Prokurori Kujtim Luli në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KP Lajme Vendi

Komisioneri Publik kërkon në Apel shkarkimin e prokurorit Kujtim Luli

Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e KPK-së dhe të shkarkojë prokurorin Kujtim Luli “për deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë”.

Prokurori Kujtim Luli në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioneri Publik njoftoi të mërkurën se kishte ankuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Kujtim Luli.

Në ankimin e nënshkruar nga komisioneri Florian Ballhysa kërkohet rivlerësimi në të tri kriteret.

Kujtim Luli u konfirmua me shumicë votash në 3 dhjetor 2020. Trupa e KPK, e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Xhesila Pine u nda në qëndrime, ndërsa Pine në pakicë arsyetoi se Luli duhej të ishte shkarkuar.

Në shkaqet e ankimit, Ballhysa është fokusuar në kriterin e pasurisë. Sipas ankimit Luli ka bërë  deklarimin e pasaktë dhe të pamjaftueshëm për shpenzimet e shkollimit të dy fëmijëve në SHBA, kishte pamjaftueshmëri burimesh për të përballuar shpenzimet, kishte deklarim të pasaktë të cash-it dhe likujditeve në bankë dhe kishte përfituar në mënyrë të padrejtë kredi lehtësuese për apartamentin 105 metra në Tiranë.

Në ankim, Komisioneri kërkon që pas rishikimit Luli të shkarkohej. “Ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kujtim Luli”, thuhet në kërkimin e ankimit.

Komisioneri Publik thotë se përfundimet në të cilat kishte dalë shumica në KPK nuk ishin të drejta dhe se Komisioni nuk ishte thelluar në hetimin e shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ballhysa ndër të tjera vë në dukje se veç pagesave për universitetet atje Luli kishte deklaruar shpenzime jetese në shumat 4 mijë dollarë për një vit, por që sipas tij ishin deklarative dhe nuk ishin analizuar nga KPK.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë në deklarimin e shpenzimeve të kryera për shkollimin e djemve në SHBA, pasi nuk ka deklaruar dhe nuk ka vërtetuar me dokumentacion të plotë ligjor shpenzimet e jetesës”, thuhet në ankim.

Po ashtu në ankim vihet në diskutim ligjshmëria e të ardhurave të bashkëshortes së Lulit. Komisoneri vë në dukje se prokurori nuk kishte provuar pagesën e detyrimeve tatimore.

Ndryshe nga shumica në Komision, Ballhysa argumenton edhe në lidhje me një kredi të butë prej 5 milion lekësh të marrë për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Ai thotë se Luli nuk kishte deklaruar në dosjen e dorëzuar për marrjen e kredisë së butë faktin që kishte në pronësi një apartament 55.9 metra.

“Subjekti i rivlerësimit në momentin e aplikimit dhe përfitimit të kredisë është trajtuar në kategorinë e subjekteve që nuk kanë shtëpi në pronësi”, thuhet në ankim, ndërsa shtohet se kredia ishte përfituar jashtë kritereve të përcaktuara ligjore. Në të njëjtin përfundim ka dalë edhe anëtarja në pakicë e trupës. Pine arsyetoi se Luli kishte vepruar në keqbesim dhe nuk përmbushte kriteret ligjore.

Kujtim Luli e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1992, funksion që e ka mbajtur deri në vitin 2002. Prej gati dy dekadash ai ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitet 2015-2017, Luli ka punuar gjithashtu si prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *