Komisioneri i quan të parëndësishme provat e reja të prokurorit Madani
Lajme

Komisioneri i quan të parëndësishme provat e reja të prokurorit Madani

Komisioneri Publik u shpreh gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit se provat e reja nga prokurori Artan Madani nuk ndikonin në qëndrimin e tij. Madani pretendoi se provat dëshmonin qartë situatën e tij.

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të mërkurën qëndrimin e Komisionerit Publik Florjan Ballhysa mbi provat e reja të paraqitura nga Prokurori i Kavajës Artan Madani. Në fjalën e tij Komisioneri theksoi se i kishte shqyrtuar provat e pranuara nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por se ato nuk ndryshonin qëndrimin e paraqitur prej tij më parë për këtë çështje.

Komisioneri kërkon shkarkimin e Madanit duke pretenduar se ai nuk arrin nivel të besueshëm në deklarimin e pasurisë. Ai tha se pretendimet e Madanit në lidhje me kohën kur kishte hyrë në apartament dhe kontrata me OSHE-në si provë në këtë rast, nuk kishin të bënin me ankimin. Komisioneri tha se juridikisht objekti i blerë nga Madani nuk kishte qenë karabina, siç pretendon prokurori.

Ai po ashtu kundërshtoi edhe provat sa i përket krijimit të gjendjes cash dhe të tjera prova të përcjella nga Madani.

Ky i fundit në seancë ripërcolli disa shkresa për të cilat Kolegji kishte lënë detyrë të vinin në formën e kërkuar ligjore. Ndërkohë ai kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit. Avokati dhe më pas Madani këmbëngulën se prova që tregonte kohën e hyrjes në shtëpinë e blerë, burimet financiare për të cilën janë në diskutim, tregonin se ajo nuk kishte qenë e gatshme në vitin 2000. Madani tha se provat e sjella prej tij tregonin qartë historinë e apartamentit. Ai tha se shkresat e lëshuara nga institucionet, të cilave u referohej Komisioneri, ishin kontradiktore dhe dëshmonin se ndërtimi kishte pasur probleme me lejet.

Ngjashëm Madani këmbënguli se dokumentimi i pasurisë së vjehrrit të tij ishte më i plotë dhe vuri në dukje se provat e sjella tregonin qartësisht gjithë pasurinë e tij. Pasi pranoi provat e plotësuara KPA njoftoi shtyrje të seancës për t’iu dhënë kohë palëve të vinin me qëndrimet përfundimtare, ndërsa Komisionerit iu kërkua të paraqiste qëndrimet për provat e reja sëbashku me qëndrimin përfundimtar. KPA deklaroi po ashtu se kishte mbyllur shqyrtimin gjyqësorë të çështjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *