Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores Antoneta Sevdari

Komisioneri Publik Lajme
Komisioneri Publik kërkoi gjatë konkluzioneve përfundimtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit  shkarkimin nga detyra të prokurores Antoneta Sevdari. Prokurorja kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK që e konfirmoi atë në detyrë.

KPA shqyrton ankimin ndaj prokurores Antoneta Sevdari | Foto : LSA

Komisioneri Publik, Dariel Sina kërkoi të hënën shkarkimin nga detyra të prokurores dhe njëkohësisht anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë(KLP), Antoneta Sevdari, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të procesit të vettingut.

Fillimisht gjatë seancës publike pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, komisioneri Sina u shpreh në fund të konkluzioneve të tij se e linte në çmim të gjykatës lënien ose jo në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit(KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Sevdari. Por, pasi relatori i çështjes, gjyqtari Sokol Çomo i kërkoi komisionerit që të mbante një qëndrim konkret lidhur me ankesën e kryer prej tij, ky i fundit kërkoi shkarkimin e Sevdarit.

Nga ana e saj, prokurorja Sevdari përmblodhi konkluzionet e saj përfundimtare duke e cilësuar ankimin e komisionerit si të pabazuar në ligj dhe vendimin e KPK-së në përputhje të plotë me ligjin dhe kërkoi që të lihej në fuqi konfirmimi i saj në detyrë.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare Komisioneri Sina u ndal në dy pika të ankesës së tij, tek të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bashkëshorti i prokurores Antoenta Sevdari para vitit 2003 në vlerën e 3 milionë lekëve. Sipas komisionerit, Sevdari nuk arriti të provonte me dokumentacion ligjor të këtë shumë parash duke shtuar se të ardhurat e ligjshme për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 1 milionë e 869 mijë lekë.

Sina theksoi se për rreth 12 mijë euro të përfituara nga bashkëshorti i prokuores nga puna në Arabinë Saudite në vitin 2003, duhej të ishin deklaruar dhe tatuar. Kërkesën e tij, komisioneri Sina e mbështeti në pamundësinë e prokurores Sevdari për të dorëzuar dokumente që të vërtetonin ligjshmërinë e të ardhurave të deklaruara.

Ndërkohë anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Sevdari u shpreh në fjalën e saj se ligji ka si qëllim të verifikojë nëse gjyqtarët ose prokurorët kanë kryer korrupsion dhe nëse kanë përfituar pasuri të palijgshme. Ajo theksoi se në këtë rast nuk ka prova që të çojnë në dyshime të kësaj natyre dhe se ka parashtruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton punësimin e bashkëshortit në Greqi dhe në Arabinë Saudite. Gjithashtu, ajo shtoi se bashkëshorti nuk ka shkelur asnjë ligj tatimor.

Sevdari pohoi se 3 milionë lekët e përfituara nga puna e bashkëshortit para martesës ishin të ligjshme. Ndërsa lidhur me të ardhurat e përfituara po prej bashkëshortit të saj në Arabinë Saudite, Sevdari sqaroi se në atë kohë nuk ishte në fuqi deklarata integrale e të ardhurave aktuale. Ajo i cilësoi konstatimet e Komisionerit të gabuara. Sipas prokurores, nuk ka qenë ky detyrim dhe prandaj është e pamundur të provohet tani, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Më tej, Sevdari këmbënguli se kanë paguar të gjitha detyrimet dhe taksat vendore dhe se dokumentacioni i depozituar e shpjegon bindshëm këtë gjë.

Në përfundim të konkluzioneve përfundimtare, prokurorja Antoneta Sevdari kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së të datës 18 Korik 2018, për konfirimin e saj në detyrë.

Kryesuesi i trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 28 shkurt 2019.