Komisioni i vetingut rrëzon raportin negativ të DSIK për gjyqtarin Ilir Toska

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Hetimi administrativ i KPK për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Ilir Toska nuk konstatoi probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale, ndërkohë që një raporti negativ i DSIK u vu në pikëpyetje si i pabazuar “në fakte dhe prova”, duke hapur rrugën drejt rikonfirmimit. 

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ilir Toska gjatë seancës dëgjimore të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto:Lindita Çela.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi të mërkurën raportin e parë negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK si të pabazuar “në fakte dhe prova”, duke paralajmëruar një konfirmim të mundshëm në detyrë për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Ilir Toska.

Toska, i cili u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultoi pa probleme me pasurinë e tij dhe kriterin e aftësive profesionale, ndërkohë që një raport i DSIK-së e konsideroi atë “të papërshtatshëm” sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari e vuri në pikëpyetje raportin e DSIK-së, që sipas relatores së çështjes i është nënshtruar verifikimeve të thelluara.

“Raporti iu nënshtrua hetimit të thellë nga ana e trupës gjyqësore, me qëllim gjetjen e provave  për marrjen e një vendimi sa më të drejtë në lidhje me subjektin e rivlerësimit,” tha në seancën dëgjimore relatorja Valbona Sanxhaktari.

“Në përfundim të këtij procesi ka rezultuar se  informacionet e ardhura nga institucionet e sigurisë, mbi të cilat është mbështetur raporti i DISK-së nuk janë të mbështetura në fakte dhe prova,” shtoi ajo.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Toska përfshiu të tria kriteret e rivlerësimit.

Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, gjyqtari i Apelit të Tiranës zotëronte një apartament me sipërfaqe 83 m2 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, i blerë për 50 292 euro në vitin 2005. Përveç raportit pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, trupa gjyqësore ka kryer hetime të pavarura administrative në fund të së cilave ka rezultuar se gjyqtari nuk kishte pasuri të fshehura.

Hetimi ka përfshirë gjithashtu ankesat e gjashtë qytetarëve ndaj proceseve ku Toska ka qenë pjesë e trupës gjyqësore, por ato janë vlerësuar gjithashtu si pa probleme për gjyqtarin.

I pranishëm në seancën dëgjimore, Ilir Toska deklaroi se nuk ka asnjë  kundërshtim ndaj gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe se e konsideronte procesin korrekt.

“Procesin e konsideroj të rregullt, ligjor dhe të paanshëm dhe gjetjet trupës gjyqësore janë tërësisht korrekte. Kërkoj konfirmimin në detyrë,” tha gjyqtari në fund të seancës dëgjimore që zgjati rreth 20 minuta.

Vendimi për gjyqtarin Ilir Toska do të merret të enjten.