Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik kërkon në Apel shkarkimin e gjyqtarit Faqolli

Dy javë pas zbardhjes së vendimit të KPK për konfirminin e gjykatësit Astrit Faqolli, Komisioneri Publik Florian Ballhysa njoftoi ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit duke kërkuar shkarkimin e gjykatësit i cili sipas tij ka bërë “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”.

Gjyqtari Astrit Faqolli gjatë një seance gjyqësore.

Ndërsa vlerëson si të bazuar në prova vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kriteret e pastërtisë së figurës dhe atë të profesionalizmit, Komisioneri Publik pretendon se gjyqtari i Tiranës Astrit Faqolli nuk duhej konfirmohej në detyrë për mospërmbushje të kriterit të deklarimit të pasurisë.

Në kërkesën që i bën Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Florian Ballhysa, thotë se Faqolli nuk arrinte nivel të besueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë.  “Komisioneri Publik, çmon se mbështetur në provat e administruara gjatë hetimit administrativ, vendimi nr.47, datë 25.07.2018 duhet të ndryshohet, duke u vendosur shkarkimi nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Astrit Faqolli, për shkak të deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë”, thuhet në kërkesën për apelim.

Komisioneri argumenton se sa i përket pasurisë “vendimi i Komisionit nuk gjen mbështetje në aktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ”.   Sipas Komisionerit përfundimet e treshes që gjykoi Faqollin e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Roland Ilia ishin “të gabuara përsa i takon vlerësimit të pasurive”, ndërsa bazuar në dosjen që ka pasur në shqyrtim edhe KPK ai arrin në përfundimin se gjykatësi duhej shkarkuar.

Apelimi i konfirmimit të gjykatësit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, është i katërtii kërkuar nga Komisioneri Publik, i cili është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë dhe ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut. Më herët ai ka apeluar vendimet e KPK-së për anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamajn dhe kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe gjykatësen Alma Brati.

Komisioneri po ashtu ka bërë publike se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili vëzhgon procesin, i ka kërkuar të apelojë vendimet e KPK-së për gjykatësit Xhezair Zaganjori, Artur Malaj e Gentian Medja dhe prokurorin Gentjan Osmani.

Në apelimin e gjykatësit Faqolli Komisioneri thotë se gjen të pa provuar arsyetimin e KPK sa i përket kursimeve të Faqollit dhe po ashtu nuk bie dakord me vendimin e KPK për t’i konsideruar si të parëndësishme pasaktësitë në deklarimet vjetore të gjykatësit.

Nga analiza që bën Komisioneri, rezulton se për të justifikuar 5 milion lekë kursime prej vitit 1997 deri në vitin 2003, KPK ka pranuar të rrisë me 5 për qind marzhin e fitimit të farmacisë që zotëronte bashkëshortja e gjykatësit. Por Komisioneri thotë se KPK nuk kishte prova për të rritur këtë marzh fitimi, ndërsa thotë se marzhi maksimal për periudhën ishit 35 për qind dhe se bazuar mbi këtë fitim Faqolli dhe bashkëshortja nuk mund të kursenin sasinë e pretenduar. Komisioneri thotë se mbi këto llogari bashkëshortët duhej të kishin kursyer për një periudhë 7 vjeçare më shumë se 80% të të ardhurave të tyre.

Po ashtu përndryshe nga KPK, Komisioneri thotë se pretendimi i Faqollit se kishte bërë një ngatërresë duke deklaruar në lekë të vjetra kursimet në vitet 2004 dhe 2005, nuk duhej të ishte vlerësuar si jo-shkarkues nga KPK.

Komisioneri thotë se deklarimet e bëra më parë tek ILDKPKI kishin vlerën e provës dhe se arsyetimi i KPK-së për të mos i marrë ato parasysh krahasimisht me deklaratën e plotësuar për efekt të vetingut ishte problematik.  “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, një interpretim i tillë, që po përsërtitet në rrethana të ngjashme nga ana e Komisionit, në disa vendimeve radhazi, ka nevojë për të gjetur trajtim shterues, me qëllim shmangien e praktikave të ndryshme”, thuhet në kërkesën e apelimit.

Konkretisht për rastin Faqolli Komisioneri thotë se argumenti që përdor KPK, duke i cilësuar pasaktësitë në deklarimet për kursime në vitet 2004-2005 si jo të rëndësishme, “është i mangët dhe joligjor”. Sipas Komisionerit Ballhysa përfundimi i arritur nga KPK rrëzohej edhe “për faktin e thjeshtë se subjekti në deklarimin fillestar periodik vjetor të vitit 2003, nuk ka pasur “gabime të tilla” duke deklaruar saktë vetëm monedhën zyrtare  “lekë të rinj”.

Po ashtu Komisioneri thotë se shpjegimet e dhëna nga gjykatësi nuk qëndrojnë llogjikisht dhe se brenda të njëjtës deklaratë “(ai) Gabon vetëm në deklarimin e kursimeve në “lekë të vjetër” ndërsa të ardhurat i deklaron drejtë, në “lekë të rinj”. Nga sa më sipër bindshëm vërtetohet që deklarimi i subjektit për kursimet 2004 -2005 është i pamjaftueshëm”, thuhet në kërkesën për apel.

Po ashtu Komisioneri thotë se KPK nuk ka vlerësuar si duhet një deklarim të vitit 2006 të subjektit. Sipas tij në deklaratën vjetore Faqolli ka bërë me dije ulje të kursimeve Cash në vlerën 2.3 milion lekë, por në deklaratën veting dhe në pyetësorin e bërë prej KPK thotë se ky ka qenë deklarim i gabuar dhe se në fakt ai kishte shpenzuar në vitin 2006 të gjitha kursimet në vlerën 5.1 milion lekë.

KPK pavarësisht se e ka gjetur të pabazuar këtë deklarim të vitit 2006, nuk i ka dhënë atij rëndësi duke e konsideruar po ashtu një gabim, por Komisioneri thotë se deklarimi ëshë i pavërtetë dhe vlerëson se për mes këtij deklarimi “Subjekti është përpjekur të fshehë dhe paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në pronësi”.

Po ashtu Komisioneri duke u bazuar në një llogaritje të vetën ku merr në konsideratë si marzh fitimi për farmacinë 35 për qind të xhiros thotë se Faqollit i mungonin rreth  1.1 milion lekë për të kryer blerjen e shtëpisë në vitin 2006.

Komisioneri gjithashtu pretendon se KPK duhej të kishte hetuar më shumë sa i përket burimit të të ardhurave të kunatit të gjyqtarit, i cili i ka dhënë këtij të fundit një hua prej 10 mijë eurosh. Sipas Ballhysës KPK është mjaftuar të konstatojë se kunati i Faqollit kishte mundësi financiare të jepte huanë, por nuk kishte hetuar në ligjshmërinë e të ardhurave të tij.

“Komisioni duhet të dilte në përfundimet përkatëse për ligjshmerinë e të ardhurave të personit tjetër të lidhur, vetëm pasi të krijonte bindjen se ato (të ardhurat) ekzistonin në momentin e blerjes së apartamentit në vitin 2000 dhe se ekzistenca e tyre justifikohej nga burime të ligjshme”, thuhet në kërkesën për KPA.

Komisioneri ka gjetur se KPK nuk kishte hetuar mjaftueshëm transaksionet mbi një makinë. Sipas Komisionerit nuk është depozituar asnjë kongtratë noteriale apo dokument që do të vërtetonte këtë transaksion.

Ai po ashtu ka gjetur magësi në hetimin e KPK për ndërtimin e një godine tre katëshe në Librazhd. Sipas Komisionerit KPK nuk ka hetuar në këtë rast nëse një person i deklaruar si huadhënës kishte të ardhura të mjaftueshme. Komisioneri thotë se përndryshe nga KPK atij i rezulton bazuar në një dokument nga administrata tatimore, se personi që ka dhënë huan nuk kishte të ardhura për të bërë këtë.

Komisioneri po ashtu ka gjetur probleme në deklarimet e pasurisë në vitet 2014 dhe 2015 dhe kontradikta në disa prej deklarimeve të Faqollit, ndërsa nuk bie dakord me arsyetimin e KPK-së për t’i marrë të mirëqena justifikimit e gjykatësit. Sipas tij ndryshe nga sa arrin në përfundim KPK subjekti nuk ka pasur të ardhura në këto vite për të shlyer huatë e marra më herët dhe se deklarimet kontradiktore duhej të rëndonin pozitën e tij.

“Përsa më sipër, konkludojmë se deklarimet kontradiktore të subjektit kanë pasur qëllim justifikimin e shpenzimeve dhe kursimeve të deklaruara, dhe subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm edhe përsa i takon likuiditeve të tij”, thuhet në kërkesën për shkarkimin e Faqollit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *