Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besnik Canit në Kolegj

Pas ONM-së, edhe Komisioneri Publik kritikon vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit Besnik Cani, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës.

Prokurori Besnik Cani, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, ” Foto : LSA

Komisioneri Publik ankimoi të premten konfirmimin në detyrë të prokurorit Besnik Cani, ndërsa kritikoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si “kontradiktor dhe jo-bindës” si dhe të marrë në interpretim të gabuar të ligjit.

I firmosur nga komisioneri Florian Ballhysa, ankimi arrin në përfundimin se Cani ka dështuar të arrijë nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale si dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Për më tepër lexoni:

 KPK bëri një sy qorr gjatë rivlerësimit të prokurorit Besnik Cani

ONM i kërkon Komisionerit Publik të apelojë konfirmimin e prokurorit Besnik Cani

Konfirmohet në detyrë dhe referohet Besnik Cani, kandidat për KLP

 Vendimi i KPK-së u kundërshtua fillimisht nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Përmes një opinion të datës 25 janar, ONM i kërkoi Komisionerit Publik që ta apelojë në tërësi vendimin e konfirmimit në detyrë të subjektit, përfshirë transferimin e katër elementëve të saj tek organi kompetent disiplinor.

“Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë,” u shpreh ONM. “Në pikëpamjen tonë është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut,” shtoi ajo.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi një sërë parregullsish si dhe mungesë burimesh të ligjshme për kriterin e pasurisë-ndonëse i konsideroi ato të pamjaftueshme për shkakim duke përdorur parimin e proporcionalitetit. Por Komisioneri Publik e kundërshton këtë përfundim.

“…në rastet kur konstatohet jo vetëm një, por disa problematika mbi kriteret e rivlerësimit, parimi i proporcionalitetit nuk mund të shërbejë si strehë për anashkalimin e vetë qëllimit për të cilin është ngritur procesi i rivlerësimit dhe zbatimit korrekt të ligjit të posaçëm (neni 61/5),” thuhet në ankesë.

Komisioneri Publik kritikon gjithashtu heqjen dorë nga rivlerësimi i kritereve që lidhen me etikën dhe profesionalizmin e subjektit, duke ia transferuar ato “organit kompetent për inspektimin e shkeljeve të mundshme disiplinore”.

Duke marrë shkas nga rasti i Canit, Komisioneri Publik ka tentuar të konsolidojë praktikën e rivlerësimit përmes pyetjeve të drejtuara nga Kolegjit të Apelimit.

“A mundet Komisioni të heqë dorë nga juridiksioni i tij rivlerësues në lidhje me kriterin profesional, kur sipas Kushtetutës, Aneksit të saj dhe ligjit nr. 84/2016 është kompetencë e plotë dhe detyrë e tij (Komisionit) kryerja e rivlerësimit kalimtar të subjekteve për qëllim të nenit 179/b, pika 1 e Kushtetutës,” pyet Komisioneri, ndërkohë që kërkon interpretim edhe për numrin e çështjeve që KPK mund t’i transferojë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Çështjet e transferuara nga KPK lidhen me një kontratë të nënshkruar mes Canit dhe kompanisë “Kastrati”, përfitimin prej tij të statusit si i pastrehë nga bashkia e Fierit si dhe tre dosje hetimore ku janë vërejtur hetime të mangëta.

Për kontratën me kompaninë Kastrati, Komisioneri Publik arrin në përfundimin se ndonëse është emërtuar “kontratë qeraje”, ajo është de facto një marrëdhënie tregtare ku subjekti është pjesëmarrës në fitimin e shoqërisë-çka bie ndesh me detyrimet ligjore etike të tij. Komisioneri Publik konstaton gjithashtu se Cani ka cenuar etikën e magjistratit edhe në rastin e përfitimit të statusit të pastrehë nga bashkia e Fierit, në kundërshtim me kriteret ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *