Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik ankimon “hetimin e paplotë” në rivlerësimin e gjyqtares Kosova

Komisioneri Publik kontestoi hetimin pasuror të KPK-së për gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova, duke argumentuar se pjesë e verifikimeve duhej të ishin bërë edhe likujditetet e familjarëve të saj.    

Seanca e KPK-së për gjyqtaren Nertina Kosova | Foto: BIRN

Komisioneri Publik ankimoi të hënën vendimin e shkallës së parë për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova, me argumentin se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka kryer “hetim të plotë dhe të gjithanshëm” për pasurinë e familjarëve të gjyqtares.

Përmes ankimimit, komisioneri publik, Florian Ballhysa i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të kryejë vetë një hetim dhe vlerësim mbi burimin e pasurisë së gjyqtares Kosova dhe personave të lidhur me të, para se të marrë njërin nga vendimet alternative: rrëzimin e vendimit të KPK-së apo konfirmimin e saj përfundimtar në detyrë.

Gjyqtarja Kosova e kaloi me sukses procesin e vetingut në shkallë të parë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se ajo kishte nivel të besueshëm të kriterit të pasurisë dhe më 18 korrik 2018 vendosi konfirmimin e saj në detyrë.

Por Komisioneri Publik argumenton se KPK nuk ka kryer një hetim të thelluar për burimin e një apartamenti 120 metra katrorë që gjyqtarja Nertina Kosova zotëron si dhe për asetet e zotëruara nga babai dhe vëllai i tij, të cilët Komisioneri i cilëson persona të lidhur.

Lexoni edhe:

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Nertina Kosova

Skeda e pasurisë së deklaruar-Nertina Kosova-gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda

Sa i përket apartamentit të blerë në vitin 2006, gjyqtarja Kosova ka deklaruar si burim një kredi bankare prej 5 milionë lekësh si dhe 1 milion të tjera kursime. Duke iu referuar faktit se gjyqtarja Kosova nuk kishte deklaruar kursime në vitet e para të karrierës, KPK i kaloi asaj barrën e provës për shumën e rreth 1.8 milionë lekëve që rezultonin të pajustifikuara.

Gjatë procesit në shkallë të parë, gjyqtarja Nertina Kosova deklaroi se burimi i mësipërm ishin të ardhurat familjare, mes të cilave edhe të ardhurat e saj në kohën që jetonte pranë familjes. Ajo dokumentoi gjithashtu se babai i saj zotëronte një llogari bankare prej 1.9 milionë lekësh, e cila kishte shërbyer pjesërisht si burim për shumën e mësipërme.

Por Komisioneri Publik ngre pikëpyetje mbi thellësinë e hetimit të KPK, duke theksuar se gjyqtares duhej t’i kalonte barra e provës për të gjitha asetet e padeklaruara të babait të saj si person i lidhur, përfshi edhe depozitën prej 1.9 milionë lekë. Komisioneri e mbështet këtë argument edhe në faktin se deri në vitin 2011, gjyqtarja Kosova ka qenë në të njëjtin trung familjar me prindërit dhe vëllanë e saj.

Komisioneri Publik evidenton më tej se KPK duhej të kishte hetuar mbi burimin e një shume prej 22 350 dollarë, që vëllai i subjektit të rivlerësimit kishte transferuar në një llogari bankare jashtë shtetit si dhe mbi një borxh prej 7 milionë lekësh i marrë nga babai i gjyqtares dhe i investuar pjesërisht prej tij në bono thesari.

Komisioneri Publik rendit një listë të likujditeteve të familjarëve, për të cilat konstaton se nuk ka pasur hetim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“…Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kriterin e pasurisë, referuar gjendjes së fakteve nuk ka qenë i plotë dhe i gjithanshëm për krijimin e bindjes se subjekti i rivlerësimin arrin nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë së tij, në kuptim të nenit 59/1 të ligjit nr.84/2016.” thuhet në ankimin e dërguar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit hetimin e fakteve të mësipërme, për të vendosur më pas lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares Nertina Kosova ose rrëzimin e këtij vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *