Trupa e KPA gjatë vendimit për ish-inspektorin Pirro Samara. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Komisioneri kërkon ndryshimin e vendimit të KPK për Ibrahim Hoxhën

Komisioneri Publik, Darjel Sina tha në konkluzionet përfundimtare se i qëndronte parashtrimeve të mëparshme për ndryshimin e vendimit të Komisionit  për ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha.

Trupa e KPA gjatë një vendimi.

Ish-gjyqtari i Tiranës, Ibrahim Hoxha nuk u paraqit as në seancën publike të zhvilluar të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA lidhur me ankimin e kryer nga Komisioneri Publik, Darjel Sina.

Komisioneri Publik kërkon ndryshimin e vendimit të shkallës së parë për Hoxhën, ku vetingu u ndërpre pa vendim për shkak se ai u shkarkua si pasojë e një dënimi penal.

Kolegji mbylli hetimin gjyqësor dhe procedoi me vijimin e seancës për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare nga Komisioneri Sina, i cili theksoi se u qëndronte parashtrimeve të tij, si dhe kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe klasifikimin e çështjes si të papërfunduar.

Ish-gjyqtari i Tiranës Ibrahim Hoxha u arrestua në vitin 2016 nën akuzën se mori 600 mijë lekë ryshfet nga një palë në një proces civil, të cilin policia e zbuloi përmes hetimeve me përgjim. Ai u dënua me dy vjet burgim në dhjetor të atij viti dhe u shpall i shkarkuar nga detyra për këtë arsye nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Përveç burgut, Hoxha u dënua me heqjen e së drejtës për të kryer funksione publike për tre vjet.

Në nëntor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha fund procesit të vetingut për Hoxhën pa një vendim përfundimar, nën argumentin se ai është sakaq i shkarkuar nga detyra.

Komisioneri Publik e ankimoi vendimin e KPK-së duke argumentuar se kur u ndryshua Kushtetuta për të krijuar procesin e vetingut, parashikoi vetëm dy rrethana të mbarimit të statusit të magjistratit, atë të ngeljes në veting dhe si pasojë e dorëheqjes. Sina e cilësoi vendimin për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për Hoxhën pa vendim përfundimtar si një rrethanë të paparashikuar nga Kushtetuta. Ai kërkoi në ankim ndryshimin e vendimit të KPK dhe që të deklarohet ndëprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të humbjes së statusit së magjistratit.

Ndërsa gjatë paraqitjes së parashtrimeve më 4 tetor, Sina ndryshoi qëndrim dhe kërkoi që të prishet vendimi i KPK-së për Hoxhën dhe të urdhërohet që procesi i rivlerësimit për këtë subjekt të klasifikohet i papërfunduar – kërkim që u paraqit edhe të mërkurën në konkluziuonet përfundimtare.

Në përfundim të seancës, Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më 14 tetor, ora 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *