Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja  pas seancës së shpalljes së vendimit. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPK Lajme Vendi

Konfirmohet me shumicë votash nga KPK, gjyqtari Astrit Kalaja

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash dhe dërgoi për procedim disiplinorë gjyqtarin e Apelit Shkodër Astrit Kalaja.

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja pas seancës së shpalljes së vendimit. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të premten me shumicë votash gjyqtarin e Apelit Shkodër Astrit Kalaja. KPK bëri me dije se një prej çështjeve që iu vu në dukje gjyqtarit gjatë seancës dëgjimore do të dërgohej për procedim disiplinorë.

Familjarë të gjyqtarit të pranishëm në sallë shpërthyen në duartrokitje menjëherë pas shqiptimit të vendimit nga kryesuesi i trupës gjykuese Olsi Komici.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja u përball me KPK të mërkurën në seancë dëgjimore. Relatiomi vuri në dukje probleme në të tri kriteret, por sipas vendimit të së premtes dy prej anëtarëve të Komisionit në çështjen e tij janë bindur nga shpjegimet e gjyqtarit dhe kanë rrëzuar relatimin.

Sipas relatimit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte gjetur gjatë hetimit pamjaftueshmëri të të ardhurave të ligjshme me rreth 2.8 milion lekë. KPK kishte marrë një raport negativ për Kalanë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, i cili siç u tha ishte vetëm pjesërisht i deklasifikuar. Ndërkohë që edhe Këshilli i Lartë Gjyqësorë, KLGJ, kishte bërë një sërë vërejtjesh në lidhje me profesionalizmin e gjyqtarit.

Kalaja i cili gjatë procesit falenderoi KPK për hetim objektiv dhe të thelluar, kundërshtoi gjetjet në kriterin e pasurisë dhe dha shpjegime për mungesat. Ai cilësoi si të pavërtetë raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe shpjegoi pse sipas tij shkeljet e pretenduara nga KLGJ nuk qëndronin.

Kalaja, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, u hetua nga trupa e komisionarëve e kryesuar nga Olsi Komici, anëtare Brunilda Bekteshi dhe me relator Lulzim Hamitaj.

Ai ka  lindur në Shkodër dhe është diplomuar në fakultetin e drejtësisë me titullin ‘jurist’. Pas mbarimit të studimeve ai është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe që nga viti 2004 ushtron detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2011 ai ka përfunduar një master në Universitetin e Tiranës dhe ka shërbyer gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *