Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik: Dorëheqja e Llallës nuk është “formalisht e ligjshme”

Kolegji i Apelimit dëgjoi pretendimet e palëve në seancën e dytë të procesit kundër pushimit prej KPK-së të vetingut ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Komisioneri Publik pretendoi gjatë seancës se Llalla ka ende status të magjistrit, ndërsa avokati tha se dorëheqja ishte shprehje vullneti dhe s’mund të mohohej.

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçem të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi të enjten seancën dëgjimore me palët, në procesin e ngritur nga Komisioneri Publik i cili kërkon prishje të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rifillim të vetingut ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Seanca filloi me shqyrtimin e prokurës së lëshuar nga Llalla për avokatin Sokol Hazizaj. Sipas saj Llalla, ndaj të cilit ka një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, më 28 maj ndodhej në Turqi – prej nga ishte lëshuar edhe dokumenti. Prokura u gjet e vlefshme nga trupa me pesë gjykatës e KPA-së e cila kryesohej nga Sokol Çomo, ndërkohë pas kësaj u dëgjuan pretendimet e palëve dhe u morën në shqyrtim prova të reja.

Komisioneri Publik i cili ka apeluar mbylljen e procesit të vetingut ndaj Llallës, pretendoi se dorëheqja e tij dhe largimi nga sistemi gjyqëaoe nuk ishin “formalisht të ligjshme” dhe kërkoi prishje të vendimit të KPK-së. Nga ana e tij avokati këmbënguli se dorëheqja ishte vullnet dhe nuk mund të mohohej, ndërsa kërkoi që vendimi i KPK të mbetej në fuqi.

Procesi i rivlerësimit për ish-kryeprokurorin Llalla nisi në nëntor 2017 dhe u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ai dha dorëheqjen nga mundësia për të marrë një pozicion tjetër në sistemin e drejtësisë më 12 shkurt 2018.  Por vendimi i pushimit u kundërshtua nga Komisioneri Publik. Përfaqësuesit e këtij institucioni, Florian Ballhysa dhe Dariel Sina, thanë në seancë se Llalla e kishte paraqitur dorëheqjen në Presidencë, ndërkohë që duhej të ishte paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm – dy institucione që ushtrojnë disa nga funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik pretendoi në seancë se KPK nuk i kishte verifikuar procedurat e dorëheqjes, ndërsa vuri në dukje se formalisht Llalla nuk ishte dorëhequr për sa kohë që sipas komisionerit ai vijonte të kishte statusin e magjistrit dhe atë të prokurorit. Sipas komisionerit Llalla duhej ta kërkonte largimin nga KLD si magjistër dhe kandidat për në Gjykatën e Apelit, ndërsa po ashtu vijonte të kishte status prokurori sa kohë nuk ishte shkarkuar nga presidenti. “Nuk ka një dekret të presidentit që e shkarkon nga detyra si prokuror”, pretendoi Komisioneri Publik, sipas të cilit KPA duhej ta prishte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ta rikthente për shqyrtimin rastin e Llallës.

Në krahun tjetër avokati i Llallës argumentoi se dorëheqja ishte vullnet dhe se e drejta për të nuk mund të mohohej. Hazizaj tha se Llalla i qëndronte dorëheqjes dhe se kjo nuk mund t’i mohohej. Hazizaj e filloi mbrojtjen duke i përmendur KPA-së se Llalla kishte një karrierë të pasur në institucionet e drejtësisë. “Jeta e tij është krijuar bashkë me këto institucione”, tha Hazizaj. Ai theksoi se dorëheqja në këtë rast është bazuar në Kushtetutë do të thoshte largim nga sistemi dhe nga çdo përfitim apo detyrim e status që mund të pretendohej prej të qenit pjesë e sistemit. I pyetur nëse Llalla i qëndronte dorëheqjes avokati tha: “padyshim”. Ai tha se për këtë arsye Llalla nuk mund të ishte më subjekt i rivlerësimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i kryesuar nga Sokol Çomo, relatori Luan Daci dhe anëtarët Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari, pasi pranoi si provë një kërkesë dorëheqje dhe vendim largimi nga detyra të Llallës në vitin 2008, kur u emërua drejtues i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, rrëzoi kërkesën e avokatit për ti dhënë 10 ditë kohë për konkluzionet përfundimtare dhe caktoi seancën e rradhës mesditën e 6 qershorit.

Seanca e parë në këtë proces pati dështuar përshkak se avokati nuk qe në gjendje të konfirmonte që Llalla ishte njoftuar për këtë proces.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *