Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

Komisioneri Publik kërkon lënien në fuqi të konfirmimit të gjyqtarit Ramiz Lala

Komisioneri Publik, Florian Ballysa i cilësoi jo shkarkuese problemet e evidentuara në dy vendimmarrje të gjyqtarit te Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, si dhe balancat negative në disa vite. Lala pretendoi se vendimet i kishte marrë bazuar në ligj; se kishte pasur burime të ligjshme për shpenzimet e investimet e kryera dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij në detyrë.

Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën me konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa lidhur me ankimin e ngritur prej tij ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala – si dhe me konkluzionet e këtij të fundit.

Në përfundim të konkluzioneve, Komisioneri Ballhysa deklaroi se gjetjet për profesionalizmin dhe balanca negative për pasurinë nuk janë të mjaftueshme për shkarkimin e gjyqtarit Lala, i cili edhe ky kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

Gjyqtari Ramiz Lala u konfirmua më 26 korrik 2019 nga KPK. Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë; një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës, si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall. Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK, që sollën përmbysjen e balancës negative.

Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rihapi procesin e vetingut për Lalën dhe Komisioneri kërkoi hetimin e dy vendimarrjeve të të tij lidhur me çështje me palë paditëse dy punonjës policie dhe palë të paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjithshtu, gjatë procesit në Kolegj u krye edhe analizë financiare prej nga rezultoi balancë negative në shumën 939 mijë lekë për vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016. Ballhysa në ankim kërkoi ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit.

Gjatë seancës së të mërkurës, Komisioneri tha se u qëndronte parashtrimeve lidhur me dy çështjet e analizuara për kriterin e profesionalizmit.

Ai tha se në vendimarrjen e vitit 2019, me palë pditëse S.R. dhe palë e paditur Policia e Shtetit, kishte elementë që duhet të shqyrtohen nga kolegji në funksion të rivlerësimit për profesionalizmin, konkretisht ato që kishin të bënin me gjënë e gjykuar dhe shkaktimin e dëmit pasuror përtej përcaktimit në vendimin e Gjykatës së Lartë nëpërmjet masës së dëmshpërblimit të caktuar nga Lala.

Për vendimin tjetër të vitit 2017, me palë paditëse A.Gj. dhe palë e paditur, po Policia e Shtetit, Ballhysa evidentoi si element që duhej shqyrtuar dhënien e gradës gjyqësisht, pa iu nënshtruar më parë procesit të konkurrimit.

Por, Ballhysa i konsideroi problemet e konstatuara të pamjaftueshme për ta vlerësuar gjyqtarin Ramiz Lala të papërshtatshëm për profesionalizmin.

Ai shtoi se edhe balanca negative në shumën 939 mijë lekë e konstatuar në katër vite që i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit, nuk është e mjaftueshme për ta kualifikuar deklarimin për pasurinë si të pamjaftueshëm.

Komisioneri evidentoi se shkaqet veçmas nuk janë shkarkuese dhe në përfundim kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Ramiz Lala dhe transferimin për inspektim të vendimit nr. 254, datë 14 maj 2019, me palë paditëse S.R. dhe palë e paditur Policia e Shtetit.

Gkyqtari Lala e kundërshtoi konstatimin e Komisionerit se në këtë çështje kishte pasur gjykim të gjësë së gjykuar. Ai theksoi se nuk u provua se i është shkaktuar dëm shtetit.

“Kam mbrojtur të drejtat kushtetuese të subjekteve”, deklaroi Lala dhe evidentoi se në gjykatën administrative ishin shqyrtuar me qindra kërkesë padi lidhur me punën, të kryera nga punonjësit e policisë ndaj Policisë së Shtetit.

Lala këmbënguli se kishte burime financiare të ligjshme për shpenzimet dhe investimet e kryera gjatë viteve që u konstatua balancë negative dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij në detyrë.

Kolegji vendosi të tërhiqet për vendimmarrjen përfundimtare, si dhe të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit në datë 12 korrik, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *