Komisioneri Publik akuzon Donika Prelën se tentoi zvarritjen e procesit në Apel

Lajme
Pas rrëzimit të kërkesave për përjashtimin e gjyqtareve Ina Rama dhe Natasha Mulaj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi riçeljen e shqyrtimit gjyqësor për ish-drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, Donika Prela në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto :LSA

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa solli në vëmendje gjatë seancës së të enjtes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA sjelljen e ish-drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, prokurores Donika Prela lidhur me kërkesat e saj për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues, Ina Rama dhe Natasha Mulaj, të cilat janë rrëzuar.

Komisioneri Ballhysa vlerësoi në seancë se kërkesat e Prelës për përjashtimin e dy gjyqtareve kishin për qëllim zvarritjen e procesit.

Ballhysa theksoi se në kërkesat e dorëzuara, përkundër legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, prokurorja Donika Prela ka bashkëngjitur dokumente ku pasqyrohen të dhëna të individëve të tretë, që nuk kanë asnjë lidhje me procesin.

Lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Ina Rama, Ballhysa pohoi se subjekti ka qenë në dijeni të konfliktit të pretenduar, duke sjellë si argument deklaratën e Prelës se “priste që anëtarja e trupit gjykues Ina Rama” të jepte dorëheqjen.

Ballhysa sqaroi se përbërja e trupit gjykues ka qenë publike në faqen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që në vitin 2019 dhe sipas legjislacionit përkatës, konflikti i interesit i pretenduar duhet njoftuar menjëherë pas marrjes dijeni.

“Për shkak se ajo ka qenë në dijeni, kërkesa për përjashtimin e anëtares Ina Rama në seancën e parë është kyer me qëllim shtyrjen e seancës dhe vonesën e procesit. Duke qenë se në frymën e ligjit, parashikohet që subjekti të jetë bashkëpunues, kjo sjellje duhet të merret parasysh nga ana e Kolegjit”, tha Ballhysa.

Ballhysa vijoi se Prela ka qenë në dijeni të trupit gjykues të Kolegjit dhe se duhej të kishte dhënë ajo vetë dorëheqjen nga çështja hetimore ndaj vëllezërve të gjyqtares Natasha Mulaj.

“Duhej të kishte konsideruar se ajo vetë ishte në konflikt interesi dhe të kishte treguar integritet, duke u dorëhequr nga hetimi i çështjes,” pohoi Ballhysa.

Edhe kërkesën për dorëheqjen e Mulajt, Ballhysa e konsideroi përpjekje për të shtyrë seancën dhe për të vonuar procesin.

Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj deklaroi në fillim të seancës se dy kërkesat e prokurores Donika Prela për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues janë rrëzuar si të pabazuara nga dy trupa gjykuese të Kolegjit.

Qëndrimi i Komisionerit për provat e reja

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa paraqiti fillimisht vlerësimin e tij lidhur me provat e reja të dorëzuara nga prokurorja Donika Prela në seancën e 17 Korrikut, kur ajo depozitoi 375 faqe akte me të cilat pretendonte se vërtetonte se kishte patur burime të ligjshme për krijimin e pasurive që zotëron.

Prela pretendoi se vërtetonte pagesën e detyrimeve për të ardhurat e bashkëshortit; mundësinë financiare të huadhënësit të 15 mijë eurove dhe se një e punësuar në të njëjtën shoqëri ndërtuese me bashkëshortin kishte blerë nga kjo kompani një apartament në vlerën 12 mijë euro që sipas saj ishte e përafërt me shumën 1.5 milionë lekë që ata kishin paguar.

Ballhysa i qëndroi shkaqeve të ngritura në ankim edhe pas shqyrtimit të provave të reja, duke pretenduar se Prela nuk arrin nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë.

Ballhysa tha se aktet e dorëzuara së fundmi nga prokurorja Prela tregojnë veprime të kryera pas ankimit dhe se duhet të merren me rezerva nga ana e Kolegjit.

Ai ritheksoi se nuk u arrit të provohej mungesa e dijenisë së bashkëshortit të Prelës për shmangien e detyrimeve, pasi rezultonte se një pjesë të pagës e kishte marrë në bankë, ndërsa tjetrën në arkën e shoqërisë ku punonte. “Duhet të konsiderohen me rezerva pretendimet e subjektit për pagimin e detyrimeve gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit”, tha Ballhysa.

Edhe lidhur me vlerën nga qiraja, Komisioneri pohoi se ato mund të vlerësoheshin të ligjshme vetëm në rastin kur detyrimet tatimore kryheshin në kohën e duhur, kur ishte përfituar vlera. Ballhysa i qëndroi argumentit të tij se Prela ka patur njohuri në fushën financiare, duke qenë se kishte shërbyer në sektorin e Task-Forcës që heton krimin ekonomik.

Lidhur me pretendimet e Prelës se ishte në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar gjithë dokumentacionin e punësimit të huadhënësit Gj.P., Ballhysa shpjegoi se kjo gjë nuk mund të bazohej me anë të dokumenteve të lëshuara nga subjekte private të një shteti tjetër, në këtë rast të një noteri grek. Ai shtoi se në dokumentin bankar me të cilin Prela pretendon se është tërhequr vlera 1.4 milionë nga huadhënësi Gj.P., pasqyrohet se është kryer rivendosje në afat i depozitës dhe jo tërheqje. Sipas Ballhysës, Prela nuk ka patur mundësi financiare për shlyerjen e huasë 15 mijë euro.

Ballhysa tha se provat e reja nuk e ndryshojnë situatën e trajtuar në ankim lidhur me blerjen e një apartamenti në Durrës në vlerën 1.5 milionë lekë. Sipas tij, Prela dhe bashkëshorti i saj nuk kanë patur mundësi për blerjen e kësaj pasurie dhe se vlera e përfituar nga shitja nuk mund të konsiderohet si burim për apartamentin e blerë në Tiranë.

Komisioneri mbajti të njëjtin qëndrim si në ankim, edhe për dy transaksionet e kryera nga bashkëshorti i Prelës, të cilat janë raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave – lidhur me një hua prej 25 mijë eurosh, e cila nuk figuron në deklaratat e pasurisë dhe i dyti për një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh, që bashkëshorti i subjektit kishte kryer në favor të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë, ndërkohë që rezultonte i punësuar në Bashkinë Tiranë.

Komisioneri Publik vlerësoi se edhe pas dorëzimit të provave të reja, pretendimet e prokurores Donika Prela mbeten në nivel deklarativ. “Mbetet konkluzioni se subjekti është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë,” tha Ballhysa. Sipas Komisionerit, Prela ka qenë në pamundësi financiare për krijimin e pasurive në vlerën 7.6 milionë lekë.

Denoncimet

Lidhur me denoncimin për standarte të dyfishta në hetimin e dy personave të proceduar për të njëjtën vepër penale, Ballhysa e quajti të pavend pretendimin e Prelës se këtë standart të dyfishtë e ka mbajtur policia. Komisioneri Publik vlerësoi se është prokurori ai që ka autoritetin të ushtrojë ndjekjen penale dhe jo oficeri i policisë.

Për denoncimin tjetër, ku pretendohet për zhdukje të akteve të një kallëzimi penal kur Prela ishte drejtuese e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ballhysa tha se SPAK kishte kthyer përgjigje se nuk e ka në protokoll shkresën në fjalë. Komisioneri kërkoi që ky denoncim të merrej në konsideratë në vlerësimin e përgjithshëm.

Ballhysa u shpreh edhe për blerjen e një apartamenti prej 185m2 në Tiranë, i cili është denoncuar nga një agjenci mediatike.

Ai tha se për apartamentin e blerë në vlerën 110 mijë euro në vitin 2018, Prela ka deklaruar si burim krijimi shumën 80 mijë euro nga shitja e apartamentit të mëparshëm në Tiranë dhe 30 mijë euro që rridhnin nga vlera 4 milionë lekë e shitjes së apartamentit në Durrës, për të cilën Komisioneri vlerëson se nuk kishin patur burime financiare të ligjshme për ta blerë.

Shkurtimisht, Prela u ndal tek denoncimet gjatë seancës dëgjimore, ndërkohë që për aspektin financiar kishte zgjedhur si mbrojtëse ligjore avokaten Blerina Dodaj.

Prela deklaroi se kishte dhënë shpjegime të plota lidhur me denoncimin për zhdukjen e akteve të kallëzimit. Ajo tha se kallëzimet janë të regjistruara dhe se vetëm një material kallëzues nuk gjendet. “Drejtuesi nuk është marrësi në dorëzim i postës,” pohoi Prela.

Lidhur me denoncimin për blerjen e apartamentit të ri në vitin 2018, Prela tha se e kishte deklaruar vullnetarisht këtë pasuri. “Ne i kemi patur kontaktet me shitësin, i cili nuk ka proleme me ligjin dhe jo me shitësin e shitësit. Të gjitha veprimet për blerjen e apartamentit janë ligjore,” shpjegoi prokurorja Prela.

Më pas ajo dha qëndrimin e saj ndaj denoncimit të kryer nga një media. Sipas Prelës, kjo media e kishte bërë shkrimin e parë kundër saj pas procedimit penal që ajo kishte regjistruar kundër ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Prela shtoi se edhe njëri nga gazetarët e portalit ka qenë i proceduar në kohën që ajo drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa akuzoi se portali përdorej përmes shpifjes nga njerëz që u janë prekur interesat nga hetimet e saj.

“Ishte hera e parë që procedohej një Prokuror i Përgjithshëm,” shtoi Prela.

Përfaqësuesja ligjore e Prelës, avokatja Blerina Dodaj, i kërkoi trupit gjykues që të riçelë shqyrtimin gjyqësor.

Ndërkohë, ajo kërkoi kohë për t’u njohur me çështjen duke argumentuar se ishte zgjedhur pak kohë më parë nga Prela si mbrojtëse ligjore. Dodaj kërkoi që në seancën e ardhshme të mund të debatonte mbi provat e reja dhe më pas të paraqiste konkluzionet përfundimtare.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe shtyrjen e seancës për më datë 11 shtator, ora 10:00, kur palëve ju kërkua që të paraqesin konkluzionet përfundimtare.