Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri apelon vendimin e KPK për Antoneta Sevdarin: “Ka mangësi në hetim”

Komisioneri Publik pretendon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka kryer hetime të plota për të ardhurat e bashkëshortit të prokurores Sevdari, ka mangësi në hetim sa i përket kriterit të aftësive profesionale dhe se nuk ka hetuar denoncimet ndaj saj. Ai i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rishqyrtojë dosjen për të vendosur nëse prokurorja duhet të konfirmohet.

Prokurorja Antoneta Sevdari në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik njoftoi apelimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokuroren Antoneta Sevdari, pasi sipas tij trupa e KPK që vendosi për këtë çështje nuk ka kryer hetim të plotë dhe në disa raste nuk ka administruar dokumente për të provuar ligjshmërinë e pasurisë. Apelimi i Komisionerit Darjel Sina bazohet kryesisht në mungesën e dokumentave për pasurinë e bashkëshortit të prokurores, njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në një hetim më të plotë të denoncimeve të bëra ndaj saj.

Apelimi i çështjes së Sevdarit është i pesti i bërë nga Komisioneri Publik. Më herët Komisioneri, institucion i cili përfaqëson interesin publik në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, apeloi kundër vendimeve të KPK për konfirmimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamajn, kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe gjykatësit Alma Brati e Astrit Faqolli.

Komisioneri po ashtu ka bërë publike se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili vëzhgon procesin e vetingut, i ka kërkuar të apelojë vendimet e KPK-së për gjykatësit Xhezair Zaganjori, Artur Malaj e Gentian Medja dhe prokurorin Gentjan Osmani.

Në kërkesën për KPA komisioneri thotë se trupa e rivlerësimit pranë KPK, e kryesuar nga Firdes Shuli me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Roland Ilia, nuk ka kryer hetim të plotë për pasurinë e bashkëshortit të Sevdarit. Sipas Komisionerit nuk ishin kryer verifikimet për të provuar ligjshmërinë e 3 milion lekëve të deklaruar si të ardhura të bashkëshortit nga emigracioni deri në vitin 2003, rreth 20 mijë dollarëve të deklaruara si të ardhura në vitin 2006, vërtetësinë e deklarimit për vitin 2010 dhe pagesën e tatimeve për 3.1 milion lekë në vitin 2010 dhe për 3.2 milion lekë të ardhura në vitin 2016.  Të gjitha shumat e mësipërme ishin deklaruar si të ardhura nga puna e bashkëshortit.

Po ashtu Komisioneri thotë se kishte gjetur “Mangësi në hetimin e Komisionit, edhe në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale. Në lidhje me këtë kriter, Komisioni nuk ka hetuar dhe vlerësuar të gjitha denoncimet nga publiku, të cilat mund të përbëjnë indicie të mjaftueshme për një vlerësim të kundërt”.

Konkretisht Komisioneri ka kërkuar hetim më të plotë të të ardhurave të llogaritura 3 milion lekë që i kishin shërbyer çiftit për ndërtimin e pjesës së tyre në një shtëpi private të ndërtuar sëbashku me prindërit, vëllain dhe motrën e bashkëshortit të prokurores.

KPK në këtë rast sipas Komisionerit është mjaftuar me vërtetimin e vetëm tre muajve të punësimit jashtë vendit në vitin 1998 të bashkëshortit të Sevdarit dhe nuk ka kryher hetime për punësimin e tij gjatë gjithë tre viteve. “Komisioni nuk ka hetuar dhe analizuar asnjë fakt tjetër për periudhën 3 vjeçare të pretenduar të punësimit si emigrant në shtetin *** (1997-2000), si psh. punën e kryer, shpenzimet e jetesës dhe pagimin e detyrimeve tatimore me qëllim arritjen e konkluzionit nëse të ardhurat e siguruara gjatë kësaj periudhe do të konsiderohen të ligjshme”, thuhet në kërkesën për KPA.

Në të njëjtën pikë Komisioneri ngre dyshime edhe për një pagesë 12 mijë dollarë që sipas vendimit të zbardhur të KPK ishte marrë nga një kompani në Arabinë Saudite. Komisioneri thotë se KPK ishte mjaftuar në këtë rast me një dokument të lëshuar nga kompania në vitin 2017, por nuk ka hetuar për mënyrën e kryerjes së pagesës apo nëse për këtë pagesë ishin shlyer detyrimet tatimore.

Më tej Sina hedh dyshime edhe për përfitimin e një shumë rreth 20 mijë dollarë në vitin 2006. Sipas Komisionerit KPK në këtë rast është mjaftuar me verifikimin e trasfertës bankare dhe personit që e ka kryer atë, por nuk ka kryer verifikime për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave. “Në vlerësim të Komisionerit Publik, për të vërtetuar ligjshmërinë e këtyre të ardhurave nuk mjafton vetëm deklarimi i tyre dhe fakti se konfirmohet urdhëruesi i transfertës, pasi referuar kërkesave të nenit D pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, subjekti duhet të provonte dhe Komisioni duhet të administronte dokumentacion që për këto të ardhura janë paguar detyrimet tatimore”, thuhet në kërkesën për apel drejtuar KPA. Këtu Komisoneri përmend edhe faktin se ILDKPKI ia kishte vënë në dukje Komisionit se për këto të ardhura nuk kishte “dokumentacion justifikues”.

Sipas Komisionerit hetimi ka qenë i paplotë edhe për vitin 2010. Ai thotë se KPK në këtë rast nuk ka hetuar për të vërtetuar nëse bashkëshorti i Sevdarit kishte paguar tatimet për të ardhurat në shumë 3.1 milion lekë. Komisioneri thotë se në këtë rast edhe të dhënat nga Drejtoria Rajonale Tatimore kishin qenë kondratiktore dhe se KPK duhej të kishte hetuar më shumë.

Me të njëjtin argument, por për një shumë 3.2 milion lekë Komisioneri kërkon thellim të hetimeve në të ardhurat e vitit 2016. Sipas tij KPK duhet të kërkonte më shumë informacion nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve pasi informacioni i ardhur prej saj ishte edhe në këtë rast kontradiktorë.

“Ashtu sikurse trajtuam për vitin 2010, edhe për vitin 2016 ndodhemi përpara faktit se përgjigjet nga ana e administratës tatimore kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe mbetet i paqartë fakti nëse janë paguar detyrimet tatimore me qëllim legjitimimin e tyre në kuptim të nenit D të Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.

KPK sa i përket pasurisë shprehet në vendimin përfundimtar se nuk kishte gjetur asnjë problem. “Nga kontrolli i pasurisë ndaj subjektit të rivlerësimit u konstatua se deklarimet e saj janë bindëse, të sakta  dhe në përputhje me ligjin. Pasuria e subjektit të rivlerësimit dhe e personave të lidhur rezulton të  jetë  e  ligjshme, nuk ka deklarim të rremë apo fshehje  të  pasurisë”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Nga ana e tij Komisioneri thotë se KPK nuk ka bërë as hetim të plotë sa i përket kriterit të aftësive profesionale për Antoneta Sevdarin. Duke iu referuar një çështje që u përmend edhe gjatë seancës dëgjimore, ku Sevdarit iu kërkuan shpjegime për mos apelimin e një vendimi të Gjykatë së Shkallës së Parë ndaj një zyrtari të paditur për deklarim të rremë të pasurisë, Komisioneri thotë se prokurorja me shpjegimin e saj kishte pranuar mosnjohje të praktikës gjyqësore. “Kjo përgjigje e subjektit të rivlerësimit, ku pranon se nuk njeh mjaftueshëm praktikën gjyqësore në lidhje me trajtimin ligjor të rastit fator, ngre dyshime për aftësinë profesionale të subjektit, në kontrast kjo edhe me vlerësimin “e aftë” nga ana e Komisionit”, thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.

Po aty Komisioneri këmbëngul se KPK duhej të kishte hetuar më shumë për kriterin profesional për shkak të numrit të ankesave. Ai thotë se nga 10 denoncimet Komisioni kishte hetuar vetëm katër dhe këto jo plotësisht, ndërsa sipas tij ishin neglizhuar denoncime që ngrinin dyshime mbi aftësitë profesionale të Sevdarit. “Në këto kushte gjykojmë se Komisioni duhet të hetonte 10 denoncimet nga ana e publikut, ku disa prej tyre ngrenë pretendime të cilat kanë nevojë për trajtim dhe përgjigje. Komisioni pa asnjë hetim dhe trajtim nuk i ka marrë në konsideratë ato, megjithëse shqyrtimi tërësor i tyre mund të drejtonin në një vlerësim të kundërt për aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit”, thuhet në ankim.

Komisioneri rendit disa denoncime ndaj prokurores, përgshi marrje të provave jashtë avateve ligjore, ndryshim të cilësimit të veprës penale, mos kryerjen e hetimeve apo procedurave për 6 muaj e të ngjashme, ndërsa thotë se “hetimi i Komisionit për disa prej tyre ka munguar plotësisht”.

Në përfundim ashtu si për kriterin e pasurisë Komisioneri Publik kërkon rihetim të aftësive profesionale të Sevdarit, pasi sipas tij “rezulton se hetimi i Komisionit ka qenë i mangët dhe në disa raste ka munguar plotësisht”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *