Komisioneri Publik ankon konfirmimin në detyrë të Elvin Gokajt

Komisioneri Publik Lajme
Komisioneri Publik në kërkesën drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vë në dukje se prokurori Gokaj, i cili u pezullua nga detyra për shkak të problemeve të profesionalizmit, duhej të ishte shkarkuar. Komisioneri kërkon rivlerësim në të tri kriteret.

Prokurori i Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Apelit të Shkodrës Elvin Gokaj u pezullua me vendimin e shumicës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, e cila pasi gjeti mangësi në vlerësimin profesional vendosi pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm.

Por Komisioneri Publik Dariel Sina, ashtu si pakica në KPK, arsyeton se ai duhej të ishte shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia. Sina i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të premten të rivlerësojë prokurorin në të tri kriteret. (Ankimi)

Gokaj u konfirmua nga KPK më 24 korrik me vota të Genta Tafa(Bungo) relatore dhe Pamela Qirko anëtare, ndërsa kryesuesja e trupës Xhensila Pine në pakicë arsyetoi për shkarkimin e tij.

Komisioneri Publik thotë se vendimi i shumicës është i cënueshëm dhe arsyetimi i saj sa i përket pasurisë, profesionalizmit dhe figurës nuk është i saktë. “Përfundimet e Komisionit për këtë kriter kontrolli ndaj subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara”, thuhet në ankimin e Sinës.

Sina thotë se Gokaj nuk ka dhënë prova konkrete dhe shpjegime bindëse lidhur me shpenzimet e kryera për blerjet e pasurisë ka bërë deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare. Ankimi fokusohet kryesisht te pagesa e një apartamenti në Durrës, një huamarrje dhe disa llogari bankare.

Sina po ashtu lundërshton përfundimin e arritur në kriterin e kontrollit të figurës, pasi thotë se vendimi për këtë kriter është marrë pa pritur informacionin nga ana e SHISH-it.

Sipas Komisionerit edhe vendimi sa i përket aftësive profesionale duhej të ishte i ndryshëm. “Gjithashtu, lidhur me kriterin e aftësive profesionale, nga Komisioni janë konstatuar problematika të cilat, nëse do të merreshin në konsideratë në një vlerësim tërësor të procedurave, do të duhet të çonin në një vendim të ndryshëm nga sa ka konkluduar Komisioni”, thuhet në ankimin drejtuar KPA.

Sina kundërshton faktin se Gokaj do të konfirmohej në detyrë pas testimit të aftësive prefesionale pas një viti, pasi thotë se ai nuk arrin nivel të besueshëm në dy kriteret e tjera dhe se shkeljet në kriterin e profesionalizmit janë të tilla që cënojnë besimin e publikut te drejësia.

“(Duke)Marrë në konsideratë se një numër i konsideruar i rasteve me mangësi të theksuara në gjykim janë konstatuar si rezultat i denoncimeve të ardhura nga publiku, thellon bindjen për cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në ankim.

Në fund Komisioneri Publik i kërkon KPA-së marrjen parasysh të ankimit dhe “Ndryshimin e vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Elvin Gokaj”.