga i ati në vitin 2001 për shumën 1 milionë lekë, duke u bazuar dhe të marrëdhënia e posaçme midis tyre.

Por, sipas Komisionerit Publik Ballhysa, Toska nuk e justifikon me të ardhura të ligjshme shumën prej 1 milionë lekë, por ka provuar në KPK të ardhura të ligjshme me vlerë 730 mijë lekë.

Për këto prona, Komisioneri vë re se kontrata e energjisë elektrike sipas OSHEE-së është lidhur nga subjekti në vitin 2001, ndërkohë që ato janë deklaruar në Inspektoriatin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit në vitin 2004. Komisioneri gjithashtu u shpreh se ka paqartësi rreth dokumenteve të regjistrimit të ZRPP-së Durrës, çfarë sipas tij duhet ta shtyjë Kolegjin e Apelimit të ndërmarrë një hetim të thelluar.

Bashkëjetuesja e subjektit rezulton se ka në përdorim nga i ati edhe dy garsonjere të cilat nuk janë të regjistruara. Sipas Komisionerit publik këtë prona duhet të ishin deklaruar si pjesë e deklarimeve periodike që nga viti 2010-2011.

Gjithashtu, Komisioneri Publik ka ngritur dyshime mbi një ndërtesë, plus truall me sipërfaqe prej 106 metra katrorë në emër të fëmijëve të mitur të gjyqtarit, e cila është blerë nga babai subjektit nga vjehrri i tij për një shumë prej 3 milionë lekë.

Përveç pasurive të paluajtshme të gjyqtarit dhe personave të lidhur, Komisioneri Publik ka ngritur dyshime edhe për pasuritë e luajtshme të këtij të fundit, në mënyrë specifike dy makina Land Rover, njëra e blerë nga subjekti dhe babai i tij dhe tjetra e marrë në përdorim nga shoqëria Mektrin Motors.

Në vitin 2010 subjektin dhe i ati kanë blerë nga shoqëria Mektrin Motors një makinë ‘Land Rover Discovery’ me vlerë 21 mijë euro, ku 40 % e makinës është blerë nga subjekti dhe 60 % nga babai. Për këtë automjet janë bërë tre pagesa, një prej 6 mijë euro dhe dy të tjera prej 10 mijë dhe 5 mijë euro, nga të cilat vetëm pagesa e parë është realizuar nga babai i subjektit. Ky automjet është shitur katër vjet më vonë nga subjekti vëllait të pronarit të Mektrin Motors për 20 mijë euro, ndërsa ky i fundit e ka rishitur brenda në një kohe të shkurtër për 15 mijë euro.

Një makinë tjetër e marrë në përdorimin nga subjekti nga shoqëria Mektrin Motors gjatë viteve 2014-2016 e tipit Land Rover, ka ngritur gjithashtu dyshime që sipas Komisionerit Publik duhet të hetohen. Sipas Ballhysës dyshime ka edhe për transaksionet e shitjes së dy automjeteve Benz dhe Opel Corsa, si dhe në blerjen e një makine Hunday.

Gjithashtu, Komisioneri Publik ka përdorur një metodologji të ndryshme nga KPK për të vlerësuar të ardhurat dhe shpenzimet, duke arritur në përfundimit se gjyqtari Islamaj ka gjatë viteve një diferencë negative prej 4.4 milionë lekë.

Ballhysa nënvizoi se ndryshe nga raste të tjera, KPK kishte dështuar të kërkonte të dhëna për udhëtimet jashtë shtetit në vitet 2008-2016 të subjektit dhe bashkëjetueses së tij, por ishte mjaftuar me justifikimin se ato janë financuar nga familjarët e tyre. Komisioneri Publik nënvizoi se gjate 8 viteve subjekti kishte udhëtuar 64 herë jashtë shtetit, kurse bashkëjetuesja e tij 56 herë, këto të dhëna të bazuara në sistemin TIMS.

Ballhysa kërkoi gjithashtu që babit dhe mamasë së subjektit t’i kalonte barra e provës për shkak se në emër të tyre janë evidentuar një numër likuditetesh bankare. Gjithashtu, Komisioneri kërkoi hetimin e disa kontratave të OSHEE-së në qytetin e Vlorës për një apartament dhe dy ambiente shërbimi me gjeneralitete të ngjashme me subjektin.

Ballhysa gjithashtu kërkoi nga Kolegji që të hetohej fakti që Prokuroria e Përgjithshme nuk kishte dhënë informacion mbi personat që kanë pasur në pronësi makinat e blera nga subjekti, për shkak se refuzimi i informacionit të kërkuar nga organet e rivlerësimit përbën vepër penale.

Islamaj sjell prova të reja

Në përgjigje të parashtrimeve të Komisionerit Publik gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Edmond Islamaj u shpreh se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte ndërmarrë një hetim të thelluar të pasurisë së tij dhe në fund, kishte arritur me të drejtë në përfundimin se deklarimi ishte i saktë dhe nuk kishte fshehje pasurie, duke e konfirmuar gjyqtarin në detyrë.

“E konsideroj të gabuar dhe joligjor ankimin e Komisionerit Publik,” u shpreh Islamaj, gjatë fjalës së tij përpara Kolegjit të Apelimit.

Megjithatë, gjatë fjalës së tij ai paraqiti një seri provash dhe faktesh shtesë që sipas tij adresonin dyshimet e ngritura nga Komisioneri Publik. Për shembull, për sa i përket kullotës me sipërfaqe 1 mijë metra katrorë, e blerë nga gjyqtari në vitin 2015 nga shtetasi A.H dhe bashkëshortja e tij nga Afrika e Jugut, Islamaj shpjegoi se kjo pronë nuk ishte regjistruar për herë të parë në vitin 2015.

Sipas Islamajt kjo pronë ishte blerë nga shtetasi A.H në vitin 2011 dhe kishte një sipërfaqe prej 9 mijë metra katrorë. Përpara se t’ia shiste gjyqtarit në vitin 2015 një pjesë të saj, ai ka veçuar nga kjo pronë duke e regjistruar veçmas një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorë.

“Çmimi prej 137 mijë lekë, i kontraktuar nga palët me vullnet të lirë, kishte të njëjtën vlerë me çmimin që A.H e kishte blerë këtë tokë,” tha Islamaj, i cili shtoi se çmimi 137 lekë për metër katrorë lëvizte me çmimin referencë të zonës me 10 lekë.  Sipas gjyqtarit ky çmim i ulët për pronën i detyrohej mungesës së ujit dhe energjisë elektrike.

Gjithashtu, për sa i përket apartamentit, njësisë së shërbimit dhe garazhit në emër të bashkëjetuese Sonila Toska, gjyqtari u shpreh se këto asete ishin deklaruar nga personi i lidhur në ILDKPKI që nga viti 2006. Këto pasuri të paluajtshme Toska i kishte trashëgim nga babai, ndërkohë që kontestoi pretendimin e Komisionerit se ato nuk ishin regjistruar deri në vitin 2011.

“Të dhënat e regjistrimit të paraqitura sipas sistemit të ri të ZRPP-së nuk do të thotë që ka pasur mungesë regjistrimi,” u shpreh Islamaj. “Ndryshe nga pretendon Komisioneri Publik nuk pasur vonesa në regjistrim dhe as pagesa penalitetesh,” shtoi ai.

Më tej Islamaj shpjegoj se bashkëshortja ka pasur të ardhura të mjaftueshme për pagesën e çmimit 1 milionë lekë ndaj të atit, bazuar në punën e saj për disa organizata jo qeveritare gjatë luftës së Kosovës dhe një biznesi person fizik të regjistruar në atë kohe, ku kryente funksionin e përkthyeses dhe shiste kancelari.

Për sa i përket dy garsonjereve të paregjistruara në përdorim të bashkëjetuese Sonila Toska, Islamaj u shpreh që në kuptimin e ligjit për kontrollin e pasurisë ai nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Sipas Islamajt edhe dyshimet e Komisionerit Publik të lidhura me pronën e dhuruar fëmijëve të tij të mitur nga babai ishin të bazuara në një keqkuptim. Gjyqtari pretendoi se kjo pronë ishte e amortizuar dhe vjehrri kishte rënë dakord t’ia shiste babait të tij për 3 milionë lekë. Kur është përpiluar kontrata është shkruar që pagesa është kryer me para në dorë. Por, noteri më tej ka kërkuar që kjo pagesë të bëhet me bankë dhe kur është bërë pagesa gabimisht punonjësi i bankës ka shkruar që ishte pagesë huaje. Sipas gjyqtarit, babai i tij fillimisht ka pasur dëshirë ta rikonstruktonte banesën, por pas përkeqësimit të shëndetit të tij ka vendosur t’ia dhurojë fëmijëve të tij. Ky dhurim ka ndodhur pasi është dorëzuar deklarata veting.

Sipas gjyqtarit, shuma prej 3 milionë lekë për blerjen e kësaj pasurie nga i ati rrjedh nga puna e tij si avokat dhe ekspert kriminalist nga vitin 1993 dhe më tej si noter nga viti 1999 deri në dorëzimin e licencës në vitin 2010.

“Origjina e pronës dhe burimi i pasurisë janë të qartë,” tha Islamaj. “Nuk ekziston asnjë problem me këtë pasuri,” shtoi ajo.

Për sa i përket automjetit Land Rover, gjyqtari Islamaj pretendoi se edhe pse dy nga pagesat ishin bërë nga ai, në të vërtet para kishin ardhur edhe nga babai i tij. Ndërkohë, për pagesën e parë prej 6 mijë euro, edhe pse i ati kishte tërhequr vetëm 3032 USD nga banka, kjo nuk do të thotë se i mungonin paratë për pagesën e këstit. Shtija e makinës Land Rover me vlerë 20 mijë euro nuk ishte bërë nëpërmjet sistemi bankar, por ishte një shitje e ligjshme dhe e deklaruar në ILDKPKI, nga e cila si pronar i makinës në masën 40 % subjekti ka përfituar 8 mijë euro.

Për sa i përket automjetit Land Rover i vitit 2012, për të cilin figuron në TPL për vitet 2014-2016, gjyqtari shprehet se e ka përdorur rrallë në marrëveshje me shoqërinë Mektrin Motors.

“E kam përdorur për udhëtime jashtë shtetit,” tha Islamaj. “Përdorimi automjetit ka qenë për periudha të shkurtra,” shtoi ai, duke nënvizuar se polica e sigurimit nuk do të thotë përdorim të vazhdueshëm të mjetit.

Islamaj gjithashtu kundërshtoi metodologjinë e përdorur nga Komisioneri Publik për përllogaritjen e likuiditeteve, duke nënvizuar se ajo i shpërndante gabim shpenzimet për mobilim shtëpie gjatë viteve, ndërkohë që ato ishin bërë kryesisht në vitin 2002, ndërkohë shpenzimet e jetesës kanë qenë më të ulëta gjatë viteve të para.

Gjyqtari u shpreh se kishte arritur të siguronte gjeneralitet dhe certifikatat e disa personave në Vlorë, me emër të njëjte por prindër dhe moshë ndryshme, në emër të cilëve ishin lidhur kontratat e dyshuara me OSHEE. Në përfundim ai i dorëzoi Kolegjit të Apelimit 11 akte të reja dhe disa fotografi.

Pas një mbledhje konsultuese trupa gjykuese vendosi t’i pranojë provat e reja të paraqitura nga gjyqtari, pasi ky i fundit t’i nënshkruante ato. Kolegji vendosi t’i japë Komisionerit Publik deri të premten për të shqyrtuar provat dhe e shtyu seancën deri në fund të javës.

Seanca e radhës do mbahet me datë 16 nëntor, ora 9:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *