Komisioneri Publik Lajme

Komisioni Disiplinor shkarkon nga detyra komisionerin Saraçi

Saraçi u shpall përgjegjës për mungesën e rregullores në institucionin e Komisionerit Publik si dhe rekrutime të parregullta pune, por ai e konsideroi vendimin të padrejtë dhe paralajmëroi apelimin e tij.

Heral Saraçi pas seancës dëgjimore të 8 marsit 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Pas pesë seancave dëgjimore, Komisioni Disiplinor i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari vendosi të shkarkojë nga detyra komisionerin publik Heral Saraçi të hënën, pasi e gjeti atë përgjegjës për pengimin e punës së institucionit.

Saraçi e konsideroi vendimin të padrejtë dhe njoftoi se do ta apelojë atë.

Hetimi disiplinor për Saraçin nisi me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili pretendoi për shkelje në punën e tij, ku përfshihet pengimi i mbledhjeve të komisionit dhe rekrutimi jashtë rregullave i stafit.

Kryetari i  Komisionit Disiplinor, Sokol Çomo lexoi për një orë e gjysmë provat që ngarkonin me përgjegjësi komisionerin Saraçi. Sipas Çomos, gjatë seancave dëgjimore u provua se institucioni i Komisionerit Publik nuk ka miratuar rregulloren e funksionimit të vet për shkak të pengesave të krijuara nga Saraçi.

Sipas vendimit, komisioneri publik nuk hartoi një projekt-rregullore për veprimtarinë e institucionit vitin e kaluar,  ndërsa më pas paraqiti një draft që binte në kundërshtim me variantin e dakordësuar me vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Duke shfaqur vullnet jo të sinqertë për të bashkëpunuar, Saraçi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka  dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit të Komisionerit Publik, duke rrezikuar  referencën e tij në mbrojtjen e interesit publik,” thuhet në arsyetimin e vendimit.

Komisioni Disiplinor e ka gjetur përgjegjës Saraçin edhe për rolin e tij në rekrutimin e personelit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik, ndërsa u evidentua se asnjë nga punonjësit e Komisionerit Publik nuk ka një kontratë të rregullt pune të nënshkruar.

“Komisonioni Disiplinor arrin në konkluzionin  se me veprimet dhe mos veprimet e tij, komisioneri  Saraçi, gjatë ushtrimit të funksionit të tij ka shkaktuar vonesa  të  pajustifikuara të rekrutimit të stafit dhe ka shkaktuar kaos në institucionin e Komisionerit Publik,” shtohet në vendim.

Vetë Saraçi deklaroi se vendimi është i padrejtë dhe paralajmëroi se do të gjejë format ligjore për ta kundërshtuar atë.

“Unë ende nuk e di se çfarë ligji kam shkelur. Vakumi ligjor është arsyeja e të gjitha përplasjeve dhe vonesave që janë shkaktuar dhe për të cilat akuzohem unë,” deklaroi ai.

Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut.

Pas vendimit të Komisionit Disiplinor, pritet që detyrën e Saraçit ta marrë një prej komisionerëve zëvendësues të zgjedhur nga Parlamenti i Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *