Gjyqtarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Daniela Shirka gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Daniela Shirka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Daniela Shirka.

Gjyqtarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Daniela Shirka gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Daniela Shirka u konfirmua në detyrë mëngjesin e së premtes nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo.

Shirka e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2003 gjatë kohës që ishte në Shkollën e Magjistraturës. Ajo është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit në vitin 2004 ku ka shërbyer deri në vitin 2015 kur u dekretua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Seanca dëgjimore e gjyqtares Shirka nuk kaloi pa probleme. Komisioni konstatoi mungesë burimesh në blerjen e një apartamenti në vitin 2012 si dhe ngriti pikëpyetje mbi mundësinë financiare të një huadhënësi, që gjithashtu kishte kontribuar me 2 milionë lekë në blerjen e apartamentit. Relatori i çështjes tha se subjekti kishte depozituar prova dhe shpjegime, që sipas tij do të shqyrtoheshin para marrjes së vendimit.

Në seancë u diskutua gjithashtu një çështje gjyqësore e vitit 2007 lidhur me subjektin e atëhershëm nën hetim Xh.I. të akuzuar nga prokuroria për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të tre personave, e mbetur në tentativë. Një trupë gjyqësore ku bënte pjesë si anëtare dhe Shirka kishte ndryshuar akuzën dhe më pas ka pushuar hetimin për shkak të amnistisë.

Ky vendim i Gjykatës së Elbasanit është ndryshuar nga Apeli Durrës që e ka shpallur fajtor Xh.I për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të tre personave, e mbetur në tentativë dhe e ka dënuar me 8 vjet heqje lirie.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Daniela Shirka pohoi se Apeli Durrës nuk kishte konstatuar shkelje, por se ndryshimi i vendimit kishte të bënte me vlerësimin e provave. “Nuk ka të bëjë me shkelje disiplinore”, tha ajo.

Në fund të seancës dëgjimore, Shirka e cilësoi procesin e rivlerësimit si mjaft transparent dhe tha se kishte punuar gjatë gjithë kohës me ndershmëri e integritet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *