Gjyqtarja Altina Nasufi duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Konfirmimi i gjyqtares Nasufi, KPK u nda për blerjen e një apartamenti

Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Altina Nasufi u konfirmua me shumicë votash, ndërsa kryesuesja Valbona Sanxhaktari arsyetoi se ajo nuk vërtetoi burimet për blerjen e një apartamenti.

Gjyqtarja Altina Nasufi duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK

Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Altina Nasufi u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 29 korrik, ndërsa trupi gjykues i përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko u nda në qëndrime për kriterin e pasurisë.

Shkak i qëndrimeve të ndryshme u bë blerja e një apartamenti me sipërfaqe 84 m2 në vlerën e 7.4 milionë lekëve, me burime të deklaruara 3.4 milionë euro të dhuruara nga vjehrri, 27 mijë euro hua nga motra e bashkëshortit si dhe kursimet nga pagat.

Dy anëtarët e trupës, Hamitaj dhe Qirko argumentuan se Nasufi e ka justifikuar këtë pasuri, ndërkohë që kryesuesja në pakicë, Valbona Sanxhaktari vlerëson se burimet nuk u justifikuan me dokumentacion ligjor. Në mendimin e pakicës, Sanxhaktari ka qenë në favor të shkarkimit të gjyqtares Altina Nasufi.

Lidhur me vlerën 3.4 milionë lekë të dhuruar nga vjehrri, Nasufi ka shpjeguar se kjo shumë përfaqëson një pjesë të kursimeve të familjes së origjinës së familjes së bashkëshortit, si para viteve ’90, ashtu edhe në vitet e mëpasme.

Sipas KPK, të ardhurat e familjes së bashkëshortit të subjektit për periudhën 1989-2004 kanë qenë në vlerën 4 milionë e 276 mijë lekë, ndërsa mundësia e kursimit në shumën 1 milion e 635 mijë lekë. Në vendim thuhet se në këtë analizë janë marrë në konsideratë të ardhurat nga pensionet e prindërve të bashkëshortit si dhe pagat e këtij të fundit dhe e motrës.

Veç dokumentacionit për të ardhurat e anëtarëve të familjes së bashkëshortit, Nasufi ka vendosur në dispozicion të Komisionit edhe një vërtetim të lëshuar nga “Raiffeisen Bank” lidhur me depozitat e kursimeve të tyre në ish-Bankën e Kursimeve në vitet 1995, 1996 dhe 2003.

Pas kërkesës së KPK për të vërtetuar nëse këto fonde kanë qenë të ridepozituara, ka rezultuar se vlera më e madhe e shumave të kursyera në viteve 1995 dhe 1996  është depozituar në një firmë piramidale dhe nuk janë tërhequr mbrapsh. Për këtë arsye, KPK nuk e ka konsideruar në analizën financiare vlerën 1 milion e 446 mijë lekë që është vendosur në një prej firmave piramidale.

Gjithashtu, nuk janë provuar me dokumente ligjore burimet e krijimit të një depozite të mbyllur në shkurt të vitit 2003, prej nga është tërhequr vlera 1 milion e 967 mijë lekë. Pavarësisht këtij fakti, shumica e ka konsideruar këtë shumë në analizën financiare.

“…Duke mbajtur në vëmendje faktin që mungesa financiare e paprovuar është minimale dhe i përket një periudhe shumë të hershme, Komisioni, mbështetur në parimin e objektivitetit, e vlerësoi si një burim të ligjshëm…,” thuhet në vendim.

Sipas shumicës, burimet e ligjshme të të ardhurave të prindërve të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit kanë rezultuar të mjaftueshme për të mundësuar kursimin e të gjithë shumës prej 3,4 milionë lekësh, të deklaruar para noterit si dhuratë në favor të tij.

Kryesuesja Valbona Sanxhaktari në pakicë, shprehet se mosdeklarimi i burimit të të ardhurave nga dhurimi në vitin 2005, nuk krijon koherencë dhe besueshmëri. Sipas Sanxhaktarit, në rastin konkret analizimi i situatës duhet të fokusohet në mundësinë e personit tjetër të lidhur për të realizuar të ardhurat në vlerën 3 milionë lekë me burime të ligjshme.

“Duke marrë në konsideratë si vlerë potenciale të mundshme shumën prej 1,967,008 lekësh, vlerësoj se shuma e mbetur për krijim e vlerës 3.000.000 (tre milionë) lekë, me burim të ardhurat nga pensionet nuk janë të mjaftueshme,” konstaton Sanxhaktari.

Kryesuesja argumenton se me të ardhurat nga pensionet, prindërit e bashkëshortit të subjektit  mund të siguronin veçse një jetë modeste dhe se kanë qenë në pamundësi për të krijuar shumën e deklaruar në deklaratën veting.

“Në vlerësimin tim nuk rezulton ndonjë gjurmë tjetër bindëse se të ardhurat kanë ekzistuar më parë dhe se ato nuk lidhen me të ardhura nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, të cilët duket se kanë pasur një ekonomi të përbashkët,” argumenton Sanxhaktari.

Ajo vijon se nëse shuma 3 milionë lekë do të ishte dhuruar nga prindërit, atëherë duhej të ishte deklaruar në vitet 2005 dhe 2006.

Sanxhaktari e cilëson pa vlerë provuese një dokument bashkëlidhur DPV-së së vitit 2006 pasi nuk është i firmosur, nuk përkon me datën e deklarimit dhe nuk qartësohet se kur dhe përse i është bashkëlidhur me vonesë deklarimit.

Huaja 27 mijë euro

Shumica konsideron në analizën financiare si burim për apartamentin në Tiranë edhe huanë 27 mijë euro të dhënë nga motra e bashkëshortit të gjyqtares Nasufi, me burim të ardhurat nga puna në shtetin grek.

Në vendim thuhet se gjyqtarja Nasufi shpjegoi se shumat në fjalë ishin të gjitha kursime të familjes së motrës së bashkëshortit, të cilat ishin depozituar në bankë dy vite përpara se të martohej. Duke vlerësuar dinamikën e veprimeve bankare të kryera në llogarinë e përbashkët të bashkëshortit të subjektit dhe mortës së tij, shumica i çmon të besueshme shpjegimet e Nasufit.

Për të vërtetuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të kunatës, Nasufi ka vendosur në dispozicion të Komisionit disa vërtetime të lëshuara nga autoritetet greke  për periudhën 1998 – 2005 prej nga ka rezultuar se të ardhurat kanë qenë në vlerën totale 40 mijë e 218 euro. Në vendim evidentohet se nëse kësaj shume i zbritet vlera e huasë 27 mijë euro, familjes së kunatës i mbeteshin vetëm 13 mijë e 218 euro për përballimin e jetesës për një periudhë 8-vjeçare. Nisur nga ky rezultat, KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës.

Edhe pse ka pretenduar se familja e kunatës i ka përballuar shpenzimet me të ardhurat e tjera, gjyqtarja Nasufi është shprehur se ishte e pamundur një përllogaritje e saktë e të ardhurave neto të një familje emigrantësh, sidomos në shtetin grek.

Nisur nga kërkesa e subjektit, shumica sjell në vëmendje qëndrimet e Kolegjit të Apelimit mbi rrethana të ngjashme dhe shmang analizimin e mundësisë së kursimit të huadhënësve të vlerës 27 mijë euro.

“…Duhet të konsiderohet i ligjshëm, për sa kohë kjo shumë mbulohet dhe tejkalohet nga burime të ligjshme”, konkludon shumica.

Sanxhaktari vlerëson ndryshe nga shumica edhe për huanë 27 mijë euro, duke theksuar se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës.

Duke iu referuar analizës financiare, Saxhaktari konstaton se edhe shumica e ka vlerësuar diferencën mes të ardhurave dhe huasë të pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve jetike të huadhënësve.

Ashtu si shumica, Sanxhaktari u referohet qëndrimeve të mbajtura nga Kolegji, por konkludon të kundërtën. Sipas saj, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me pamundësinë e burimeve financiare të ligjshme të huadhënësve.

Ajo ndalet edhe në llogarinë dyemërore të bashkëshortit të subjektit dhe motrës së tij, prej nga është kryer një pagesë në vlerën 21 mijë e 911 euro në llogarinë e shoqërisë ndërtuese.

“Vetëm fakti i provuar i transferimit të shumës prej 21,911,37 euro, nga llogaria bashkëemërore në llogari të shoqërisë së ndërtimit, në bindjen time nuk është i mjaftueshëm për të provuar se burimi i atyre të ardhurave kanë qenë të ardhurat e krijuara nga motra e bashkëshortit të subjektit”, thekson ajo.

Sanxhaktari shprehet se kjo marrëdhënie nuk gjendet e pasqyruar në kohë në deklaratën periodike dhe se të gjitha veprimet e mëvonshme krijojnë përshtypjen e një përpjekjeje për të justifikuar burimin e këtyre të ardhurave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *