Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e gjyqtares Alkelina Gazidede

Lajme
Pas një rekomandimi kritik të ONM-së, edhe Komisioneri argumenton se vendimi i KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit Administrativ, Alkelina Gazidede është bërë në kushtet e interpretimit të gabuar të ligjit.

Gjyqtarja Alkelina Gazidede gjatë seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj

Pas një rekomandimi kritik të ONM-së, edhe Komisioneri Publik ankimoi të enjten në Kolegj vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Alkelina Gazidede, duke kërkuar shkarkimin e saj nga detyra.

Ankimi i komisionerit Darjel Sina përfshin kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, ndërsa Kolegjit i kërkohet që ta shqyrtojë çështjen me prioritet, për shkak të referimit të subjektit në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtarja Gazidede u konfirmua në detyrë më 10 korrik nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Firdes Shuli, ndërsa dy çështje për të cilat ajo u akuzua se kishte konflikt interesi dhe kishte shkelur parimin kushtetues të paanshmërisë u dërguan për procedim disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë –bashkë me dy vendime të Gjykatës së Lartë që i kishin rrëzuar ato.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e kritikoi vendimin e KPK-së për t’i transferuar çështjet, duke e komentuar këtë si “heqje dorë nga detyra kushtetuese”.

Edhe Komisioneri Publik argumenton në ankim se transferimi i çështjeve drejt Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është bërë në kushtet e interpretimit të gabuar të ligjit dhe se Gazidede nuk përmbushte kriterin minimal kualifikues për etikën dhe aftësitë profesionale.

“Vendimmarrja e Komisionit për transferimin e dy çështjeve organit inspektues është rrjedhojë e interpretimit të gabuar të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016. Konflikti i interesit është një situatë që prek edhe pjesën etike të një magjistrati, veçanërisht në kontekstin përsëritës si në rastin e znj. Gazidedja, fakt i cili duhet ta kishte drejtuar Komisionin në një konkluzion ndryshe…,” thotë Komisioneri në ankim.

Dy dosjet e transferuara lidhen me gjykimin e një çështjeje me palë kompaninë Albtelecom, ku familjarët e gjyqtares Gazidede zotëronin aksione si dhe me shqyrtimin e së njëjtës çështje edhe në shkallë të parë, edhe në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Përballë KPK-së, Gazidede u mbrojt me argumentin se pavarësisht konfliktit të interesit në dukje, aksionet në Albtelecom ishin të papërfillshme dhe se ata nuk kishin përfituar asnjëherë dividend. Ndërsa për çështjen e dytë, Gazidede deklaroi se nuk kishte dhënë komente apo mendime dhe se nuk kishte marrë pjesë në gjykimin e çështjes në themel –argument që u pranua nga Komisioni.

Përveç kriterit të aftësive profesionale, Komisioneri Publik argumenton në ankim se gjyqtarja Alkelina Gazidede nuk ka arritur nivel të besueshëm edhe në kriterin e pasurisë. Ndryshe nga sa vlerësoi KPK, ankimi i Komisionerit Publik thekson se subjekti është në kushtet e mungesës së të ardhurave të ligjshme për të justifikuar asetet dhe shpenzimet dhe se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.