Komisioneri Publik ankimon në të tre kriteret vendimin për Rilinda Selimin
Lajme

Komisioneri Publik ankimon në të tre kriteret vendimin për Rilinda Selimin

Komisioneri Publik njoftoi ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të vendimit të KPK për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Apelit Rilinda Selimi. Komisioneri thotë se në gjendjen që janë aktet Selimi nuk arrin nivel të besueshëm.

Gjyqtarja Rilinda Selimi duke dalë nga seanca dëgjimore e KPK-së | Foto : Edmond Hoxhaj

Duke u bazuar kryesisht mbi një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Komisioneri Publik Dariel Sina ankoi të premten në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren Rilinda Selimi.

Sina i kërkon KPA të rihetojë në të tre kriteret Selimin, ndëra thotë se në gjendjen që ishin aktet përfundimi i arritur nga KPK nuk ishte i duhuri. “Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se në gjendjen që janë aktet, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”, thuhet në ankim.

Selimi, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.

“Karburanti dhe kontratat e tij të qirasë, shitja e makinave më shtrejtë se çmimi i blerë, dhënia me qira e një apartamenti në Vlorë me çmim dyfish më të lartë se qiraja që paguante subjekti në qendër të Tiranës, dështimi për të paguar taksat, vendime të gjykatës në favor të saj në mënyrë të paarsyeshme,” numërohen arsyet në rekomandimin e ONM.

Rilinda Selimi është bashkëshortja e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga institucionet e vetingut për lidhje me krimin e organizuar dhe sipas ONM-së hetimi në këtë pjesë nuk kishte qenë shterues.

Në ankim Komisioneri rendit dhejtë çështje për rihetim nga Kolegji. Çështjet përfshijën të treja kriteret, atë të pasurisë, të figurës dhe atë të profesionalizmit.

Komisioneri kërkon ndër të tjera hetimin e mundësive të vjehrrit për të krijuar  të  ardhura  të  ligjshme  në shumën 101.000 euro, mundësinë e krijimit të të ardhurave të ligjshme për  kursimin  e  shumës  10.000  euro nga  Selimi dhe bashkëshorti, të ardhurat e siguruara nga pasuria “Pika e karburantit”,  hetimin mbi pronësinë e ndërtesës 3-katëshe në, Fushë-Krujë e rregjitrsuar në emër të vjehrrit, hetimin e apartamentit me sipërfaqe 155 m2 në Tiranë, dy makina në përdorim të saj, kontaktet e papërshtatshme të mundshme të subjektit të rivlerësimit, qëndrimin e subjektit mbi mungesën e detyrimit ligjor për pagimin e taksave në rivlerësimin e etikës dhe profesionalizmit, vendiin e gjykatës së Tiranës në favor të saj, si dhe “ekzistencën e mundshme të  gjendjes së konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrës”.

Komisioneri Sina thotë se vetëm pas hetimit të këtyre çështjeve, duhej të vendosej për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo për lënien e tij në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *