Komisioneri kërkon shkarkimin në Kolegj, Islamaj: Pasuria ime është e ligjshme

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbylli shqyrtimin gjyqësor për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj pas konkluzioneve të palëve. Vendimi për karrierën e Islamajt do të shpallet më 22 maj.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dale pas nje seance te Kolegjit të Posaçëm te Apelimit, | Foto nga : LSA

Pas 11 seancave përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa dhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj paraqitën të enjten konkluzionet e tyre përfundimtare.

Komisioneri Ballhysa i qëndroi ankimit të bërë para Kolegjit dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të Islamajt, me argumentin se nuk justifikon pasurinë.

“Deklarimet e gjyqtarit Edmond Islamaj kanë qenë kontradiktore. Ai ka kryer deklarim të pasaktë dhe nga analiza financiare është konstatuar një diferencë negative në vlerën e 6 milionë lekëve,” pretendoi Komisioneri Publik, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të vetingut.

Në fjalën e tij para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari Edmond Islamaj e quajti “mjegullnajë” ankimimin e Komisionerit Publik dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit të tij në detyrë.

“Nuk kemi asnjë pasuri më të madhe nga sa mund të justifikohet ligjërisht. Burimet e pasurisë sonë janë të ligjshme dhe nuk kanë burim të panjohur apo që të kalojë dyfishin, ashtu si parashikon ligji,” tha Islamaj duke këmbëngulur për konfirmimin përfundimtar në detyrë.

Konkluzionet e komisionerit

Edmond Islamaj ishte anëtari i parë i Gjykatës së Lartë që u përball me procesin e vetingut dhe u konfirmua në detyrë më 7 qershor 2018. Por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u kundërshtua nga Komisioneri Publik, i cili e çoi çështjen përballë Kolegjit.

Trupa gjyqësore që do të vendosë përfundimisht për karrierën e Edmond Islamajt drejtohet nga Luan Daci, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Rezarta Schuetz.

Në konkluzionet përfundimtare, komisioneri Ballhysa iu rikthye pasurive objekt ankimi të gjyqtarit Islamaj; një sipërfaqe prej 1 mijë metrash tokë në Kavajë, blerë për 137 mijë lekë në vitin 2015, tre pasuritë në pronësi të bashkëjetueses së subjektit, një apartament 106.7 m2 në pronësi të fëmijëve si dhe një automjet “Land Rover” në bashkëpronësi me babanë e ndjerë.

Për pasurinë tokë “kullotë” në Kavajë, komisioneri u shpreh se çmimi i shitjes ka qenë në favor të subjektit, pasi është më i ulët nga ai i referencës dhe se personi që e ka shitur, e ka kaluar në pronësi të tij pak kohë para se toka të blihej nga subjekti. Sipas komisionerit, kjo pasuri gjendet në një zonë me potencial të madh të zhvillimit turistik.

“Kërkuam hetim për fiktivitetin dhe konfliktin e mundshëm të interesit apo trajtim preferencial të fshehur, por Kolegji u bazua në deklarimet e subjektit, i cili u shpreh se nuk kishte pasur ndonjë konflikt interesi,” pohoi në seancë Ballhysa.

Ai u ndal në tre pasuritë në pronësi të bashkëjetueses së gjyqtarit Islamaj; apartamentin me sipërfaqe 141.13 m2, njësi/ambient tregtar me sipërfaqe 55 m2 dhe garazh me sipërfaqe 16 m2, në Durrës, duke pretenduar se pasuritë nuk janë deklaruar ndër vite.

“Këto pasuri janë deklaruar në deklaratën vetting, por pa burimin e krijimit të tyre,” tha Ballhysa, duke renditur më pas disa prej hetimeve të kryera nga Kolegji, si kërkesat e drejtuara në hipotekën e Durrësit për datën e regjistrimit të këtyre pasurive dhe penaliteteve për vonesat e regjistrimit të pasurisë me 11 vite.

Ballhysa konstatoi se pavarësisht se zyra hipotekore kishte kthyer përgjigje ku thuhej se regjistrimi i pronave ishte kryer në vitin 2001, nuk kishte paraqitur dokumente provuese dhe se në dosjen e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, nuk janë dy fletët ku pasqyrohet deklarimi i pasurive të bashkëjetueses së gjyqtarit Islamaj, S.T.. Më tej, komisioneri konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte nëpërmjet burimeve të ligjshme mundësinë financiare të bashkëjetueses së tij për këto tre prona.

Lidhur me apartamentin 106.7 m2 në pronësi të fëmijëve, që rezulton t’u jetë dhuruar prej babait të tij, komisioneri tha se deklarimet e subjektit kishin qenë kontradiktore.

“Ai ka thënë se mesa ishte në dijeni, babai ka pasur paratë e tij dhe se përderisa nuk jeton më, nuk përjashtonte mundësinë e një huaje,” tha Ballhysa lidhur me deklarimin e gjyqtarit Islamaj. Komisioneri e quajti të kundërt deklarimin e subjektit me atë të A.K., i cili ka thënë se nuk i janë dhënë para cash, por se pagesat janë kryer në bankë. Sipas komisionerit, vërtetohet derdhja e shumës 3 milionë lekë për shitjen e pasurisë së paluajtshme, ndërkohë që mbetet i paqartë burimi i ligjshëm për krijimin e kësaj pasurie.

Komisioneri evidentoi si problematika edhe shitjen e dy mjeteve në vlera më të mëdha se sa ishin blerë edhe pse ishin përdorur prej subjektit dhe bashkëjetuerses së tij për disa vite. Një tjetër pikë e ankimit të tij ishte automjeti “Land Rover” në bashkëpronësi me babanë e ndjerë, ku pjesa takuese e babait të Islamajt ka qenë 12 mijë nga 21 mijë euro.

“Edhe pse subjekti ka deklaruar se shlyerja e kësaj vlere është kryer me tre këste, nuk arrihet të provohet nga dokumentacioni i bankës, pasi nuk duken as vulat dhe as nënshkrimet e punonjësve apo të subjektit,” pretendoi Ballhysa, duke vënë në diskutim edhe të ardhurat e babait të subjektit.

Komisioneri Publik kontestoi analizën financiare të kryer nga Kolegji, duke pohuar në seancë se nuk janë pasqyruar shpenzimet.

“Shpenzimet e kryera nuk mbulohen me burime të ligjshme, pasi nuk mund të përfshihen tek të ardhurat vlerat e shitjes së dy mjeteve për shkak se nuk mund të cilësohen si burime të ligjshme,” pretendoi ai.

Sipas komisonerit, gjyqtari Islamaj ka kryer deklarime të pasaktë për të gjithë periudhën dhe se nga analiza financiare është konstatuar një diferencë negative në vlerën e 6 milionë lekëve.

Në fund, ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të Islamajt me argumentin se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.

Islamaj kërkon rikonfirmim

Anëtari i Gjykatës së Lartë kundërshtoi pretendimet e Komisionerit Publik dhe i kërkoi Kolegjit që të lerë të fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Islamaj tha gjatë fjalës së tij se hetimet e kryera në Kolegj nuk sollën asnjë risi.

“Nuk sollën asnjë risi hetimet. Kam konsideruar të panevojshëm hetimin nga e para, duke injoruar hetimin e bërë për pasurinë nga institucionet përgjegjëse, ILDKPKI dhe Komisioni. Por kolegji pranoi të hetojë shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik,” pohoi gjyqtari Islamaj.

Për pasurinë kullotë në Kavajë, ai shpjegoi se nuk ka pasur shitje të njëpasnjëshme ashtu si pretendon ankuesi, por se ka qenë vetëm një shitje.

“Çmimi i shitjes përfaqëson gjendjen dhe statusin e saj si kullotë, se është e pashfrytëzueshme. Ankuesi e konsideroi padrejtësisht si zonë turistike,” tha gjyqtari.

Ai u ndal tek pronat e bashkëjetueses, duke sqaruar se ato janë deklaruar që në fillim dhe se pasuria është provuar që të jetë trashëguar nga gjyshi i saj. “Bashkëshortja ime ka burime të ligjshme të pasurive. Të provueshme janë edhe të ardhurat e siguruara nga puna e saj në dy OJF,” pohoi Islamaj, duke shtuar se apartamenti ku jetojnë tani ishte përfituar nga akte normale të kalimit të pronës nga pindi tek fëmija.

Islamaj e quajti të paqartë hetimin për pasurinë e bashkëjetueses së tij, ndërsa theksoi se i ati i ka krijuar të ardhurat gjithmonë me punë të ndershme dhe se gjithçka ka qenë e pasqyruar në organet tatimore.

“Komisioneri kundërshtoi gjithçka, duke mjegulluar në mënyrë artificiale burimin e krijimit të pasurive. Doja të theksoja se për llogaritjen e shpenzimeve duhet të merret parasysh ajo e ILDKPKI lidhur me shpenzimet minimale te jetesës,” pohoi Islamaj.

Më tej ai shpjegoi se deklartat periodike janë bazuar në kursimet vjetore, pasi kanë qenë të lidhur me formularët.

“Deklaratat nuk kane pasur rubrikë për shpenzimet. Duke qenë se nuk na është dashur të blejmë shtëpi veç automjeteve, duke mos pasur prekje të kursimeve, nuk ka pasur arsye të deklaroheshin në deklarimin periodik,” tha Islamaj ndërsa shtoi se ka qenë vetë i pari që e ka korigjuar një gjë të tillë, ende pa nisur procesi i rivlerësimit.

“Nuk ka sens ligjor dhe juridik që këto pasaktësi të sjellin shkarkimin tim, pasi nuk janë bërë me qëllim që të fshehin pasuri apo të ardhura,” shtoi ai.

Islamaj theksoi se të gjitha provat e reja kanë përforcuar përfundimin e KPK-së dhe se nuk ka argumente pse të ketë një vlerësim të ndryshëm nga ana e Kolegjit. Sipas tij, nuk ka fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë, pasi pjesa më e madhe e pasurisë është e trashëguar.

“Burimet e pasurisë sonë janë të ligjshme dhe nuk kanë burim të panjohur apo që të kalojë dyfishin ashtu si parashikon ligji,” tha Islamaj.

“Kërkoj lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë,” shtoi ai.

Kryesuesi i trupës gjykuese, Luan Daci deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor për gjyqtarin Edmond Islamaj. Vendimi i Kolegjit për të do të shpallet më 22 Maj, ora 15:00.