Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA
Artikull kryesor Lajme KP KPA Lajme Në Fokus

Komisioneri Publik tërhiqet pjesërisht nga ankimi ndaj prokurorit Dritan Peka

Komisioneri Publik Darjel Sina u tërhoq nga shkaqet e ankimit për profesionalizmin dhe etikën të paraqitura prej tij kundër vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Dritan Peka, por kërkoi shkarkimin e Pekës për kriterin e pasurisë.

Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA

Komisioneri Publik, Dariel Sina dhe drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka paraqitën të enjten konkluzionet përfundimtare lidhur me shkaqet e ankimit të kryer kundër konfirmimit të tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Sina u tërhoq nga qëndrimi i tij lidhur me shkaqet e ngritura në ankim për aspektin profesional dhe etikën, ndërkohë që kërkoi shkarkimin e Pekës për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Sipas Sinës subjekti nuk mbulonte me burime financiare një pjesë të shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit të bëra që nga viti 2004.

Sina la në çmimin e Kolegjit shkaqet fillestare të ankimit ndaj subjektit që lidheshin me një kredi të butë për strehim. Sina u tërhoq edhe nga ankimi për punësimin e një të afërmi  të afërmi të pakualifikuar të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Prokurorinë e Apelit Tiranë.

Ai gjithashtu u tërhoq nga tre denoncimet  që kishin ardhur kundër subjektit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurori Peka deklaroi se nuk kishte balanca negative në analizën financiare nga udhëtimet, por pranoi që në deklarimit vjetore pranë ILDKPKI nuk kishte deklaruar gjendjen ‘cash’.

Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 2000. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Tiranës deri në vitin 2008, kur është promovuar si prokuror i Apelit të Tiranës. Ai është drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015.

Tërheqja për profesionalizmin dhe etikën

Ndryshe nga sa Komisioneri Publik, Darjel Sina pretendoi në parashtrimet e tij, se prokurori Dritan Peka kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia duke përfituar një kredi të butë si i pastrehë ndërsa kishte pasur një shtëpi , gjatë konkluzioneve përfundimtare ai u shpreh se kredia me kushte lehtësuese ishte përfituar sipas ligjit.

E pyetur nga relatorja e çështjes Rezarta Schuetz për më shumë detaje lidhur me këtë qëndrim, Sina u shpreh se kishte vlerësuar të rëndësishme mënyrën e përfitimit të kredisë duke e konsideruar të bazuar në ligj dhe në mungesë të konfliktit të interesit.

“Mënyra e përfitimit është shumë e rëndësishme dhe e lë në çmim të Kolegjit,” përfundoi Sina lidhur me këtë shkak të ngritur fillimisht prej tij.

Në konkluzionet e tij, prokurori Peka shpjegoi se aplikimi për kredinë, i kryer nga bashkëshortja, nuk ishte gjetur asnjëherë me shkelje. Sipas tij, aplikimi nuk ishte kryer si i pastrehë, por për shkak të statusit të veçantë të bashkëshortes në detyrën që ajo ushtronte.

Gjithashtu, Sina i cilësoi bindëse shpjegimet e prokurorit Peka edhe lidhur me një praktikë për punësimin e kunatit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në prokurorinë e Apelit Tiranë, për të cilën fillimisht konsideroi se kishte qenë e parregullt, pasi ishte rekrutuar pa shpallje, ishte pa arsim përkatës dhe se ishte paguar gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.

Sipas Sinës, praktika rezultonte të ishte kryer nga kancelarja e institucionit. Ai përmendi edhe faktin se për këtë çështje kishte një vendim të Prokurorisë së Përgjithshme që e kishte hetuar çështjen bazuar në vendimin e Komisionit dhe kishte vendosur arkivimin e saj.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokurori Peka e cilësoi si dashakeq denoncimin lidhur me punësimin e kunatit të Llallës. Ai tha se kishte ndodhur që listëpagesat të mos jenë nënshkruar nga kancelarja edhe herë të tjera.

“Asnjëherë nuk kam qenë në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës sime”, tha ai.

Ndërkohë, Komisioneri Sina deklaroi se tërhiqej edhe nga pretendimet për tre denoncime të kryera ndaj prokurorit Peka si edhe nga kërkesa për vlerësimin e çështjes në tërësi, duke vijuar se shkarkuese ishin problemet e evidentuara në kriterin e pasurisë.

Konkluzionet për pasurisë

Komisioneri Darjel Sina i konsideroi bindëse një pjesë pretendimeve të prokurorit Peka lidhur me shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit dhe qëndrimeve atje.

Ai renditi të gjitha udhëtimet, të kryera prej vitit 2004 e në vazhdim. Sina tha se nuk vërtetohej mbulimi i shpenzimeve për një udhëtim të subjektit në Bruksel tek motra e tij.

Për pjesëmarrjen e bashkëshortes së Pekës në disa trajnime e seminare në vitin 2006 në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, Komisioneri Sina tha se pranoheshin pretendimet për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit nga institucioni ku punonte, ndërkohë që sipas tij nuk janë vërtetuar shpenzimet e qëndrimit atje. Për një seminar në Pekin ku bashkëshortja e Pekës ka marrë pjesë në vitin 2006, sipas Sinës vërtetohej se ishin mbuluar edhe shpenzimet e udhëtimit, edhe të qëndrimit tek prindërit e subjektit i cili ushtronte funksionin e ambasadorit.

Për një udhëtim tjetër të familjes në Kinë, Komisioneri merr në konsideratë se shpenzimet e qëndrimit atje janë mbuluar nga prindërit e Pekës, por u shpreh se nuk është vërtetuar që të kenë qenë të mbuluara edhe shpenzimet e udhëtimit.

Komisioneri vlerësoi të provuara edhe mbulimin e shpenzimeve për udhëtimin e bashkëshortes së Pekës për të marrë pjesë në një konferencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo ato të qëndrimit atje.

Për pjesëmarrjen e bashkëshortes së subjektit në trajnime në Hungari dhe Bruksel në vitin 2007, Sina kërkoi zbritjen e shpenzimeve. Gjithashtu, ai kërkoi zbritjen edhe për shpenzimet e përllogaritura në analizën financiare për pjesëmarrjen e bashkëshortes së Pekës në disa seminare në vitet 2008 e 2009 në Berlin, në Estoni dhe në Maqedoni. Sipas Sinës, shpenzimet në këto raste kishin qenë të mbuluara.

Sina i rrëzoi pjesën më të madhe të pretendimeve të prokurorit Peka për përfshirjen në analizë të disa vlerave të pagave dhe të shpërblimeve, si dhe të ardhurave nga mësimdhënia.

Pavarësisht uljes së disa shpenzimeve për udhëtimet dhe qëndrimet jashtë shtetit, Komisioneri Darjel Sina u shpreh se prokurori Peka gjendej në pamundësi finanicare për kryerjen e gjithë shpenzimeve dhe investimeve për periudhën 2003-2016, por nuk bëri të ditur një vlerë konkrete.

Ai kërkoi që analiza përfundimtare e Kolegjit të përfshinte të gjithë periudhën e rivlerësimit 2003-2016. Gjithashtu, Sina kërkoi që analiza financiare lidhur me gjendjen cash të bazohej në deklaratat vjetore të kryera nga Peka. Në përfundim, Sina tha se prokurori Peka kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.

Prokurori Dritan Peka u ndal fillimisht në intepretimin e legjislacionit në funksion të procesit të rivlerësimit. Ai tha se pasaktësitë në deklaratat vjetore nuk mund të përbëjnë shkak ligjor shkarkimi nëse nuk vërtetohet që subjekti të ketë pasur si qëllim fshehjen e pasurisë. Peka argumentoi se deklarata e vlefshme që duhej vlerësuar nga Kolegji ishte ajo veting, pasi për këtë shkak i ishte dhënë vlerë shkarkuese nëse nuk plotësohej e dorëzohej në afatin e caktuar.

Lidhur me pretendimet e Komisionerit për mospasqyrimin e deklarimeve në vite të gjendjeve cash, Peka pohoi se kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së përvojës.

Peka pretendoi se nuk kishte asnjë balancë negative për vitet e pretenduara nga Komisioneri dhe shtoi se kishte provuar që nuk kishte pasur shpenzime për udhëtimet jashtë shtetit të bashkëshortes, pasi ishin kryer për shkak të punës ose për pjesëmarrje në trajnime e seminare të organizuara nga organizata ndërkombëtare.

“Informacioni sipas tyre ruhet për një periudhë kohore 10-vjeçare, ndërkohë që kanë kaluar 14 vjet”, pohoi Peka.

Ai tha se pasuria që gëzon familja e tij është krijuar me burime të ligjshme. “Kemi pasur të ardhura në vlerën 37 milionë lekë, ndërkohë që pasuria që zotërojmë nuk arrin as 12 milionë lekë”, shpjegoi prokurori Peka dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK për konfirmimin e tij në detyrë.

Relatorja Rezarta Schuetz e pyeti prokurorin Peka nëse kishte një qëndrim për gjendjen cash. Ai shpjegoi se në deklarimet vjetore kishte pasqyruar të ardhurat dhe shpenzimet, ndërkohë që nuk kishte përllogaritur gjendjen cash duke përfshirë edhe atë të prejardhur nga viti i kaluar.

“Për këtë arsye nuk pasqyrohet gjendja totale e likuiditetit. Ka qenë paqartësi, mungesë përvoje”, përsëriti ai.

Kolegji vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 22 tetor, pora 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *