Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji u nda për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alma Kolgjoka

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit konkludon se nuk u provua që kryetarja e Gjykatës së Krujës të kishte kontribuar në blerjen e një apartamenti nga babai i saj, por Mulaj në pakicë arsyetoi të kundërtën.

Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka. Foto: LSA

Pas një maratone të gjatë në veting, kryetarja e Gjykatës së Krujës, Alma Kolgjoka u konfirmua në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 25 qershor 2020. Por vendimi i arsyetuar tregon se jo e gjithë trupa gjyqësore ka qenë dakord me këtë vendim.

Kolgjoka u përball me Kolegjin pas një ankimi të Komisionerit Publik, Dariel Sina, përmes së cilit ai kërkonte që gjyqtarja të hetohej nëse kishte kontribuar për blerjen e apartamentit nga ana e saj. Sina kërkoi fillimisht që babai i subjektit të konsiderohej person i lidhur.

Kolgjoka i prapësoi shkaqet e ngritura nga Komisioneri, duke argumentuar se nuk ekzistonte asnjë interes pasuror ose marrëdhënie tjetër biznesi ndërmjet saj dhe të atit apo anëtarëve të familjes së origjinës.

Trupa gjykuese e Kolegjit është ndarë 4 me 1 në favor të konfirmimit të kryetares së Gjykatës së Krujës.

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama e Sokol Çomo anëtarë, në përfundim të gjykimit i vlerësuan të drejta argumentet e Kolgjokës dhe vendosën lënien në fuqi të vendimit të KPK për konfirimin e saj në detyrë.

Për të konkluduar nëse babai i Kolgjokës është ose jo person tjetër i lidhur me të, Kolegji ka vlerësuar mbi informacionet e dërguara nga institucionet publike dhe private lidhur mbi transaksione të mundshme mes subjektit të rivlerësimit dhe anëtarëve të familjes së origjinës.

KPA ka verifikuar edhe deklaratat e pasurisë, nga është konkluduar se subjekti ka deklaruar vetëm të ardhura nga paga e saj si gjyqtare dhe nuk ka deklaruar kursime në asnjë lloj forme – as kursime cash dhe as të depozituara në sistemin bankar.

“Edhe në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 dhe 2012, kur subjekti kishte krijuar familjen e saj dhe ishte ndarë nga familja e origjinës, ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga e saj dhe nga paga e bashkëshortit, dhe nuk ka deklaruar kursime, dhënie huaje apo dhurime te persona të tjerë”, konstaton shumica.

Shumica vlerëson se nuk u provua përfshirja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e gjyqtares Kolgjoka në krijimin e pasurisë që zotëron familja e origjinës dhe çmon se provat e administruara në gjykim provuan mjaftueshëm mungesën e marrëdhënies së interesit të subjektit të rivlerësimit me babain e saj.

KPA ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Komisionerit se babai i subjektit të rivlerësimit duhej të cilësohej nga Komisioni si person tjetër i lidhur, pasi Kolgjoka është gjendur në kushtet e përdorimit të kësaj pasurie, duke qenë se edhe ajo vetë ka deklaruar se ka qëndruar me ditë në shtëpinë e prindërve për shkak të nevojave të saj për rritjen e fëmijëve.

“Konsiderimi i pasurive të paluajtshme të prindërve të subjekteve të rivlerësimit si pasuri në përdorim të këtyre të fundit, thjesht vetëm për faktin se subjektet shkojnë të vizitojnë prindërit e tyre, qoftë edhe duke qëndruar disa ditë atje, është në tejkalim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit në procesin e rivlerësimit, i parashikuar nga neni 51, pika 1 e ligjit nr. 84/2016”, konkludon KPA.

Gjyqtarja Natasha Mulaj në pakicë votoi për shkarkimin e Kolgjokës nga detyra. Në arsyetimin e saj, Mulaj shprehet se babai i Kolgjokës duhej të ishte konsideruar person i lidhur.

Mulaj vlerëson gjithashtu se Kolgjoka ka kryer shkelje ligjore në deklarimin e interesave të vitit 2010, pasi ka pasyqruar si anëtarë të familjes bashkëshorin dhe vajzën, ndërkohë që martesa është lidhur në vitin 2011. Sipas Mulajt, subjekti duhej të deklaronte përbërjen familjare të ndryshuar në deklaratën e vitit 2011 dhe jo në 2010, kur duhej të kishte deklaruar anëtarët e familjes së origjinës.

Mulaj konsideron se deklarimi i përbërjes familjare të ndryshuar një vit para lidhjes së martesës, është kryer me qëllim shmangien e babait të saj nga përbërja familjare, që do ta bënte person të lidhur për apartamentin me sipërfaqe 141,87 m2 të blerë nga i ati në Tiranë.

Duke iu referuar Nenit D, pika 5 e Aneksit të Kushtetutës, ku parashikohet shkarkimi i subjektit të rivlerësimit në rastin e mosdorëzimit në kohë të deklaratës së pasurisë ose kur përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, Mulaj del kundër shumicës dhe shprehet se gjyqtarja Alma Kolgjoka duhej të ishte larguar nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *