Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës Administrative Gentian Medja

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikonfirmoi të mërkurën në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, Gentian Medja.

Gjyqtari Gentian Medja në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firedes Shuli dhe Xhensila Pine vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Medja, pasi hetimi administrativ i ndërmarrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se gjyqtari përmbushte me suskes të tre kriteret e procesit të rivlerësimit.

Gjyqtari Medja u deklarua tërësisht i saktë dhe pa pasuri të fshehura në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku u paraqit personalisht dhe pa avokat të hënën më 30 korrik.

Sipas relatores së çështjes Firdes Shuli, Medja, 40 vjeç, me eksperiencë gjykatës në Shkodër dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës, është treguar “tërësisht bashkëpunues” me komisionin dhe ka marrë raporte të pastra nga ILKPDKI si dhe nga hetimi administrativ i komisionit për pasurinë e tij dhe të prindërve të tij të përbërë nga një apartament i privatizuar në Shkodër dhe disa llogari bankare kursimesh për një total prej 4.1 milionë lekësh bashkë me disa aksione të prindërve në ndërmarrjen e Duhan-Cigareve në Shkodër të marra nga procesi i privatizimit. Ndërmarrja ka falimentuar shumë kohë më parë dhe aksionet e prindërve të gjyqtarit nuk kanë krijuar asnjëherë të ardhura.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka raportuar në Komision pastërtinë e figurës së gjyqtarit. Gjyqtari rezulton se jeton në Tiranë në një apartament me qira dhe disponon një makinë modeste.

Medja iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës me përparësi në kohë për shkak të kandidimit të tij për anëtar të Këshillit e Emërimeve në Drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *