Prokurorja Manjola Kajana dhe avokatja e saj, para seancës në Kolegjin e Apelimit. Foto:Edmond Hoxha
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Komisioneri Publik, pro konfirmimit të prokurores Manjola Kajana në Kolegj

Komisioneri Florian Ballhysa deklaroi në seancë se Kajana nuk ishte në kushtet e konfliktit të interesit –duke i hapur rrugën konfirmimit të saj edhe në shkallën e dytë të vetingut si dhe emërimit në SPAK.  

Prokurorja Manjola Kajana dhe avokatja e saj, para seancës në Kolegjin e Apelimit. Foto:Edmond Hoxha

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u tërhoq të martën nga shkaqet e ngritura në ankimin për prokuroren Manjola Kajana, duke i hapur rrugën konfirmimit të saj në detyrë edhe në shkallën e dytë të vetingut.

Komisioneri deklaroi në seancë se nga aktet e administruara nga Gjykata e Fierit rezulton se prokurorja Kajana nuk ka kryer hetime për abuzimin me kreditë e buta nga zyrtarët e Bashkisë së Fierit dhe nuk ka qenë drejtuese e organit të akuzës.

Ballhysa shtoi gjithashtu se nga përgjigja e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk rezulton që Kajana të ketë kryer hetime për BKT-në apo për punonjës të kësaj banke.

“Nuk provohet të ketë qenë në kushtet e konfliktit të interesit,” tha Ballhysa në seancë, duke u tërhequr nga shkaku kryesor i ankimit.

Ndërsa shkaqet e tjera të ngritura lidhur me mundësinë e aplikimit të familjarit të prokurores Kajana si i pastrehë dhe një balancë të vogël financiare në vlerën 115 mijë lekë, Ballhysa i konsideroi si joshkarkuese. Për dy denoncimet nga publiku të kryera ndaj Kajanës në KPA, Komisioneri tha se ishin të pambështetura në prova e në ligj.

“Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkon lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana,” shtoi Ballhysa.

Edhe prokurorja Manjola Kajana e konsideroi hetimin gjyqësor të plotë e të gjithëanshëm. Ajo mohoi konfliktin e interesit lidhur me hetimin e zyrtarëve të Bashkisë së Fierit, ndërsa për një kredi të marrë nga BKT, ajo tha se nuk kishte patur trajtim preferencial.

“Bazuar në aktet e administruara, Kolegji do të krijojë bindjen se unë nuk kam qenë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk jam privilegjuar nga Bashkia e Fierit apo nga Banka Kombëtare Tregëtare,” shtoi ajo.

Lidhur me ligjshmërinë e aplikimit të bashkëshortit si i pastrehë, Kajana shpjegoi se banesa që disponin në qytetin e Durrësit nuk i plotësonte kushtet për jetesën e tre personave, pasi ishte më e vogël nga sa parashikohej në legjislacion. Ajo shtoi, se banesa në Durrës ishte paraqitur në aplikim dhe se kredia e butë nuk është disbursuar.

“Nuk ekziston ndonjë rrethanë për shkelje të ndonjë norme ligjore apo morale”, pohoi Kajana.

Në konkluzionet e saj përfundimtare, prokurorja Kajana, e cila është tashmë një hap më pranë SPAK-ut tha se kishte kryer deklarime të sakta dhe të vërteta dhe se pasuria e saj është e ligjshme.

“Konsideroj se kam shpjeguar bindshëm burimin e pasurisë dhe se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i drejtë. Kërkoj lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin tim në detyrë”, shtoi ajo.

Në seancën e zhvilluar të martën, Kolegji i Posaçëm i Apelimit administroi si provë edhe përgjigjen e vonuar të Këshillit Bashkiak të Fierit lidhur me aplikimin e bashkëshortit të Kajanaës si i pastrehë, ndërsa mbylli shqyrtimin gjyqësor. Kryesuesja Natasha Mulaj shpjegoi se në përgjigjen e Këshillit të Bashkisë Fier thuhej se nuk disponohej në arkivë dokumentacioni i plotë i aplikimit të bashkëshortit të Kajanës si i pastrehë.

Trupi gjykues i Kolegjit vendosi që të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 10 korrik, ora 09:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *