Gjyqtarja Igerta Hysi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Komisioni rrëzon raportin e DSIK për gjyqtaren Igerta Hysi

KPK e konsideroi raportin negativ të DSIK të pabazuar dhe vlerësoi se vendimi i gjyqtares së Fierit, Igerta Hysi për lirimin e një personi të kërkuar nga Italia për trafik droge në vitin 2014 ishte i drejtë. Nga hetimi pasuror nuk rezultuan probleme.

Gjyqtarja Igerta Hysi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për gjyqtaren e Gjykatës së Fierit, Igerta Hysi, duke e konsideruar atë të pabazuar.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, relatorja Suela Zhegu tha se nga verifikimi i çështjeve të ngritura nga DSIK, nuk kishte rezultuar asnjë shkelje ligjore apo veprim i gjyqtares Hysi që të cenonte pastërtinë e figurës së saj.

Procesi i vetingut për Igerta Hysin, kandidate për gjyqtare Apeli, u krye për të tre kriteret e rivlerësimit nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungon. I pranishëm në seancë ishte edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs.

Igerta Hysi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas kryerjes së stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në vitin 2011 në Gjykatën e Rrethit Fier. Procesi i vetingut për gjyqtaren Hysi po kryhet me prioritet, për shkak se ajo ka aplikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtare Apeli.

Përveç rrëzimit të raportit të DSIK-së, në seancë u diskutua edhe për një denoncim publik  të Prokurorisë së Përgjithshme të vitit 2014 mbi një vendim të Hysit, por që sipas KPK-së rezultoi gjithashtu pa probleme.

Relatorja Zhegu tha në seancë se Komisioni kishte verifikuar dy vendime të marra nga gjyqtarja Igerta Hysi, që kishin sjellë lirimin e një personi të arrestuar për qëllime ekstradimi dhe të kërkuar ndërkombëtarisht në vitin 2014.

Zhegu nuk bëri me dije të dhëna mbi identitetin e personit që kishte përfituar lirinë nga vendimarrja e Hysit, por sqaroi se Prokuroria e Përgjithshme i kishte kërkuar asokohe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, që të verifikonte procedurën e ndjekur.

Duke iu referuar njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, BIRN gjeti se bëhej fjalë për vendimin e korrikut 2014 të Hysit, që solli lirimin e shtetasit Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”.

Prokuroria e Përgjithshme e konsideroi asokohe vendimin e lirimit të Arben Isufajt –i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Por relatorja Zhegu tha se nga verifikimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se vendimi i Hysit është gjetur i drejtë dhe është lënë në fuqi nga gjykatat më të larta.

“Nuk janë gjetur indicie për shkelje profesionale,” tha Zhegu në seancë.

Gjetjet për pasurinë

Në kriterin e pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit verifikoi blerjen e një apartamenti në vitin 2010 kundrejt vlerës 44 mijë 500 euro, një depozitë bankare në emër të bashkëshortit, blerjen e një automjeti si dhe rolin si dorëzanës të gjyqtares Igerta Hysi dhe bashkëshortit të saj në një kredi bankare prej 14 milionë lekësh të marrë nga prindërit dhe vëllai.

Lidhur me apartamentin, Zhegu tha se subjekti kishte shpjeguar se likujdimi i vlerës së çmimit është kryer në momentin e nënshkrimit të kontratës së porositjes në vitin 2010, para martesës dhe para se të niste punë si gjyqtare.

Komisioni evidentoi mospërputhje në vlerën e çmimit të deklaruar me atë të pasqyruar në kontratën e shitjes së vitit 2013, ku ka rezultuar në shumën 45 mijë e 500 euro. Hysi ka sqaruar se kjo mospërputhje ka ardhur si pasojë e një gabimi të noterit, që është korigjuar po në vitin 2013.

Zhegu tha se gjyqtarja Hysi ka kryer deklarim të saktë dhe se ka shpjeguar saktë mospërputhjet.

Nga analiza financiare ka rezultuar se babai dhe vëllai kanë pasur pamundësi të kursenin gjithë vlerën e paguar për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2010. Zhegu tha se është konstatuar balancë negative në vlerën 6970 euro.

Trupi gjykues ka analizuar burimin e krijimit të një depozite bankare me afat dy vjeçar në shumën 905 mijë lekë nga bashkëshorti i subjektit. Si burim krijimi të kësaj depozite, është deklaruar vlera 900 mijë lekë e përfituar nga shitja e një autoveture tip Benz në vitin 2014.

Komisioni ka hetuar për të ardhurat e përdorura nga bashkëshorti në vitin 2010 për blerjen e kësaj makine, prej nga ka rezultuar se ai ka marrë një kredi. Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se mjeti ishte blerë në shumën 300 mijë lekë dhe se ishte paguar detyrim doganor në vlerën 64 mijë lekë.

Trupi gjykues konstaton se mjeti është shitur në vitin 2014, dy herë më shumë nga çmimi i blerjes. “Duket e paqartë vlera e përfituar nga shitja, pasi është përdorur për 4 vite dhe është shitur më shtrenjtë,” tha Zhegu në seancë.

Në seancë u evidentua se Hysi nuk kishte pasqyruar në deklaratat vjetore një automjeti në përdorim, në pronësi të babait të saj, por gjyqtarja sqaroi se makinën e kishte përdorur në mënyrë sporadike vetëm para martese dhe se kjo kishte qenë arsyeja që nuk e kishte deklaruar periodikisht.

Komisioni ka verifikuar marrëdhënien e Hysit dhe bashkëshortit në marrjen e një kredie 14 milionë lekë nga vëllai i saj për blerjen e një lokali. Gjyqtarja Hysi dhe bashkëshorti i saj janë në cilësinë e dorëzanësit në këtë marrëdhënie kredie.

Sipas Komisionit, kredia është shlyer rregullisht dhe se vëllai i subjektit të rivlerësimit rezulton se e ka regjistruar aktivitetin e tij bar-kafe në Tiranë.

KPK nuk ka gjetur probleme në deklarimet për pjesën takuese të gjyqtares në një ngastër toke bujqësore të përfituar nga familja e origjinës nga Ligji “Për tokën”, si edhe për një sipërfaqe toke 301 të blerë nga bashkëshorti në një fshat të Durrësit. Gjithashtu është konstatuar se gjyqtarja Hysi dhe bashkëshorti i saj kanë pasur mundësi për krijimin e një depozite në vlerën 337 mijë lekë në emër të fëmijës së tyre të mitur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *